Profeti Muhamed: Reformatori Social

Profeti Muhamed: Reformatori Social

Të gjithë civilizimet e mëdha, të tillë si grekët, romakët, persët dhe perëndimi i sotëm, janë ngritur kryesisht duke zhvilluar të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Edhe ngritja e civilizimit islam mes shekujve të 7-të dhe 13-të i kushtohet këtyre parimeve. Pak individë përgjatë historisë, kanë arritur të kryejnë njëkohësisht reforma fetare, gjinore, edukuese, racore dhe të zgjidhjes së konflikteve. Profeti Muhamed, themeluesi i Islamit, arriti të reformojë shoqërinë e tij në të pesë aspektet që hodhën bazat e civilizimit arab dhe musliman. Rënia e tyre e mëpasshme dhe ekstremizmi që disa muslimanë shfaqin sot, fatkeqësisht kanë errësuar kontributet historike të Profetit Muhamed për njerëzimin. Pikat e mëposhtme synojnë të ofrojnë një panoramë të qartë të përpjekjeve të tij dhe të anashkalimeve dhe gabimeve që ndodhin sot.

Liria Fetare

Disa muslimanë intolerantë, sot persekutojnë jomuslimanët për blasfemi dhe proziletizëm (ndjekje të një feje tjetër). Por në kundërshtim me këtë, teksti i shenjtë i Islamit, Kur’ani, deklaron se “nuk ka imponim në fe” (2:256). Sidoqoftë, të paktë janë ata që e dinë kontekstin e këtij ajeti. Para migrimit të Profetit Muhamed në Medinë, disa politeistë në qytet kishin vendosur t’i edukonin fëmijët e tyre sipas traditës monoteiste të hebrenjve. Pasi u konvertuan në Islam, prindërit kundërshtuan që fëmijët e tyre të merreshin për t’u edukuar nga kujdestarët hebrenj. Sidoqoftë, në përputhje me këtë ajet, Profeti Muhamed nuk i lejoi ata që t’i kthenin me forcë fëmijët e tyre ose t’i konvertonin në Islam.

Për më tepër, Profeti Muhamed i lejoi priftërinjtë e Nexhranit të kryejnë lutjet e tyre në xhami dhe të diskutojnë apo predikojnë hapur fenë e tyre përpara dëgjuesve. Ai nënshkroi një dekret për ta ku thoshte: “Nuk do të ketë asnjë imponim mbi ta. Askush nuk mund të shkatërrojë shtëpitë e besimit të tyre, t’i dëmtojë, ose të marrë diçka prej tyre për ta dërguar në shtëpinë e tij. Ata janë aleatët e mi dhe kanë mbrojtjen dhe sigurinë time ndaj gjithçkaje që urrejnë.”

Barazia Racore

Shoqëria arabe paraislame ishte diskriminuese dhe e anshme ndaj joarabëve, njësoj si shoqëria amerikane deri në vitet 1960-të. Profeti arriti t’i evitonte dhe pastronte këto ndjesi primitive përmes ofrimit të shembullit personal. Shoku i tij më i ngushtë, Bilal bin Riba (një abisinian me ngjyrë) dhe Selam Farisiu (Persian) ishin të dy ish-skllevër të cilët arritën të fitojnë respekt të pamatë në shoqërinë e sapokrijuar muslimane. Në predikimin e tij të lamtumirës, testamentin e famshëm të fesë islame, Profeti deklaroi se “i bardhi nuk ka epërsi ndaj të ziut dhe as i ziu ndaj të bardhit, përveçse në devotshmëri dhe vepra të mira.”

Edukimi

Profeti deklaroi se nxënia apo të mësuarit është obligim për çdo musliman dhe muslimane dhe se ai që edukon dhe kultivon vajzat e tij me morale të larta do të hyjë në parajsë. Në shoqërinë e tij analfabete, ai nxiti pasuesit e tij të mësojnë të shkruajnë në mënyrë që të transmetonin mesazhin e Kur’anit sa më gjerë të ishte e mundur. Krejt në kundërshti me talibanët e sotëm që hedhin në erë shkollat e vajzave, ai u deklaroi pasuesve të tij se duhet të mësonin “gjysmën e fesë” nga bashkëshortja e tij, Aishja, dhe se dija është gjë e humbur e muslimanit, që duhet kërkuar qoftë edhe në Kinë.

Nuk është aspak për t’u çuditur që falë këtij inkurajimi dhe nxitjeje të vazhdueshme u ndërtua epoka e artë e shkencës islame gjatë të cilës u zhvillua mjekësia, astronomia, algjebra dhe filozofia, çka ndikoi edhe në formësimin e Rilindjes Evropiane.

Të drejtat e grave

Në shoqërinë paraislame, shumë paganë krenarë kryenin vrasje për arsye “nderi” dhe vrisnin foshnjat femra për të shpëtuar prej turpit që shoqëronte rritjen e tyre. Ndër reformat e ndërmarra nga Profeti a.s në shekullin e 7-të ishte edhe dhënia fund vrasjeve për arsye “nderi”, garantimi i të drejtës që gratë të vendosnin vetë për martesën e tyre, e drejta e tyre për të trashëguar pronën, për të kërkuar njëanshmërisht divorcin nëse bashkëshorti abuzonte me to, dhe për t’u martuar si vejushë ose e divorcuar. Disa nga këto të drejta as që ekzistonin në perëndim deri në fillim të shekullit të 20-të. Për më tepër, ndërsa bashkëshorti ishte i detyruar të garantonte ushqim dhe strehim për bashkëshorten e tij, kjo e fundit nuk ishte e detyruar të ndante pasurinë apo pronat e saj me bashkëshortin.

Kritikët e sotëm evidentojnë barbaritë në shoqëritë muslimane ku gratë detyrohen të mbulohen ose të marton me bashkëshortë të dhunshëm dhe që abuzojnë me to, pa gëzuar asnjë të drejtë. Si për ironi, dhuna ndaj grave sot është e ngjashme me atë që Profeti luftoi dhe arriti të ndalojë në shoqërinë e tij. Ndërsa shumë norma islame mbi modestinë e femrës janë vullnetare apo personale, kur bëhen të detyrueshme me ligj si në rastin e Arabisë apo Afganistanit, ato përbëjnë shkelje të parimit “nuk ka imponim ne fe” (2:256). Gjithashtu, vargu Kur’anor 2:283, sipas të cilit kur një grua dëshmon për çështje kontraktuale financiare duhet të ketë një shoqëruese që të verifikojë dëshminë e saj (për ta ndihmuar të rikujtojë dëshminë) keqinterpretohet duke u shndërruar në përgjithësimin sikur në çdo rast dëshmia e gruas vlen sa gjysma e dëshmisë së burrit.

“Konventa e Gjenevës” në Islam

Kur’ani e lejon luftën vetëm për garantimin e lirisë fetare ose për vetëmbrojtje (22:40). Vetë Profeti u dëbua nga qyteti i tij pasi predikoi fenë e tij, ndërsa ndjekësit e tij u persekutuan ose vranë dhe kufomat e tyre u gjymtuan. Megjithatë, ai e ndaloi hakmarrjen si princip dhe ndëshkimin e skllevërve, përveç kapjes së tyre rob gjatë luftimeve. Udhëzimet e tij për trajtimin njerëzor të robërve gjatë konflikteve ishin shembullore: asnjë grua, fëmijë, drejtues fetar, i moshuar apo të tjerë njerëz të papërfshirë në luftime nuk duhet të lëndoheshin. Të burgosurit dhe skllevërit duhet të ushqeheshin dhe të visheshin njësoj si muslimanët. Nuk është për t’u habitur që këto mësime kaq humane fituan shumë shpejt zemrat e armiqve të tij, çka mundësoi konvertimin e shpejtë të Arabisë në Islam.

Përhapja  globale e islamit dhe forca e tij tërheqëse i kushtohet reformave të Profetit Muhamed. Fatkeqësisht, përgjatë shekujve, mësimet e tij janë anashkaluar dhe dhunuar më shumë se në çdo lëvizje apo fe tjetër. Si rrjedhim, sjellja e pakëndshme e disa muslimanëve ekstremistë sot, shpesh vështirëson vendosjen e luftës së Profetit a.s në mbrojtje të kauzave humanitare në kontekstin e duhur.

Amaar Ahmed

Burimi: huffingtonpost.com

Leave a Reply