Profeti a.s dhe fuqizimi i të rinjve

Profeti a.s dhe fuqizimi i të rinjve

-Muhamed Fat’hi

Imagjinoni sikur një djalosh i ri të shkojë tek imami i xhamisë tuaj me një kërkesë absurde: “A mund të më japësh një fetva që më lejon të bëj zina?” Çfarë përgjigjeje do të merrte?!

Me shumë mundësi përgjigja e imamit do të shprehte irritim dhe zemërim. Me siguri do ta dëgjonit duke bërtitur kështu: “Turp të kesh! Si guxon të përmendësh gjëra kaq të ulëta në xhami dhe më keq akoma të kërkosh t’i kryesh ato?!”.

Epo le të lexojmë historinë e mëposhtme dhe të shohim si e menaxhoi situatën Profeti a.s një situatë të ngjashme.

Ebu Umama El Behili r.a ka treguar se tek Profeti a.s erdhi një djalosh i ri dhe i tha: “O Profet i Zotit, më jep leje të kryej imoralitet(zina).” Sahabët u kthyen drejt tij dhe nisën ta shikonin shtrembër. Profeti a.s i tha “Eja më afër”. Kur djaloshi u afrua tek profeti a.s dhe u ul pranë tij, profeti a.s i tha: “Do të doje që kjo gjë t’i ndodhte nënës tënde?” Djaloshi iu përgjigj: “Jo pasha Zotin! Zoti më ruajtë nga kjo gjë!” Më pas profeti a.s tha: “Edhe të tjerët nuk duan që kjo t’iu ndodhë nënave të tyre.” Më pas profeti a.s shtoi: “Do të doje t’i ndodhte vajzës tënde?” Përsëri djaloshi u përgjigj negativisht. Atëherë profeti a.s i tha: “Edhe të tjerët nuk duan t’iu ndodhë vajzave të tyre”. Më tej profeti a.s e pyeti: “Do të doje t’i ndodhte motrës tënde?” Profeti a.s mori të njëjtën përgjigje dhe të njëjtin koment. Profeti a.s e pyeti djaloshin për hallat dhe tezet e tij. Përgjigja ishte e njëjtë, ndaj profeti a.s përsëriti të njëjtën përgjigje: “Edhe të tjerët nuk do të donin që kjo gjë t’iu ndodhte hallave ose tezeve të tyre.”

Profeti a.s e vuri dorën mbi djaloshin dhe u lut për të. “O Allah falja mëkatet, pastroja zemrën dhe ruaja moralin!”.

Ebu Umame, transmetuesi i hadithit ka thënë se djaloshi nuk ra kurrë pre e asnjë tundimi në vazhdim.

Me këtë qasje të sjellshme, mirëkuptuese dhe të arsyeshme, profeti a.s synoi ta forconte këtë djalosh dhe jo t’ia shkatërronte vetbesimin. Ai kishte si qëllim ta fortifikonte dhe t’i krijonte barriera mbrojtëse në betejën kundër tundimeve në vend që ta poshtëronte apo ta largonte atë.

Duke ndjekur shembullin profetik është shumë e rëndësishme të kemi parasysh përqasjen toën kur kemi të bëjmë me të rinj dhe nuk ka rëndësi thjesht nëse i riu do të kryjë imoralitet apo jo, por ajo që është më e rëndësishme është nëse do të kthehen përsëri në xhami për të marrë përgjigje për problemet në vijim. Duke i dëgjuar të rinjtë, duke kuptuar problemet e tyre, duke i trajtuar me përzemërsi dhe përkujdesje, pavarësisht problemeve që mund të kenë, ne mund t’i fuqizojmë të rinjtë, njësoj siç bëri Profeti a.s në këtë rast. Në hadithin e mësipërm kuptojmë që as sahabët nuk po e kontrollonin dot tronditjen e tyre. Ndoshta ky do të ishte reagimi i natyrshëm i imamëve dhe liderëve të komunitetit tonë nëse do të përballeshin me një pyetje të tillë.

Profeti a.s e trajtoi këtë çështje si një edukator gjenial. Ai e afroi pranë vetes të riun, e diskutoi problemin me racionalitet dhe arriti një sukses të tillë sa që transmetuesi i hadithit tregon se djaloshi nuk ra kurrë më pre e tundimeve në vijimësi.

Për më tepër, Profeti nuk e la të kalonte ky episod pa dhënë një përjetim shpirtëror. Vendosja e dorës së tij mbi kraharorin e të riun dhe lutja për të, duhet të ketë lënë një efekt të paharrueshëm.

Në të tilla situata nuk ka dobi kriticizmi. Ai thjesht do ta largonte të riun dhe do ta bënte të mendohej dy herë para se të kërkonte sërish zgjidhje për problemet e tij në xhami. Nëse nuk tregohemi mjaftueshëm miqësor duke u përpjekur të kuptojmë problemet e tyre, të rinjtë do të kërkojnë vende të tjera ku do të kanalizojnë shqetësimet dhe nevojat e tyre.

Djaloshi guxoi t’ia drejtonte Profetit a.s këtë pyetje absurde. A ndihen aq të mirëpritur dhe komod të rinjtë tanë t’i drejtohen xhamive dhe imamëve për të diskutuar lirshëm për gjërat që i shqetësojnë?

Fatkeqësisht, diferenca mes sjelljes së Profetit a.s dhe shumë prej nesh është po aq e madhe sa diferenca mes ndërtimit dhe shkatërrimit, forcimit dhe poshtërimit të individit.

Burimi: Aboutislam.com

Leave a Reply