Si i zgjidhte Profeti a.s mosmarrëveshjet?

Si i zgjidhte Profeti a.s mosmarrëveshjet?

Pse dy ose më shumë persona përfshihen në një mosmarrëveshje ose zënkë?

Mund të ketë shumë shkaqe të themelta ose arsye, por zakonisht kjo ndodh kur një person, qoftë edhe joqëllimisht, keqtrajton ose cenon dikë.

Për shembull, kur dikush shpreh zemëratën e tij në rrethana të pakontrolluara, ndaj një personi të rastësishëm që shërben si “kokë turku”, duke e lënduar këtë të fundit.

Herë të tjera, dikush që dëshiron një të mirë që nuk e zotëron, mund të ndihet ziliqar ndaj atij që e zotëron, dhe kjo zili apo smirë mund të shprehet në formën e keqtrajtimit ose të folurit përvëlues. Por ka gjithashtu cilësi dhe sjellje të caktuara që shkaktojnë konflikte. Për shembull, është e faktuar se njerëzit arrogantë dhe të pasigurt që vuajnë nga niveli i ulët i vetëbesimit, vazhdimisht keqtrajtojnë dhe nënçmojnë të tjerët për t’u ndjerë mirë vetë.

Herë të tjera mund të jetë thjesht një përplasje karakteriale, që mund të nxisë dy njerëz të mos shkojnë mirë. Si për shembull, një person pedant dhe serioz, e ka të vështirë të tolerojë sjelljen e shkujdesur dhe prej palaçoje të dikujt që qartësisht shpërfaq një etikë të ndryshme shoqërore.

Mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet lindin kryesisht me personat me të cilit ndërveprojmë më shpesh, të tillë si familjarët, miqtë dhe kolegët.

Në të gjitha rastet e mosmarrëveshjeve, është shumë e rëndësishme që personat me autoritet që gjenden mes dy personave apo grupeve të përfshirë në mosmarrëveshje, të luajnë me urtësi rolin e avokatit, paqtimit dhe moderimit, në mënyrë që të parandalojnë daljen e situatës jashtë kontrollit, çka mund të shkaktojë përkeqësim të përhershëm të marrëdhënieve.

Për ata që lehtësojnë apo ndërmjetësojnë pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes njerëzve ka shpërblim të madh. Transmetohet nga Ebu Derda se Profeti a.s ka thënë: “A doni t’ju informoj mbi diçka më të mirë se agjërimi vullnetar, falja dhe dhënia e sadakasë? Njerëzit u përgjigjën: ‘Po o Profeti i Allahut! Ai tha, ‘Zgjidhja e çështjeve mes njerëzve. Dëmtimi i marrëdhënieve mes tyre është brisk që pret lidhjen me Zotin.”

Në një tjetër version të këtij hadithi, Xhami El-Tirmidhi shton: “Është brisku që nuk pret flokët, por që pret (shkatërron) fenë (përkushtimin fetar)”.

Mosmarrëveshjet mes shokëve të Profetit a.s

Në një kohë kur umeti (bashkësia) e muslimanëve është ngarkuar nga shumë sprova dhe vështirësi, një nga të cilat është përçarja e mbjellë nga argumentimet mbi çështjet fetare, që në shumë raste shtyjnë drejt përleshjeve fizike dhe luftës, ekziston një nevojë emergjente për të evidentuar incidente të ngjashme nga historia e jetës së Profetit Muhamed a.s, ku ai arriti të zgjidhë mosmarrëveshjet mes palëve në konflikt duke mundësuar pajtimin e tyre.

Shokët dhe bashkëshortet e Profetit a.s ishin më fisnikët e bashkësisë së muslimanëve sa i përket drejtësisë dhe ndrojes ndaj Allahut. Megjithatë, edhe ata kishin mosmarrëveshje që ndonjëherë përfundonin në konflikte.

Shpeshherë, një ose të dyja palët e përfshira në konflikt, shkonin tek Profeti a.s dhe ankoheshin për palën tjetër, ndërkohë që ai gjykonte në mënyrë të paanshme si dhe urtësi me burim hyjnor, për të vendosur cili prej tyre kishte gabuar dhe duhet t’i kërkonte falje apo të kompensonte tjetrin.

Duhet të kemi parasysh se Profeti Muhamed a.s gëzonte autoritet mbi njerëzit, dhe vendimi i tij ishte gjithmonë më i drejti, pa më të voglën mundësi që të rezultonte sadopak i gabuar.
Fatkeqësisht, ai nuk është më mes nesh. Kjo do të thotë se për ne, muslimanët e zakonshëm, është themelore që të analizojmë me imtësi sesi ai menaxhonte konfliktet mes shokëve të tij, dhe çfarë veprimesh ndërmerrte, hap pas hapi, për t’i zgjidhur ato.

