Një perspektivë e krishterë mbi xhihadin

Një perspektivë e krishterë mbi xhihadin

-Craig Considine

Politikanët dhe aktivistët antimuslimanë shpesh shfrytëzojnë audiencën dhe portalet në internet për të kritikuar termin “xhihad” si një formë të supremacisë islame, të shtypjes dhe dhunës. Ekstremistët muslimanë, nga ana tjetër, thonë se “xhihadi” nënkupton “luftën e shenjtë” kundër jomsulimanëve. Nëse e konsiderojmë termin “xhihad” vetëm përmes këtyre lenteve, do të thotë se po luajmë lojën e ekstremistëve që anashkalojnë qëllimisht elementët e tjerë thelbësorë që përfshin koncepti i “xhihad”-it.

Në islam, “xhihadi” ka disa komponentë të ndryshëm, që përfshijnë përpjekjet personale, të tilla si lufta kundër varësive; betejat sociale, të tilla si përpjekjet për të qenë tolerant ndaj të tjerëve; dhe më rrallë, ky term nënkupton betejat ushtarake kur kryerja e tyre është e nevojshme për vetëmbrojtje. Kur u pyet, “Cili është xhihadi i madh?”, Muhamedi u përgjigj: “Xhihadi i vetes (lufta kundër egos dhe individualizmit, kundër veseve dhe eshpeve).” Në kundërshtim me retorikën dhe keqinformimim mbi “xhihadin” të përhapur nga rrjetet kundër muslimanëve, Muhamedi nuk tha se luftrat e dhunshmë janë forma më e rëndësishme e “xhihad”-it.

Keqkuptimet që ziejnë në Amerikë dhe përtej saj mbi “xhihadin”, më kanë nxitur ta analizoj atë nga perspektiva e një të krishteri. Në këtë artikull do të përpiqem të bëj dy gjëra – të eksploroj sesi format e “xhihadit” janë prezente edhe në krishtërim dhe të evidentoj mënyra të qasjes ndaj “xhihadit” në tekstet islame dhe të krishtera. Kështu mund të zbulojmë karakteristika të përbashkëta “të xhihadit” në mënyrë që të krishterët dhe muslimanët të ndërtojnë ura mirëkuptimi dhe tolerance mes tyre.

Edhe pse termi “xhihad” nuk përdoret literalisht në tekset e shenjta të krishtera, ideja e përpjekjes (luftës) është në zemër të krishtërimit. Ka disa pasazhe në Testamentin e Ri të cilat ofrojnë udhëzim për të krishterët që ndeshen apo luftojnë me probleme dhe dilema të ndryshme në jetët e tyre.

Një nga aspektet e “xhihadit” të krishterë është mosushtrimi i dhunës. Kur ushtarët romakë arrestuan Jezusin dhe e dërguan tek Pons Pilati, njeriut që ndihmoi në kryqëzimi e tij, Jezusi i tha: “Mbretëria ime nuk i përket kesaj bote. Po të mos ishte kështu, dishepujt e mi do të luftonin për të ndaluar arrestimin tim nga hebrenjtë. Por tashmë mbretëria ime është nga një vend tjetër.” (Gjoni 18:35-36) Siç shikojmë, dhuna është në antitezë me mësimet e Jezusit. Ai nuk u kërkoi pasuesve të tij të rrëmbenin armët për të shfaqur përkushtimin ndaj mësimeve të tij. Në të vërtetë, ai bëri krejt të kundërtën. Tek Mateu (26:53), Jezusi i tha pasuesve të tij “…të gjitha ata që ngrenë shpatat, do të zhduken prej shpatave.” Jezusi, siç mund të shikoni, inkurajoi dishepujt e tij të luftonin kundër dëshirës për të përdorur forcë kur ndiheshin të frustruar apo të dhunuar.

Ngjashëm, edhe shkrimet e shenjta islame i inkurajojnë muslimanët të përpiqen kundër përdorimit të dhunës. Kur’ani (5:32), për shembull, shprehet “…Nëse dikush vret një person me pa të drejtë është njësoj si të ketë vrarë të gjithë njerëzimin: dhe nëse dikush shpëton një jetë është njësoj si të ketë shpëtuar të gjithë njerëzimin.” Në një tjetër pasazh kur’anor (2:190), muslimanëve u thuhet: “Luftoni në emër të Zotit ata që ju luftojnë të parët, por mos i tejkaloni kufijtë (ose të filloni ju sulmin); sepse Zoti nuk i do ata që i tejkalojnë kufijtë.” Është e qartë se këto dy pasazhe reflektojnë parimet e “xhihadit” të krishterë në emër të të qenit kundër dhunës.

Një tjetër element i “xhihadit” të krishterë është shfaqja e dashurisë për ata që të rrethojnë. Jezusi do që të krishterët të duan fqinjët e tyre, madje përtej kësaj, të duan armiqtë e tyre, një mësim që shfaqet tek Luka (6:27). Tek Mateu (5:9), shkruhet se ata që vendosin paqe janë të bekuar, “sepse ata do të quhen bij të Zotit”. Testamenti i Ri kërkon që të luftojmë për arritjen e paqes, edhe nëse kjo do të thotë të falësh armiqtë e tu më të egër që duan të të lëndojnë.

