Shpresa dhe besimi i Profetit Muhamed a.s

Shpresa dhe besimi i Profetit Muhamed a.s

-Shakiel Humajun

Kjo s’mund të ndodhë. Një derë mbyllet. Pastaj  një tjetër. Dhe sërish, një tjetër.

Një sërë pritshmërish, të ngjyrosura me optimizëm, thjesht nuk realizohen. Mos u shqetësoni, nuk ju ndodh vetëm juve. I ka ndodhur edhe Profetit Muhamed.

Arabët e konsideruan unanimisht Profetin Muhamed si shembull të shkëlqyer për shoqërinë; një njeri që nuk gënjente, që ishte i besueshëm, i ndershëm dhe empatik.

Profeti Muhamed kishte pritshmëri specifike në lidhje me “dy qytetet”, Mekën dhe Taifin. Se ato do ta pranonin thirrjen e tij dhe do të besonin dhe adhuronin Zotin e vetëm. Megjithatë, shumica e paganëve arabë patën një reagim krejt të ndryshëm. Ata e luftuan me mish e me shpirt mesazhin e Profetit a.s. Ata torturuan dhe bojkotuan ata që besuan tek Muhamedi dhe u përpoqën disa herë që ta vrisnin atë.

Gjatë çasteve të vështira, Hatixhja, bashkëshortja e Profetit a.s, i ofronte atij ngushëllim dhe mbështetje emocionale. Sidoqoftë, pas një dekade thirrjeje në monoteizëm, gruaja që e mbuloi dhe e mbështolli pas përvojës së tij të parë me shpalljen, që ishte gjithmonë përkrah tij, u largua nga kjo botë.

Xhaxhai i tij, që i ofroi mbështetje dhe mbrojtje fisnore kundër atyre që donin ta vrisnin, vdiq tre ditë më vonë.

Allahu e urdhëroi Profetin të proklamonte monoteizmin në Mekë. Ai e bëri këtë. Sidoqoftë, Meka po shndërrohej në një qytet gjithmonë e më të rrezikshëm ku Profeti nuk kishte më asnjë mbështetje.

Pa u dekurajuar, Profeti Muhamed shkoi në Taif me shpresën që banorët e tij do ta mirëprisnin ftesën në monoteizëm. Nëse kjo do të ndodhte, ai do të mund të zhvendosej në një vend më të sigurt. Por rezultoi krejtësisht e kundërta. Ata nuk e pëlqyen aspak thirrjen e tij. Përkundrazi, nxitën të rinjtë e tyre që ta godisnin me gurë duke e lënë të gjakosur, ndërsa i drejtohej mureve rrethuese të qytetit për të dalë që aty. Një ditë Aishja e pyeti Profeti a.s: “ A ke përjetuar ndonjë ditë më të vështirë dhe të rëndë se ajo e betejës së Uhudit?”. Profeti a.s i përmendi ditën që kaloi në Taif.

I rraskapitur, i lënduar dhe i tronditur, Profeti a.s pa t’i mbyllej një tjetër derë m’u përpara syve, dhe kështu vendosi të kthehej sërish në Mekë. Gjatë rrugës, ai vendosi të pushonte nën hijen e pemëve të një kopështi privat.

Pronari i kopështit pa gjëndjen e Profetit a.s dhe udhëroi shërbëtorin e tij, Adasin, që t’i çonte një pjatë me rrush. Profeti a.s filloi të hante duke thënë Bismilah (Me emrin e Allahut). I habitur, Adasi i tha: “Njerëzit e këtij qyteti nuk e përdorin këtë shprehje!” Profeti a.s iu përgjigj: “Nga cili qytet je ti Adas? Cila është feja jote?”. Adasi u përgjigj: “Unë jam i krishterë nga qyteti i Nineveh.”. Profeti a.s i tha: “Nga qyteti i njeriut të drejtë, Junusit, birit të Matas.” Adasi i habitur e pyeti, “Nga e njeh Junusin, djalin e Matas? Profeti u përgjigj: “Ai është vëllai im. Ai ishte Profet dhe unë jam Profet.”

Profeti Junus u dërgua nga Allahu që të thërriste popullin e tij në monoteizëm. Ata e refuzuan thirrjen e tij dhe iu kundërvunë derisa ai u detyrua të largohej nga vendi i tij.

Biseda e Profetit Muhamed a.s me Adasin ishte tejet domethënëse. Allahu i tregoi Muhamedit a.s se pavarësisht refuzimit që populli i tij i bëri Junusit, qindra vjet më pas, ai ishte duke folur me një njeri që besonte tek Junusi dhe që vinte pikërisht nga qyteti që e dëboi atë.

Si mund të shuhet shpresa? Si mund të mos besosh në premtimin e Allahut? Mesazhi për Profetin a.s ishte i qartë. Në fund, ata do të besojnë tek ti o Profet, njësoj siç besuan njerëzit e Junusit.

Nëse si besimtarë mbështetemi tek Allahu dhe nuk e humbasim shpresën, ai do të na mundësojë të arrijmë frytet që dëshirojmë.

Ja si e përshkruan Profeti a.s me fjalët e tij dëbimin nga Taifi:

“U largova, i kapluar nga tronditja dhe keqardhja, dhe u qetësova vetëm pasi u gjenda nën një pemë ku ngrita kokën lart drejt qiellit dhe pashë një re që bënte hije. Hodha shikimin dhe në të ishte ëngjëlli Xhebrail. Ai më tha: ‘Allahu e ka dëgjuar atë që njerëzit e tu të kanë thënë dhe si kanë reaguar ndaj teje, prandaj ka dërguar Ëngjëllin e Maleve që ta urdhërosh t’u bëjë këtyre njerëzve atë që ti dëshiron. Ëngjëlli i Maleve me përshëndeti dhe më tha: ‘O Muhamed, më urdhëro çfarë të duash, dhe unë mund t’i bëj malet të shemben mbi kryet e tyre.’ Profeti a.s tha: ‘Jo! Unë shpresoj se Allahu do të nxjerrë prej pasardhësve të tyre njerëz që adhurojnë vetëm Allahun pa i bërë shok atij.” (Buhariu)

Ndëshkimi nuk ishte pjesë e ligjërimit të Profetit a.s.

Refuzimi i banorëve të Mekës dhe Taifit nuk e lëkundi aspak Profeti a.s nga misioni i tij, nga mbështetja tek Allahu dhe shpresa e pafundme tek premtimi i tij. Për më tepër, ai nuk lejoi sjelljen e ashpër të paganëve arabë, që të ndryshonin karakterin e tij, duke u hakmarrë ndaj tyre. Përkundrazi, ai shpresoi se një ditë ai qytet do të ndryshonte. Dhe kështu ndodhi.

“Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Kur’ani 65:3)

“Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Kur’ani 18:110)

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply