Xhamia Al-Aksa ndër shekuj

Xhamia Al-Aksa ndër shekuj

Kur Profeti Muhamed a.s u urdhërua nga Zoti për të udhëhequr komunitetin e muslimanëve drejt 5 faljeve ditore, lutjet e tyre drejtoheshin nga qytetin i shenjtë i Jeruzalemit. Për muslimanët, qyteti i Jeruzalemit është një vend i rëndësishëm, shtëpia e shumë profetëve të Islamit të tillë si Daudi, Sulejmani dhe Isai. Qyteti është një simbol i profetëve të Islamit. Kur profeti Muhamed a.s bëri udhëtimin nga Meka në Jeruzalem dhe pastaj drejt Parajsës (në atë që njihet si nata e Israsë dhe Miraxhit), rëndësia e qytetit u bë akoma më e madhe, si vendi ku Profeti a.s udhëhoqi gjatë faljes të gjithë profetët e tjerë për t’u ngjitur më pas drejt parajsës.

Sidoqoftë, për muslimanët, Jeruzalemi do të mbetej një simbol i largët gjatë jetës së Profetit a.s dhe në vitet që pasuan vdekjen e tij. Vetëm kur muslimanët vendosën nën kontrollin e tyre Irakun dhe më pas Sirinë në vitin 630, Jeruzalemi u shndërrua në një qytet musliman dhe xhamia Al-Aksa në Jeruzalem u shndërrua në një nga tokat më të rëndësishme të Perandorisë Islame. Përgjatë historisë komplekse dhe përplot luftëra të këtij qyteti, xhamia Al-Aksa ka qenë në zemër të betejave për Jeruzalemin. Ndërsa muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë, të gjithë e konsiderojnë tokën nën xhami si të shenjtë, të kuptuarit e historisë së kësaj toke është jashtëzakonisht e vlefshme.

Para dhe pas Profetit Muhamed a.s

Për muslimanët, Islami nuk ishte një religjion i ri kur Profeti Muhamed a.s filloi ta predikonte në vitet 600. Përkundrazi, ai konsiderohet si vazhdimësi dhe plotësim i traditave të profetëve të mëhershëm që përnderohen nga të tre besimet monoteiste. Mesazhi i Muhamed a.s përmbush dhe përkryen mesazhin e Ibrahimit, Musait dhe Isait, që u devijua me kalimin e kohës. Si rrjedhojë, për muslimanët, tempulli i Solomonit që u ndërtua në kohët e hershme në Malin e Tempullit në Jeruzalem, është pjesë e historisë së religjionit të tyre.

Me këtë bindje, kur çliruan qytetin e Jeruzalemit në vitin 637, gjatë kalifatit të Umer ibn Hatabit, muslimanët u përpoqën ta ringjallnin Jeruzalemin si një vend adhurimesh. Tempulli i lashtë i Jeruzalemit ishte ndërtuar disa herë, së fundmi nga Herodi rreth vitit 20 (p.e.s). Rreth vitit 70 (e.s) romakët e shkatërruan tempullin pas një revolte të hebrenjve në Palestinë. Hebrenjve iu ndalua hyrja në qytet dhe judaizmi thuajse vdiq në Jeruzalem.

Toka ku gjendej tempulli qëndroi djerrë për disa qindra vite që pasuan. Romakët e shndërruan zonën në një vend të grumbullimit të plehrave, prandaj kur Umeri hyri në qytet dhe shkoi të shikonte vendet ku ishin falur paraardhësit e tij të të njëjtit besim, si Daudi dhe Sulejmani, ai gjeti një vend të ndotur dhe të papërshtatshëm për t’u përdorur si faltore. Megjithatë, ai vendosi të pastronte zonën dhe të ndërtonte xhaminë Al Aksa. Siç e kishte zakon, ai punoi përkrah muslimanëve të zakonshëm për pastrimin dhe sistemimin e zonës. Ata ngritën një xhami jo shumë të madhe brenda të cilës mund të faleshin rreth 3000 njerëz, në anën jugore të Malit të Tempullit, të njohur nga muslimanët si Faltorja e Shenjtë (Haram al-Sharif). Një pelegrin i krishterë, kronikan i kohës që flasim, e përshkruan xhaminë si një strukturë të madhe druri të ngritur mbi rrënojat e hershme.

Për muslimanët, ky nuk ishte uzurpim i vendeve të shenjta të religjioneve të tjera. Përderisa të njëjtët profetë që janë përmendur në Testamentin e Vjetër pranohen si profetë muslimanë, xhamia e re konsiderohej si vazhdimësi e objekteve të mëhershme të kultit. Kjo ishte në përputhje me një nga motivet kryesore të islamit – që ai është përkryerja dhe plotësimi i besimeve të mëparshme monoteiste.

 

Faltorja e Shenjtë – Haram Al-Sharifi

Për shekuj me radhë, struktura e thjeshtë e ndërtuar nga Umeri mbeti godina e vetme në Faltoren e Shenjtë. Në vitin 690-të, kalifi Abdul Melik i dinastisë Umejade rindërtoi xhaminë Al-Aksa, duke e bërë shumë më të madhe dhe më të qëndrueshme se xhamia që kishte ndërtuar Umeri. Planimetria aktuale e xhamisë daton pikërisht nga koha e këtij rindërtimi. Sidoqoftë, arritja arkitektonike e Abdul Melikut ishte ajo që u ndërtua rreth 200 më në veri.

Mbi shkëmbin në të cilin shumica e muslimanëve besojnë se Profeti Muhamed a.s u ngrit drejt parajsës, Abdul Meliku ndërtoi Kubenë madhështore të shkëmbit. Si pjesë e xhamisë Al-Aksa, ajo nuk ishte një vend i veçantë adhurimi, dhe as ishte ndërtuar për të konkurruar me xhaminë Al-Aksa, por ishte konceptuar si plotësim dhe zgjerim i saj. Duke përdorur traditat dhe mozaikët arkitekturorë që Umejadët mësuan nga Bizantinët, që kishin sunduar zonën para tyre, Kubeja u shndërrua menjëherë në një nga objektet qendrore të arkitekturës islame të viteve 600.

Kubeja e Shkëmbit është ndërtuar në qendër të kompleksit të Faltores së Shenjtë, dhe si rrjedhojë është një nga godinat më mbresëlënëse dhe tërheqëse të qytetit. Ajo ka një bazë tetëkëndëshe, mbi të cilën ngrihet një kube 20 metër e lartë që fillimisht ishte e mbuluar me shtresa plumbi. Kaligrafia dekoronte pjesën e brendshme dhe të jashtme të godinës, ku gjenden disa nga mbishkrimet më të hershme Kur’anore që i kanë rezistuar kohës deri në ditët tona. Duke pasur parasysh madhështinë e ndërtimit, disa historianë modernë argumentojnë se Abdul Meliku e ndërtoi objektin me qëllimin për të rivalizuar Qaben në Mekë. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, nuk ka asnjë dyshim se dijetarët e kohës do t’i ishin kundërvënë kalifit dhe do ta kishin regjistruar në librat e tyre këtë akt blasfemik. Megjithatë, nuk ka asnjë transmetim apo rrëfim të bashkëkohësve që të vërtetojë një qëllim të tillë, dhe kjo ide është përmendur për herë të parë rreth 200 vite më vonë, nga dikush që kishte prirje të theksuara politike kundër dinastisë Umajade.

Pas rënies së Umajadëve në vitin 750, Jeruzalemi u vendos nën sundimin e dinastisë Abaside. Kalifët e rinj abasidë e kishin kryeqytetin e tyre në qytetin iraken të Bagdatit, dhe nuk i kushtuan Jeruzalemit të njëjtën rëndësi si Umejadët. Si rrjedhim, Faltorja e Shenjtë nuk përfitoi vëmendjen dhe financimet që gëzonte gjatë periudhës umajade. Megjithatë, pavarësisht neglizhencës së kalifëve, Jeruzalemi vazhdoi të mbetej një vend i rëndësishëm pelegrinazhi, dhe xhamia Al-Aksa ruajti pozitën e saj si qendra e jetës islame të qytetit nga vitet 600 deri në vitet 900, pavarësisht shumë tërmeteve të rënë gjatë kësaj periudhe që shkaktuan nevojën për disa rinovime të herëpashershme.

Rënia gjatë Fatimitëve

Në fundin e viteve 900-të, Jeruzalemi dhe Faltorja e Shenjtë u futën në rrjedhën e disa shekujve të trazuar. Perandorie Fatimite, me qendër në Egjipt, e vendosi nën sundim Jeruzalemin në vitin 970, pasi mundi trupat abaside në rajonin e afërt të Ramlas. Fatimitët i përkisnin sektit shiit të Ismailinjve, të cilin shumë dijetarë islame ndër shekuj e kanë klasifikuar si jashtë religjionit të Islamit. Periudha e sundimit fatimit u shoqërua me pasoja katastrofike për xhaminë Al-Aksa.

Që nga fillimi i sundimit islam mbi Jeruzalem, xhamia dhe Faltorja (Harami) në veçanti kanë shërbyer si qendra të dijes islame. Dijetarët organizonin vazhdimisht kurse dhe klasa në xhami, ku edukonin studentët mbi bazat e gramatikës arabe dhe tema të tjera të avancuara të ligjit dhe teologjisë islame. Gjatë kësaj periudhe, këto përpjekje edukative u ndërprenë nga guvernatorët fatimitë dhe u zëvendësuan me trajtesa zyrtare shiite. Gjeografi Al-Mukadesi shkroi në vitin 985 për Jeruzalemin se, “juristët nuk i viziton më askush, njerëzit e devotshëm nuk pyeten më dhe shkollat janë boshatisur pasi nuk ka më leksione.” Ai ankohet mbi mungesën e edukimit islam në qytetin që më herët vizitohej rregullisht nga dijetarë të famshëm si Shafiiu.

Periudha më e rënduar e sundimit fatimit nis me mbretërimin e Al Hakimit, që filloi në vitin 996. Ai u tregua shumë më i ashpër se sundimtarët e mëhershëm fatimitë në shtypjen e islamit ortodoks dhe tradicional. Ai e shpalli veten të shenjtë, duke kërkuar që emri i tij të zëvendësonte emrin e Zotit gjatë predikimit të së premtes, ndaloi agjërimin gjatë Ramazanit dhe pengoi muslimanët nga kryerja e pelegrinazhit në Mekë. Nga fundi i sundimit të tij, në vitin 1021, qyteti i Jeruzalemit e kishte humbur statusin e tij si qendër e dijes dhe shkencës islame. Përveç muslimanëve, ai gjithashtu shtypi të krishterët dhe hebrenjtë e Jeruzalemit si dhe shkatërroi kishën e Varrit të Shenjtë, në kundërshtim të hapur me parimet e islamit dhe me premtimet që Umeri kishte bërë në vitin 637 me rastin e çlirimit të qytetit.

Pas sundimit shkatërrimtar të Al Hakimit, prijësit fatimitë që e pasuan ishin më të moderuar. Ata u përpoqën ta akomodonin disi xhaminë dhe historinë e nëpërkëmbur islame të qytetit. Në vitin 1030, pas një tërmeti me pasoja shkatërrimtare, xhamia Al Aksa u restaurua nga Fatimitët. Struktura e re kishte një rreth qendror dhe 7 harqe të mëdhenj në fasadën e saj, për të mbajtur kubenë gjigante.  Kjo strukturë ishte më e vogël se ajo origjinale me 14 harqe që u ndërtua nga Umajadët. Xhamia e sotme ka shumë pak ndryshime nga ndërtimi i Fatimitëve.

Në vitin 1073, Jeruzalemi u pushtua nga turqit selxhukë, që ishin një popull me origjinë nga Azia qendrore, të sapokonvertuar në islamin tradicional suni. Nga perspektiva Islame, Al Aksa u kthye sërish në duart e një shteti të fuqishëm suni, që ktheu në qytet dijen dhe shkencën islame. Në zonën e Faltores (Haramit) u hapën shkollat ku mësohej ligji islam sipas shkollave Hanefite dhe Shafiite dhe jeta intelektuale në qytet filloi të lulëzonte sërish. Dijetarët nga e gjithë bota islame filluan të udhëtonin drejt qytetit për të mësuar, por edhe për të përcjellë dijen e tyre. Në vitin 1095, Ebu Hamid Al Gazali u vendos në Jeruzalem. Ai jetoi tek Faltorja e Shenjtë (Harami) përgjatë murit lindor të qytetit, dhe i kaloi vitet që pasuan duke u lutur në vetmi në xhaminë Al Aksa dhe në Kubenë e Shkëmbit. Gjatë kësaj kohe, ai shkroi veprën e tij me ndikim të jashtëzakonshëm “Ringjallja e Shkencave Islame”. Një vepër që revolucionarizoi mënyrën si muslimanët i qasen çështjeve të tilla si përshpirtja (spiritualiteti), filozofia dhe sufizmi.

Sidoqoftë, ringjallja  e jetës intelektuale përreth xhamisë Al Aksa nuk do të zgjaste shumë. Natyra e shenjtë e vendit do të denigrohej në vitin 1099 me ardhjen e kryqtarëve.

Kryqtarët

Në vitin 1095, perandori bizantin Aleksios kërkoi ndihmë nga Papa Urbani II në Romë në kuadër të luftës së tij të vazhdueshme me turqit selxhukë në gadishullin e Anadollit. Përgjigja e papës ishte kryqëzata e parë, qëllimi i të cilës nuk ishte të luftonte selxhukët, por të pushtonte Jeruzalemin e sunduar nga muslimanët dhe të themelonte një mbretëri të krishterë në Tokën e Shenjtë.

Pavarësisht se gjendej në zemër të botës islame, Jeruzalemi ishte në pozita të dobëta. Përçarja mes guvernatorëve dhe gjeneralëve në Lindjen e Mesme ishte e  madhe. Ndërsa kryqtarët marshonin drejt Jeruzalemit, shumica e qyteteve refuzuan t’i luftonin duke i lejuar të vijonin udhëtimin drejt Qytetit të Shenjtë.

Në vitin 1099, kryqtarët mbërritën në Jeruzalem, që sapo ishte rikthyer nën sundimin e fatimitëve që ua kishin rimarrë selxhukëve. Për shkak të luftimeve të herëpashershme mes Fatimitëve dhe Selxhukëve, asnjëra palë nuk ishte në gjendje ta mbronte qytetin. Në 15 korrik të vitit 1099, kryqtarët arritën të kalonin muret mbrojtëse dhe të futeshin në qytet.

Pas hyrjes së kryqtarëve në qytet, u zhvillua ngjarja më e tmerrshme në historinë e xhamisë Al Aksa. Përderisa kryqtarët e bënë të qartë se nuk do të zinin robër, një pjesë e madhe e popullsisë myslimane u dynd drejt xhamisë në kërkim të një vendi të sigurt. Pavarësisht shenjtërisë së vendit, kryqtarët ishin të vendosur të likuidonin të gjithë muslimanët e qytetit. Ata u futën në xhami me armë në duar, të vendosur për të vrarë këdo që ju dilte përpara.

Gjatë kësaj masakre në xhami u vranë mijëra muslimanë. Për të krishterët ky ishte pastrimi i domosdoshëm i Tokës së Shenjtë. Shumë kryqtarët shkruan me mburrje për këtë masakër. Për muslimanët kjo ishte tragjedia më e tmerrshme në historinë e xhamisë.

Për kryqtarët, eliminimi i muslimanëve të Jeruzalemit, i hapi rrugën transformimit të xhamisë sipas vizionit të tyre. Sunduesi i parë i mbretërisë së re të Jeruzalemit, Godfri, ndërtoi rezidencën e tij në xhaminë Al Aksa. Pjesa e brendshme e xhamisë u rinovua plotësisht për ta shndërruar në një pallat me mure, dhoma dhe kopshte të rinj. Sigurisht, të gjitha simbolet e të shkuarës islame u fshinë. Kaligrafia u mbulua, qilimat e faljes u hodhën si dhe në vendin e faljes (mihrab) u ndërtua një mur me tulla.

Për sa i përket Kubesë së Shkëmbit, disa qindra metra në veri, kryqtarët vendosën ta përdorin ndërtesën për qëllimet e tyre. Ato ishin injorantë rreth historisë së ndërtesës. Disa madje besonin se ai ishte tempulli origjinal i ndërtuar nga Solomoni (Profeti Sulejman a.s) në kohët e lashta. Sidoqoftë, ata e konvertuan ndërtesën në një kishë të njohur si Tempulli i Zotit. Njësoj si në xhaminë Al Aksa, kaligrafia islame u mbulua dhe simbolet e të shkuarës islame u hoqën. Shkëmbi nën kube u mbulua me mermer dhe u shndërrua në një altar për lutje.

Përderisa muslimanëve iu ndalua hyrja në qytet, në xhami nuk kryheshin më falje kolektive. Ka pak shembuj diplomatësh muslimanë që vizitonin Jeruzalemin dhe që lejoheshin të faleshin aty individualisht, sidoqoftë, shembuj të tillë janë të rrallë dhe të largët në kohë.

Salahudini dhe Mamlukët

Në vitin 1180-të, sulltani kurd Salahudin Ejubi arriti të bashkojë shtetet e shumtë dhe të përçarë muslimanë që kishin dorëzuar Jeruzalemin. Me ushtrinë e tij myslimane dhe të bashkuar, ai arriti të çlirojë qytetin e Jeruzalemit nga kryqtarët, në vitin 1187. Ndryshe nga kryqtarët 88 vjet më herët, Salahudini nuk lejoi kryerjen e masakrave mbi civilët dhe ushtarët. Megjithatë, ai i urdhëroi kryqtarët të largohen nga qyteti dhe vendosi sundimin mbi Faltoren e Shenjtë (Haramin) në emër të muslimanëve.

Salahudini premtoi të pastronte xhaminë Al Aksa brenda një jave nga çlirimi i qytetit, që të ishte gati për faljen e të premtes së ardhshme. Njësoj si kalifi i dytë, Umeri, 550 vjet përpara tij, Salahudini punoi me ushtarët dhe pasuesit e tij për të pastruar xhaminë. Strukturat e kryqtarëve brenda xhamisë u shkatërruan. Tualetet dhe mobiliet e kryqtarëve u nxorën jashtë xhamisë që u spërkat me ujë me aromë trëndafili nga vetë Salahudini. Mihrabi u zbulua, po ashtu edhe kaligrafitë islame që ishin mbuluar nga kryqtarët. Salahudini solli edhe një minber (vendi ku predikon imami) që ishte ndërtuar në Damask në pritje të çlirimit të Jeruzalemit. Përveç xhamisë, Salahudini themeloi disa institute edukimi që u strehuan brenda Faltores, si pjesë e përpjekjeve për t’i rikthyer qytetit karakterin islam.

Pavarësisht një kryqëzate të re të nisur si kundërpërgjigje ndaj çlirimit musliman të qytetit, Salahudini ishte në gjendje ta mbronte qytetin nga sulmet e kryqtarëve. Pas vdekjes së tij në vitin 1193, dinastia Ejubite e pasardhësve të tij vijoi të sundonte Jeruzalemin duke e mbrojtur nga sulmet e kryqtarëve. Në fundin e viteve 1200 dhe fillimin e viteve 1300, dinastia Ejubite ia liroi gradualisht vendin sulltanatit të Mamlukëve të Egjiptit, që sundohej nga ushtarë turq, ish-skllevër që kishin arritur të ngriheshin në pushtet në Kajro.

Gjatë sulltanatit Mamluk, vendosmëria evropiane për pushtimin e qytetit u shua gradualisht, dhe Jeruzalemi u ndje më i sigurt nga sulmet. Si rrjedhojë, Mamlukët u përqendruan më shumë në ngritjen e ndërtesave islame, veçanërisht brenda dhe përreth Faltores. Një verandë e re me kolona u ndërtua në anën perëndimore të Faltores, në kufi me tregjet e qytetit. Kubeja e shkëmbit u restaurua dhe disa burime me streha u ndërtuan në dobi të adhuruesve që vizitonin Faltoren (Haramin).

Në kufijtë e Faltores u ndërtuan disa shkolla të ligjit islam. Dijetarët e konsideronin bekim të veçantë qëndrimin e tyre në qytet dhe mundësinë që të studionin islamin në xhaminë Al Aksa dhe në Kubenë e Shkëmbit që kishte një pamje të jashtëzakonshme. Muslimanë nga Afrika e Veriut, Persia, por edhe nga vende më të largëta si India dhe Kina dyndeshin drejt xhamisë për të studiuar dhe kryer adhurime. Dijetari i madh i viteve 1300, Ibn Tejmije, shkroi një traktat të shkurtër mbi përfitimet e vizitës në xhaminë Al Aksa, të shoqëruar nga një tërësi rregullash dhe normash adhurimi për t’u praktikuar gjatë qëndrimit në të.

Osmanët

Sipas Ibn Haldunit, perandoritë janë të destinuara të ngrihen dhe të rrënohen çdo disa qindra vite. Kështu ndodhi edhe me Mamlukët. Në fillim të viteve 1500, superfuqia e re e botës myslimane ishte Perandoria Osmane, me kryeqendër qytetin historik të Stambollit. Në vitin 1513, sulltani osman, Selimi I, filloi luftën kundër Mamlukëve, dhe në vitin 1516 ai u shfaq me ushtrinë e tij në muret e qytetit të Jeruzalemit. Çelësat e qytetit iu dorëzuan paqësisht nga qeveritarët lokalë.

Si pjesë e perandorisë më të fuqishme të viteve 1500-të, Jeruzalemi përjetoi një epokë ringjalljeje. Ai u shndërrua në kryeqytetin e sanxhakut të Jeruzalemit, një nga zonat administrative të provincës së Sirisë. Osmanët dërguan guvernatorë, ushtarë dhe administratorë në qytet, për të ndihmuar në ringritjen dhe menaxhimin e tij.

Për xhaminë, sundimi Osman mundësoi një epokë të re rindërtimi dhe dekorimi. Djali i Selimit, Sulejman Kanuniu, erdhi në pushtet në vitin 1520. Gjatë sundimit të tij, Kubeja e Shkëmbit u rindërtua plotësisht duke u bërë akoma më madhështore. Pjesa e jashtme e ndërtesës u mbulua me mermer, pllaka me ngjyra dhe kaligrafi. Vargje nga surja e 36 e Kur’anit (surja Jasin) zbukuruan pjesën e sipërme të mureve. Ato mund të kundrohen edhe sot. Sulejmani gjithashtu vendosi të ndërtonte një burim uji në hyrje të xhamisë Al Aksa, që përdoret edhe sot e kësaj dite për të marrë abdes (pastrimi ritual i muslimanëve). Sulejmani urdhëroi kryearkitektin e tij, Mimar Sinanin, që të ndërtonte muret rrethuese të qytetit, që vijojnë të mbijetojnë edhe sot.

Britanikët dhe Izraelitët

Për disa shekuj nën sundimin Osman, Jeruzalemi dhe xhamia Al Aksa ruajtën një status-quo të shëndetshme. Ndërsa muslimanët ishin përgjegjës për administrimin e qytetit, hebrenjve dhe të krishterëve iu akorduan liritë fetare në përputhje me ligjin islam dhe miletin osman. Ky ekuilibër u prish nga shfaqja e lëvizjes sioniste në Evropë, që synonte ta shndërronte Jeruzalemin dhe zonën përreth në një shtet ekskluzivisht hebre.

Pasi kërkesa u refuzua nga Sultan Abdulhamiti në fund të viteve 1800-të, sionistët u kthyen për ndihmë tek Britanikët gjatë Luftës së Parë Botërore. Osmanët ishin përfshirë në luftë kundër Britanikëve në vitin 1914, ndërkohë që britanikët avancuan me shpejtësi nëpër gadishullin e Sinait dhe Palestinë, gjatë viteve 1915-1918.

Në vitin 1917, britanikët pushtuan qytetin e Jeruzalemit. Për herë të parë që nga koha e kryqtarëve, qyteti nuk ishte më në duart e muslimanëve. Megjithatë, ndryshe nga koha e kryqtarëve, nuk pati ndonjë masakër. Komunitetit islam të Jeruzalemit iu lejua kontrolli mbi zonën e Faltores (Haramit), por nën mbikëqyrje britanike.

Për sionistët, kontrolli izraelit mbi Jeruzalemin nënkuptoi shtim të emigrimit hebre nga Evropa. Qindra mijëra hebrenj emigruan drejt Palestinës, dhe shumë prej tyre u vendosën në Jeruzalem. Kur britanikët u tërhoqën nga Palestina në vitin 1948, sionistët ishin në gjendje të themelojnë një shtet të quajtur Izrael dhe në luftën që pasoi pushtuan pjesën më të madhe të territorit palestinez. Gjysma e Jeruzalemit, përfshi xhaminë Al Aksa dhe Kubenë e Shkëmbit, i shpëtuan kontrollit izraelit. Shteti fqinj i Jordanisë mori kontrollin e Jeruzalemit dhe Faltores (Haramit).

Në 7 qershor 1967, në ditën e tretë të Luftës së Gjashtë Ditëve, trupat izraelite arritën të pushtonin Jeruzalemin, së bashku me Uest Bankun, si rrjedhojë e një tërheqjeje masive të trupave nga qeveria jordaneze. Izraelitet hynë në Faltore me lehtësi dhe vendosën një flamur izraelit në Kubenë e Shkëmbit. Për muslimanët, kjo ishte një katastrofë epike që shënoi një pikë kthese në historinë e xhamisë. Në vijim të tensioneve një pjesë e madhe e xhamisë Al Aksa u dëmtua nga një zjarr i fuqishëm në vitin 1967, i ndezur nga një ekstremist australian që besonte se shkatërrimi i xhamisë do të çelte rrugën për ardhjen e dytë të Jezusit. Shumica e kaligrafisë së lashtë u shkatërrua së bashku me minberin e Salahudinit.

Me pushtimin izraelit të qytetit, hyrja e muslimanëve në qytet iu nënshtrua kontrolleve strikte. Edhe sot e kësaj dite, shumë muslimanëve që nuk janë nga Jeruzalemi nuk iu lejohet hyrja në Jeruzalem dhe falja në xhaminë Al Aksa. Një strukturë religjioze myslimane kontrollon vetë Faltoren (Haramin), por hyrja në të administrohet nga policët izraelitë, që rezervojnë të drejtën t’ju ndalojnë njerëzve hyrjen në xhami.

Ashtu si përgjatë historisë së saj të gjatë, xhamia Al Aksa është sërish qendra e jetës religjioze islame në qytet, por edhe e tensionit me grupet e tjera. Nën dhunën izraelite dhe përçarjen e muslimanëve të angazhuar në luftë me njëri-tjetrin, e ardhmja e xhamisë Al Aksa është sërish e pasigurt.

Burimi: islamicity.org

Leave a Reply