Kur’ani gjithashtu u kërkon muslimanëve të zbulojnë rrugët që sigurojnë paqe në vend të luftës. Muslimanët janë të detyruar të flasin mirë për të tjerët edhe nëse ata nuk besojnë në islam. Në Kur’an (17:53-54), shkruhet se muslimanët duhet të flasin “në mënyrë më të bukur dhe më të mirë me ata që nuk ndajnë të njëjtin besim”. Është e pamundur që një musliman të detyrojë dikë tjetër të besojë në islam, siç Kur’ani (2:256) thotë, “nuk ka imponim (dhunë) në fe”. Në këtë kontekst, “xhihadi” është përpjekje për të trajtuar jomuslimanët me respekt dhe dinjitet.

“Xhihadi” i krishterë u kërkon të krishterëve të mos “hakmerren ndaj të keqes me të keqe”. Tek Romakët (12:17), të krishterëve u kërkohet të jetojnë në paqe me të gjithë. Njerëzit që e quajnë veten të krishterë, në vend të thirrjeve për bojkotimin e islamit dhe nxitjes së urrejtjes ndaj muslimanëve, duhet t’i përmbahen kërkesës së këtij vargu dhe të kërkojnë mënyra për të ndërtuar ura paqeje dhe jo të ndezin flakët e urrejtjes dhe fanatizmit. Në mënyrë të ngjashme, muslimanët që thërrasin për “xhihad” duhet të kujtojnë se Kur’ani (4:9) u kërkon muslimanëve t’i lënë të tjerët të qetë nëse ata nuk u kundërvihen: “…mos i luftoni nëse ata ju ofrojnë paqe, sepse Zoti nuk ju jep asnjë justifikim të luftoni kundër tyre.”

“Xhihadi” i krishterë mund të eksplorohet më tej në urtësinë e lënë nga dishepujt e Jezusit. Pjetri, për shembull, konsiderohet si “gurthemeli” i kishës së Jezusit sepse foli mbi luftën e ruajtjes së besimit të krishterë me çdo kusht. Tek Pjetri (3:14), ai deklaron “…bëni çdo përpjekje për të qenë pa njolla dhe pa faje, në paqe me Jezusin.” Në këtë varg, Pjetri është duke theksuar një nga qëllimet themelore të krishtërimit – shmangi veprat e këqija dhe mëkatet. Një i krishterë i vërtetë, si Pjetri, kujdesej më shumë për të frenuar veten nga teprimet dhe shkeljet e të drejtave të të tjerëve dhe nuk i sulmonte të tjerët për mëkatet që kryenin. Ai i inkurajonte të krishterët të luftonin për të tejkaluar dilemat e tyre personale përpara se të ankoheshin dhe të kundërshtonin gabimet e të tjerëve. Në thelb, ai besonte se progresi i ka rrënjët tek aftësia individuale për të ndryshuar qëndrim dhe sjellje në përpjekje (luftë) për t’ju përmbajtur mësimeve të Jezusit.

Theksimi i të mirës dhe kërkimit të dijes nga ana e Pjetrit, i ngjason vëmendjes që Kur’ani i kushton vazhdimisht “ilm”-it, termit arab për dijen. Vërtet, asnjë religjion në botë nuk i kushton aq shumë rëndësi dijes sa Islami. Në Kur’an, dija përmendet më shumë se 700 herë.

Në Kur’an (58:11), Zoti lartëson “…ata që janë të dijshëm”. Muhamedi thekson rëndësinë e dijes edhe në një hadith, apo thënie të tij, në të cilët shprehet “Kërkimi i dijes është detyrë e çdo muslimani dhe muslimaneje, nga djepi deri në varr, në çdo cep të botës qoftë ajo.” Në një tjetër hadith Muhamedi thotë: “Boja e kalemit të dijetarit është më e shenjtë se gjaku i martirit.”

Jezusi, njësoj si Muhamedi, u mësoi pasuesve dhe besimtarëve të ardhshëm se lufta, përpjekjet apo “xhihadi” është një element themelor i besimit të krishterë. Ai u mësoi dishepujve të tij “ të luftojnë për t’u futur në portën e ngushtë…” që pasqyron nocionin popullor mes muslimanëve të qëndrimit “në rrugën e drejtë” dhe praktikimit të islamit në mënyrën më të mirë. Si përfundim, të krishterët dhe muslimanët udhëzohen nga shkrimet e tyre të shenjta që të ngulmojnë në përpjekjet dhe betejat e tyre. Ata inkurajohen të luftojnë në këtë botë, të ruajnë besimin në Zot, në shkëmbim të një shpërblimi më të madh kur të mbërrijë fundi i pashmangshëm i kësaj bote.

Në esencë, muslimanët dhe të krishterët ndajnë një “xhihad” të përbashkët. Ky nuk është një “xhihad” i dhunës, por i dashurisë për njëri-tjetrin, i perfeksionimit të shpirtrave dhe i kërkimit të dijes.

Burimi:huffingtonpost.com

Leave a Reply