Mosmarrëveshja mes Ebu Bekrit dhe Omerit

Njëherë, dy miqtë e ngushtë, Ebu Bekri dhe Omeri, patën një mosmarrëveshje mes tyre. Një veprim i Ebu Bekrit e nervozoi Omerin. Edhe pse Ebu Bekri e ndoqi nga pas dhe i kërkoi falje, Omeri i përplasi derën në fytyrë.

Ebu Bekri pastaj shkoi të ulej në shoqërinë e Profetit a.s dhe të shokut tjetër të tij, Ebu Dardasë (rrëfimtarit), dhe Profeti a.s menjëherë kuptoi, ndoshta nga gjestikulacionet dhe shprehia e fytyrës së Ebu Bekrit, se ai ishte i shqetësuar. Megjithatë Ebu Bekri nuk foli, derisa erdhi Omeri që i tregoi Profetit a.s për atë që kishte ndodhur mes të dyve.

Kur Profeti dëgjoi detajet e mosmarrëveshjes u irritua. Ebu Bekri pranoi menjëherë se ishte faji i tij, sapo pa zemërimin e Profetit. Kur Profeti a.s dëgjoi se Ebu Bekri, përveçse kishte pranuar gabimin, kishte kërkuar edhe falje nga Omeri, ndërmorri një strategji me dy hapa, që të inkurajonte Omerit ta falte atë.

Fillimisht, ai e quajti Ebu Bekrin shok dhe mik të tij, dhe i pyeti të gjithë ata që ishin ulur përreth, dy herë, nëse do ta braktisnin një mik të tyrin që u kishte qëndruar gjithmonë përkrah. Kjo sigurisht që kishte të bënte me faktin se Ebu Bekri e kishte provuar besnikërinë e tij ndaj Allahut, si shok dhe ndihmëtar i Profetit a.s, veçanërisht në kohë të rrezikshme.

Më pas, Profeti tregoi një shembull të sinqeritetit dhe besnikërisë së Ebu Bekrit ndaj të vërtetës, duke kujtuar sesi kur Ai i kishte shpallur njerëzimit profetësinë e tij, të gjithë e kishin etiketuar si mashtrues, përveç Ebu Bekrit që kishte thënë: “Ti thua të vërtetën!”

Leksoni që mund të nxjerrim nga ky rrëfim mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, është se duhet të pranojmë faljen e atyre që pranojnë se na kanë cenuar dhe kërkojnë sinqerisht falje për këtë.
Pajtimi mund të arrihet duke kujtuar të mirat e shkuara të atij që ka gabuar apo cenuar dikë, veçanërisht nëse ka dëshmi të qarta mbi sinqeritetin, vërtetësinë, drejtësinë dhe drojen e tij ndaj Allahut. Ai që është i zemëruar, nuk duhet të mbetet shumë gjatë mosbesues dhe këmbëngulës kundër dikujt që ka dëshmuar besnikëri ndaj Profetit Muhamed a.s

  1. Si person me autoritet, kur palë në konflikt i paraqiteshin për zgjidhjen e çështjeve të tyre, Profeti a.s ndërmerrte këto veprime:
  2. Ai i dëgjonte të dyja palët para se të merrte një vendim
  3. Për të lehtësuar pajtimin, ai përmendte cilësitë e mira dhe punët e drejta të cenuesit, nëse ai e pranonte fajin e tij dhe kërkonte ndjesë të sinqertë.
  4. Ai i lejonte personit që cenohej nga një sjellje e pahijshme apo agresive verbale që të mbronte nderin e tij, edhe nëse ishte i ri në moshë.
  5. Ai nuk e shtrëngonte apo nxiste viktimën e padrejtësisë që të heshtte apo të duronte. Ai nuk e lejonte shtypësin, agresorin apo të padrejtin që të vijonte me padrejtësinë e tij. Ai kujdesej që shkelja apo sjellja e padrejtë jo thjesht të ndalohej, por që viktima (pësuesi) të mbronte veten.

Enes ibn Malik r.a, tregon se Profeti a.s ka thënë: “Mos e bojkotoni njëri-tjetrin, mos ushqeni urrejtje ndaj njëri-tjetrit, mos jini xhelozë ndaj njëri-tjetri. Bëhuni vëllezër dhe motra në shërbim të Allahut. Nuk i lejohet muslimanët të mos i flasë vëllait të tij më shumë se 3 ditë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Sadaf Faruki

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply