Përgëzimi i Profetit a.s për ardhjen e muajit të Ramazanit

Përgëzimi i Profetit a.s për ardhjen e muajit të Ramazanit

Ebu Hurejre (r.a.) transmeton se profeti (a.s.) ka thënë: “Ju erdhi muaji i begatë i Ramazanit. Në këtë muaj Allahu ua ka bërë obligim agjërimin. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e zjarrit të Xhehenemit, prangosen shejtanët. Në këtë muaj ka një natë që është më e mirë se 1000 muaj, ai i cili privohet nga e mira e kësaj nate është privuar shumë.”[1]

Shpjegimi i Hadithit

Ky hadith përgëzon besimtarët e devotshëm me ardhjen e muajit të begatë të Ramazanit. Profeti (a.s.) i lajmëron shokët e tij për ardhjen e këtij muaji të bekuar.Ai (a.s.) jo vetëm që i lajmëron ata për ardhjen e tij, por i përgëzon me ardhjen e një eventi mjaft të rëndësishëm, të cilin e vlerësojnë ashtu siç duhet vetëm myslimanët e devotshëm të cilët i kanë përveshur mëngët. Në këtë hadith Profeti (a.s.) e ka sqaruar mjaft mirë se çfarë mirësish ka përgatitur Allahu për robërit e Tij. Ai person i cili privohet nga mirësitë e Allahut në muajin e Ramazanit, realisht është privuar jashtëzakonisht shumë.

Është mirësi prej Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij që për çdo vit ka evente madhështore për të qenë trofeu i njerëzve të devotshëm dhe mejdani i atyre që kunkurojnë për punë të mira. Në këto evente njerëzit përpiqen për të bërë sa më shumë ibadet, të reflektojnë me veten për gabimet që kanë bërë dhe pse jo edhe të pendohen. Imam ibnu Rexhebi thotë: “Në çdo event prej këtyre eventeve madhështore ka një adhurim të caktuar nëpërmjet të cilit njeriu afrohet sa më shumë tek Allahu i Lartësuar. Në secilën prej këtyre eventeve ka një puhizë që prek robërit e Allahut me mirësinë dhe mëshirën e Tij. Njeri i lumtur është ai i cili i shfrytëzon në maksimum eventet mujore, ditore apo momentale dhe përpiqet maksimalisht për t’u afruar tek Zoti nëpërmjet këtyre adhurimeve. Ndoshta atë mund ta përfshijë një puhizë që e bën atë të lumtur e të jetë i sigurtë se Zjarri i Xhehenemit nuk e prek atë.”

Ardhja e Ramazanit është një mirësi e madhe për atë të cilin i jep hakun këtij muaji, për atë që agjëron ditën e falet natën, kthehet tek Zoti me adhurim duke i braktisur mëkatet, e përmend sa më shumë Krijuesin me dhikr pasi për një kohë shumë të gjatë kishte harruar me e përmend Atë, kthehet me gjithë zemër tek Allahu pasi zemra e tij ishte larguar nga Ai.

Myslimani duhet që shpirtërisht ta ndjejë mirësinë e kësaj begatie si dhe ta vlerësojë atë aq sa duhet. Sa e sa njerëz privohen nga agjërimi për shkak se vdesin përpara se të vijë Ramazani, apo nuk kanë mundësi të agjërojnë, apo janë në humbje. Prandaj ai i cili agjëron duhet të falënderojë Allahun për këtë mirësi, duhet ta presë këtë muaj me gëzim e hare ngaqë ai është muaji i adhurimit, të përpiqet që të bëjë sa më shumë punë të mira, t’i lutet Allahut që t’ia mundësojë agjërimin, faljen e namazeve (teravisë), që të jetë sa më aktiv, e të zgjohet pasi ka qenë i përgjumur për të shfrytëzuar në maksimum këtë event madhështor e të begatë me punë të mira.

Është e vërtetë që gjatë muajit të Ramazanit njeriu ka vështirësi, por megjithatë ai duhet të falënderojë Allahun dhe duhet ta shfrytëzojë kohën. Është për të ardhur keq, se një pjesë e mirë e njerëzve nuk ia dinë vlerën këtyre eventeve madhështore. Për këta njerëz muaji i Ramazanit nuk është muaji i adhurimit, leximit të Kur’anit, sadakasë e përmendjes së Allahut. Madje ky muaj për disa njerëz është shumëllojshmëria e ushqimeve dhe pijeve në tryezë. Disa të tjerë natën e gdhijnë ndërsa gjatë ditës flenë, saqë ka dhe prej atyre që nuk e falin namazin farz me xhemat. Disa të tjerë kujtojnë se Ramazani është një event i kësaj bote dhe jo i botës tjetër. Kështu që ata përveshin mëngët në shitblerje duke harruar të vijnë në xhami. Edhe nëse falen në xhami ata nxitojnë. Kështu pra, ekuilibrat janë prishur dhe nocionet kanë ndryshuar për këta njerëz. Allahu na ndihmoftë!

E nga mund ta dijë njeriu se ky mund të jetë Ramazani i fundit që ai agjëron. Sa burra, gra dhe të rinj kanë agjëruar bashkë me ne në Ramazanin e kaluar? E ata tani janë në botën e përtejme. Menduan dhe shpresuan se do të agjëronin përsëri. Edhe ne do të jemi në rrugën e tyre. Kështu që, myslimani duhet të gëzohet me eventin e adhurimit e nuk duhet të neglizhojë aspak, por duhet të përpiqet sa më shumë që dobia që i vjen të jetë e përhershme dhe të lërë gjurmë. Ditët e Ramazanit janë të numëruara dhe mbarojnë shumë shpejt.

[1] Transmetojnë imam Ahmedi dhe En Nesai. Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë sipas Ahmed Shakirit dhe imam Albanit.

Elton Harxhi

Burimi: ardhmeriaonline.com

Leave a Reply