Si kujdesej Profeti a.s për të moshuarit

Si kujdesej Profeti a.s për të moshuarit

-Muhamed Mus’ad Jakut

Profeti a.s ishte udhëçelës dhe misionar në theksimin e rëndësisë së kujdesit ndaj të moshuarve, pavarësisht gjinisë, ngjyrës apo fesë. Vetë ai ofroi një shembull madhështor në praktikimin e parimeve që predikoi. Ky artikull evidenton mësimet islame mbi trajtimin e të moshuarve si dhe ofron disa fragmente sesi Profeti a.s i vuri në jetë ato, sa kohë ishte mes njerëzve.

Obligim për të rinjtë

Enes ibn Malik r.a tregon se Profeti a.s ka thënë: “Nëse një i ri nderon dhe respekton një të moshuar, për shkak të moshës së tij, Allahu do të caktojë dikë që ta respektojë atë kur të jetë vetë i moshuar.” (Tirmidhiu; i konfirmuar si “hadith i mirë” nga Albani)

Profeti a.s këshillon të rinjtë e shoqërisë islame, që nesër do të jenë vetë të moshuar, të respektojnë dhe nderojnë të moshuarit. Zbatimi i kësaj këshille profetike ndihmon në ndërtimin e urave që lidhin hapësirën mes brezave, si dhe krijon një atmosferë dashurie, respekti dhe mirëkuptimi mes të rinjve dhe të moshuarve. Shikoni karakterin e përgjithshëm të fjalëve të Profetit a.s: “Nëse një i ri nderon një të moshuar…”. Hadithi nënkupton nderimin e të moshuarve pavarësisht ngjyrës apo fesë së tyre.

Në një hadith (thënie profetike) tjetër, muslimanëve u kërkohet të jenë të mëshirshëm me të gjithë njerëzit, muslimanë dhe jomsulimanë. Enes ibn Malik r.a, përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Pasha atë në duart e të cilit është shpirti im, Allahu nuk e zbret mëshirën e tij vetëm se mbi të mëshirshmit.” Shokët e Profetit a.s thanë: “Të gjithë ne jemi të mëshirshëm.”  dhe Profeti a.s u përgjigj: “Jo thjesht mëshirë mbi njëri-tjetrin, por mëshirë mbi të gjithë njerëzit.” (Ebu Jala; konfirmuar nga Albani)

Shenjë nderimi për Allahun xh.sh

Ebu Musa El-eshariu r.a, përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Respektimi i personit të thinjur (të moshuar) është shenjë nderimi ndaj Allahut.” (Ebu Daudi; i konfirmuar si “hadith i mirë” nga Albani)

Në këtë hadith, Profeti a.s e konsideron respektin ndaj të moshuarve si shenjë nderimi dhe përuljeje ndaj Allahut xh.sh. Ai lidhi nderimin ndaj Krijuesit me respektimin dhe mirësinë ndaj të dobtëve dhe të moshuarve. Hadithi përfshin të gjitha llojet e kujdesit dhe respektit ndaj të moshuarve: kujdesin shëndetësor, psikologjik, social, ekonomik, luftën ndaj analfabetizmit, ofrimin e edukimit dhe të gjitha llojet e tjera të kujdesit që komuniteti ndërkombëtar i konsideron si çështje parësore në ditët e sotme.

Në një hadith, Profeti a.s distancohet nga ata që nuk respektojnë të moshuarit dhe i konsideron ata si të huaj për shoqërinë muslimane.

“Nuk është prej nesh ai që nuk mëshiron të vegjlit dhe nuk respekton të moshuarit.” (Tirmidhiu dhe Ahmedi; konfirmuar nga Albani)

 

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply