Refuzimi i mashtrimeve mbi Profetin

Refuzimi i mashtrimeve mbi Profetin

-Karen Armstrong

Që nga koha e kryqëzatave, perëndimorët e kanë parë Profetin Muhamed si një figurë djallëzore. Gjatë shekullit të XXII-të, të krishterët po kryenin luftëra barbare kundër muslimanëve, edhe pse të konsideruara si të shenjta. E gjithë kjo në kundërshtim me vetë mësimet e Jezusit që i kërkonte pasuesit e tij t’i donin armiqtë e tyre, jo t’i asgjësonin ata. Murgjit dhe kleri katolik i Evropës e stigmatizonte Muhamedin si njeri të dhunshëm dhe barbar që themeloi religjionin e rremë të Islamit përmes shpatës. Ata, gjithashtu, me urrejtjen e tyre të sëmurë, e portretizuan atë si njeri të shthurur dhe pervers seksual, pikërisht në një kohë kur papët e Romës po përpiqeshin të impononin celibatin (të mosmartuarit) për klerin që ngurronte ta pranonte diçka të tillë. Islamofobia jonë u gërshetua me antisemitizmin tonë kronik; hebrenjtë dhe muslimanët, viktimat e kryqëzatave, u shndërruan në hije të Evropës, në armiq të civilizimit dhe në të kundërtën “tonë”.

Dyshimet dhe paranojat tona mbi islamin janë akoma të gjalla ndër ne. Në të vërtetë, ndoshta është edhe e mirëkuptueshme, që ato janë forcuar si rrjedhim i sulmeve terroriste të kryer në emër të tij. Por, pavarësisht retorikës religjioze, këta terroristë janë të motivuar politikisht dhe jo fetarisht. Sikurse “fundamentalistët” e feve të tjera, ideologjia e tyre është qartësisht në kundërshtim, madje dhe sfiduese në raport me themelet e fesë. Deri në vitet 1950-të, asnjë mendimtar islam nuk e kishte shndërruar luftën e shenjtë në shtyllë themelore të Islamit. Ideologu musliman Ebu ala Meududi (1903-79) dhe Sejid Kutbi (1906-66), të parët që bënë diçka të tillë, e dinin se po propozonin një risi të debatueshme. Ata besonin se kjo justifikohej nga emergjenca që paraqisnin rrethanat politike të kohës.

Aktiviteti kriminal i terroristëve i ka dhënë shkëndija jete këtij paragjykimi të vjetër të perëndimorëve. Shpesh njerëzit duken të prirë, madje të uritur, për të besuar çdo të keqe mbi Muhamedin, si dhe ngurrojnë të vendosin jetën dhe veprën e tij në kontekstin e duhur historik. Ata supozojnë se tradita e krishterë, madje edhe ajo hebreje, nuk vuan nga të njëjtat probleme dhe cene që ia atribuojnë ekskluzivisht Islamit. Pikërisht kjo armiqësi e rrënjosur thellë, frymëzoi veprën e keqtitulluar “E vërteta mbi Muhamedin”, shkruar nga Robert Spencer, që ka si nëntitull fjalinë “Themeluesi i fesë më intolerante në botë”.

Spencer pretendon se e ka studiuar Islamin gjerësisht, për plot 20 vite, në mënyrë që të arrijë të provojë se është një fe djallëzore që ka në themel dhunën. Ai konsiderohet si hero nga e djathta amerikane dhe është autor i një libri me shitje të shumta të titulluar “Një guidë politikisht inkorrente e Islamit”. Si çdo libër i shkruar me urrejtje, punimi i tij i ri është dëshpërues dhe i zymtë. Spenceri nuk përpiqet të shpjegojë rrethanat historike, politike, ekonomike dhe shpirtërore të Arabisë së shekullit të VII-të, pa të cilat është e pamundur të kuptosh ndërlikimet e jetës së Muhamedit. Si rrjedhim, ai bën gabime të rënda bazike dhe faktuale. Me keq akoma, ai manipulon dëshmitë dhe provat historike.

Traditat e çdo religjioni janë shumëburimëshe dhe të shumëllojshme, prandaj është tejet e lehtë të citosh në mënyrë aq selektive sa të devijosh apo shtrembërosh themelin e fesë. Por Spencerit nuk i intereson ekuilibri. Ai përzgjedh vetëm ato elementë të traditës islame që i shërbejnë apo mbështesin tezat e tij. Për shembull, ai citon vetëm ato ajete kur’anore që në dukje janë armiqësore ndaj hebrenjve dhe të krishterëve dhe nuk përmend shumësinë e vargjeve që këmbëngulin mbi vijimësinë e islamit në raport me fetë e shpallura më herët dhe me njerëzit e librit për të cilët Kur’ani thotë: “Thojini atyre se ne besojmë atë që ju besoni; Zoti juaj dhe Zoti jonë është një.”

Historiku i Islamit në vlerësimin dhe pranimin e feve të tjera është shumë më pozitiv dhe mbresëlënës se ai i krishterimit dhe judaizmit. Në Spanjën islame, marrëdhënia mes tre besimeve abrahamike ishte tejet harmonike, një veçori unike për Evropën e mesjetës. Të krishterët e bizantit ua kishin ndaluar hebrenjve banimin në Jeruzalem, por kur kalifi Omer mori qytetin në vitin 638, ai i ftoi ata të ktheheshin dhe u përshëndet si të ishte pararendësi i Mesisë. Spenceri nuk i referohet kësaj ndodhie. Marrëdhëniet mes hebrenjve dhe muslimanëve sigurisht që janë përkeqësuar si rrjedhojë e konfliktit arabo-izraelit, por kjo përbën përjashtim nga shekujt e mëparshëm të kaluar në paqe dhe në bashkëjetesë. Kur flet mbi luftën e Muhamedit në Mekë, Spenceri nuk citon kurrë dënimin që Kur’ani i bën luftës si një e “keqe e madhe”, ndalimin e agresionit apo faktin se konfliktet e armatosura justifikohen vetëm për vetëmbrojtje. Ai injoron theksin që Kur’ani vë mbi superioritetin dhe përparësinë e faljes dhe negociatave paqësore: në çastin që armiku kërkon paqe, muslimanët duhet të ulin armët dhe të pranojnë kushtet e paqes, edhe pse kjo mund të jetë disavantazhuese në raport me fitoren që mund të arrijnë. Nuk përmendet askund fushata paqësore dhe pa asnjë nuancë dhune që i dha fund këtij konflikti.

Njerëzit do të ofendoheshin nga një libër historik mbi hebraizmin që bazohet ekskluzivisht në masakrat e Xhoshuas, pa përmendur asnjëherë rregullin e artë të rabinit Hilel, ose përshkrimin e krishterimit duke u bazuar në librin luftarak “Të shpalljes” pa përmendur apo cituar predikimin në mal. Por injoranca e kudogjendur në perëndim mbi islamin, i shndërron shumë njerëz në viktima të polemikave të Spencerit; ai po u thotë atyre atë që duan të dëgjojnë. Libri i tij është një dhuratë për ekstremistët që mund ta përdorin për t’u “provuar” muslimanëve të margjinalizuar nga ngjarjet në Palestinë, Liban apo Irak, se perëndimi është rrënjësisht armiqësor ndaj fesë së tyre.

Eliot Ueinberger është një poet, interesi i të cilit për Islamin filloi gjatë Luftë së Parë të Gjirit. Vëllimi i tij i titulluar “Muhamedi”, është gjithashtu një antologji selektive mbi Profetin. Qëllimi i deklaruar i tij është “të krijojë një ndjesi sado të pakët të respektit dhe përnderimit që përfshin figurën historike dhe mistike të Profetit, në një kohë kur bota islame po demonizohet në segmente të gjera të medias.” Shumë nga pasazhet që ai citon janë vërtet mistike dhe të bukura, por shumë lexues të mbushur me paragjykim janë të prirë t’i lexojnë ndryshe. Pa e ditur prejardhjen e tyre, si mund t’i përgjigjemi thënieve të tilla si “Ai tha se personi që luan shah është njësoj si ai që ka zhytur duar e tij në gjakun e derrit.”

Është e vështirë të kuptosh sesi përzgjedhja si shembuj e këtyre thënieve të dyshimta, mund të ndihmojë mirëkuptimin e përbashkët. Seksioni i dytë i antologjisë së tij i përkushtohet anekdotave mbi bashkëshortet e Muhamedit që gëlojnë me thashetheme dhe shpifje të bazuara tek epshi seksual. Lexuesit perëndimorë kanë nevojë për perspektivën historike që të kuptojnë domethënien e rendit familjar dhe shtëpiak të Profetit, respektin e tij për gratë dhe mënyrën e hapur dhe të drejtpërdrejtë sesi ato i drejtoheshin atij. Njësoj ekscentrike janë historitë e cituara nga Ueinbergeri për të përshkruar mrekullitë që i atribuohen Profetit. Kur’ani e bën të qartë që Muhamedi nuk kryente mrekulli dhe këmbëngul që ai ishte thjesht një njeri që nuk zotëronte cilësi dhe fuqi hyjnore.

Si rrjedhim, është disi lehtësuese të kthehesh tek historitë dhe dëshmitë disi më të balancuara dhe me më shumë nuanca të Barnaby Rogerson mbi historinë e hershme të muslimanëve, në librin “Trashëgimtarët e Profetit Muhamed”. Rogersoni është një shkrimtar udhëtar; shpjegimi i tij mbi ndarjen teologjike suni-shia është simplistik, por tregimet e tij mbi rashidunët, katër kalifët e drejtë që pasuan Profetin, janë të faktuara, duke ndihmuar në qartësimin e shumë keqkuptimeve perëndimore mbi këtë periudhë të rëndësishme historike.

Rogerson qartëson se luftërat çliruese dhe themelimi i perandorisë islame pas vdekjes së Muhamedit, nuk u frymëzuan nga ideologjia religjioze, por nga pragmatizmi politik. Ideja që islami duhet të sundonte apo pushtonte botën ishte e huaj për Kur’anin, prandaj nuk pati përpjekje për të konvertuar hebrenjtë dhe të krishterët.

Rogersoni gjithashtu tregon se tradita islame është e shumështresëzuar dhe e shumëllojshme. Historianët e hershëm ofronin rregullisht dy ose tre variante mbi ndodhitë gjatë jetës së Profetit dhe lexuesit duhet ta ndanin vetë mendjen cili ishte më i besueshmi apo më i përshtatshmi.

Ngjashëm, në historinë e eksodit në Biblën Hebraike ka të paktën 4 versione që kontrastojnë ose kundërshtojnë njëri-tjetrin. Po ashtu, në Testamentin e Ri, katër evangjelistët e interpretojnë krejtësisht ndryshe jetën e Jezusit. Të zgjedhësh një traditë dhe të injorosh të tjerat, siç bëjnë Ueinbergeri dhe Spenceri, është manipulative.

Profesor Tarik Ramadan ka studiuar Islamin në Universitetin e Gjenevës dhe në Ez’her, në Kajro, dhe aktulisht është studiues në kolegjin e Shën Antonit, në Oksford. “Mesazheri”, është qartësisht biografia më rigoroze akademike dhe më e pasur e Muhamedit, por është gjithashtu praktike, pasi ofron mësime themelore për muslimanët dhe jomuslimanët. Ramadani, në librin e tij, e bën të qartë që Profeti nuk i etiketonte jomuslimanët si “pabesimtarë”, por që nga fillimi bashkëpunoi me ta në emër të së mirës së përbashkët. Islami nuk ishte një sistem i mbyllur që nuk komunikonte me traditat e tjera. Muhamedi këmbëngulte se marrëdhëniet mes grupimeve të ndryshme etnike dhe religjioze duhet të ngriheshin mbi barazinë. Edhe lufta nuk duhej të shmangej nga detyra kryesore e drejtësisë dhe respektit.

Kur muslimanët u detyruan të largoheshin nga Meka për shkak të persekutimit nga paria vendase, atyre iu desh të ambientoheshin me traditat e huaja dhe të panjohura të shtëpisë së tyre të re në Medinë, ku për shembull, gratë zotëronin më shumë liri se në mekë. Hixhreti (emigrimi) ishte një test inteligjence; emigrantët duhet të kuptonin se disa nga zakonet e tyre ishin kulturore, jo islame apo fetare, prandaj duhet të mësonin dhe zbatonin praktikat e huaja.

Tarik Ramadan bën gjithashtu të qartë se në Kur’an, xhihadi nuk ishte sinonim i “luftës së shenjtë”. Folja xhihada duhet përkthyer “bëj përpjekje, mundohem”. Në herën e parë që përdoret në Kur’an, kjo fjalë nënkupton “rezistencën ndaj shtypjes” (25:26), që ishte intelektuale dhe shpirtërore, para se të ishte ushtarake. Muslimanëve u kërkohej të kundërshtonin gënjeshtrat dhe terrorin e atyre që motivoheshin vetëm nga interesi vetjak; ata duhet të ishin të duruar dhe të qëndrueshëm. Vetëm pas hixhretit, kur u përballën me armiqësinë e Mekës, fjala xhihad mori kuptimin e vetëmbrojtjes dhe rezistencës së armatosur përballë agresionit ushtarak. Pavarësisht kësaj, sipas traditës mbizotëruese islame, xhihadi i madh nuk ishte lufta, por reformimi i zemrës dhe shoqërisë; siç Muhamedi i shpjegoi njërit prej shokëve të tij se xhihadi ishte lufta e brendshme kundër egos vetjake.

Kur’ani na mëson që edhe pse lufta duhet shmangur kurdo të jetë e mundur, ndonjëherë është e domosdoshme për t’i rezistuar prirjes njerëzore për mbizotërim dhe pushtet shtypës, që shpesh përpiqet të shuajë diversitetin dhe pluralizmin fetar që është fryt i vullnetit të Zotit. Nëse angazhohen në luftë, muslimanët duhet të veprojnë me etikë. “Mos vrisni gratë, fëmijët dhe pleqtë”. Ebu Bekri, kalifi i parë, i urdhëronte trupat e tij: “Mos kryeni akte pabesie. Mos digjni shtëpitë dhe fushat me të mbjella.” Muslimanët duhet të tregohen veçanërisht të kujdesshëm për të mos shkatërruar apo dëmtuar manastiret ku murgjit i shërbejnë Zotit dhe i luten atij.

Muhamedi nuk ishte luftëtar i pamëshirshëm. Tarik Ramadan tregon se Profeti vazhdimisht theksonte rëndësinë e bujarisë, të tolerancës dhe të përdëllimit.

Ramadani adreson çështje që shpesh i frymëzojnë disa muslimanë të shtrembërojnë fenë e tyre. Perëndimorët shpesh ankohen se nuk dëgjojnë zëra muslimanësh të moderuar, por kur të tillë muslimanë flasin, ato shpesh refuzohen duke u konsideruar si apologjetistë apo biografë shenjtorësh. Derisa të mësojmë t’i qasemi njëri-tjetrit me zemërgjerësi dhe respekt, s’mund të shpresojmë për paqe.

Burimi: islamicity.org

Leave a Reply