Në gjurmët e Profetit: Feja jonë ngrihet mbi dashurinë

Në gjurmët e Profetit: Feja jonë ngrihet mbi dashurinë

-Idriz Teufik

Allahu i madhërueshëm nuk ka imponuar mbi muslimanët një mënyrë të caktuar jetese që t’ua bëjë jetën të vështirë për shkaqe arbitrare dhe të paarsyeshme.

Të marrim shembullin e një djali të ri musliman të quajtur Ahmed që studion në universitet.

Mbrëmjen e një të premteje, shokët jomuslimanë e ftojnë Ahmedin të shkojë me ta në disko. “Do të pijmë disa birra dhe do të njihemi me ndonjë vajzë.”, i thonë ata. “Ç’të keqe ka këtu?”

“Nuk mund të vij”, thotë Ahmedi me butësi dhe ngurrim. “Unë jam musliman!”

Është e qartë se Ahmedit nuk i ka shpjeguar askush pse si musliman që është, nuk mund të shkojë në disko, të shoqërohet me vajza dhe të konsumojë alkool. Për të, Islami është shndërruar në një paketë rregullash dhe urdhërash që i kufizojnë argëtimin. Ai nuk e kupton se pas çdo mësimi islam ekziston një arsye, një arsye e fortë që është në dobinë e tij.

Të ndryshojmë shembullin dhe idenë.

Imagjinoni sikur dikush shkon në qytet dhe blen një celular. Ai do të tregohej vërtet i paarsyeshëm nëse e merr telefonin dhe nuk lexon udhëzimet që e ndihmojnë si ta përdorë në mënyrën e duhur dhe më eficiente.

Është mëse e qartë që udhëzuesi i prodhuesit të celularit do ta ndihmojë ta arrijë këtë. Nëse nuk zbaton udhëzimet, ai mund të shkatërrojë baterinë ose të dëmtojë celularin në ndonjë mënyrë tjetër.

Muslimanët janë pikërisht të tillë. Krijuesi i gjithçkaje, jo thjesht i një celulari, na ka dhënë udhëzime si ta jetojmë këtë jetë në mënyrën e duhur dhe të trashëgojmë amëshimin në parajsë.

E megjithatë, shpesh në zgjedhim ta injorojmë hartuesin e udhëzuesit, duke preferuar të bëjmë sipas dëshirës tonë, edhe pse Allahu na njeh më mirë nga ç’njohim vetet tona.

Pavarësisht kësaj, ne shpesh mendojmë se i gjithë informacioni që kemi marrë mbi Islamin, të gjitha orientimet dhe udhëzimet mbi mënyrën si duhet ta shpenzojmë jetën tonë, nuk janë në interesin tonë më të mirë. Duket sikur gjithë sa kemi mësuar nuk ka ndikuar thellë mbi karakterin tonë. Sikur është thjesht informacion që nuk pasqyrohet në jetën tonë.

Allahu i gjithëfuqishëm i ka folur krijesave të tij përgjatë gjithë historisë. Shpallja e tij e fundit ndaj njerëzimit, Kur’ani, vlen për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohërat. Në vargjet e tij të mrekullueshme mësojmë se Allahu është kujdesur për ne qysh në fillimin e kohërave.

Përveç Kur’anit, ne kemi edhe një burim tjetër shpalljeje; jetën dhe mësimet e Profetit a.s. Bashkëshortja e tij më e re, Aishja r.a, u pyet si do ta përshkruante karakterin e tij dhe ajo tha se ai ishte si “Kur’an që ecte mbi tokë”. Në çdo hap që hidhte dhe në çdo fjalë që fliste, Profeti a.s përmbushte mësimet e Kur’anit dhe ju tregonte muslimanëve si të vinin në jetë mësimet e tij.

Jeta dhe mësimet e Profetit a.s, ose tradita e tij (suneti), është traditë e dashurisë. Jeta dhe thëniet e Profetit a.s plotësojnë kuptimin tonë mbi shpalljen e Allahut duke na treguar se dashuria e thellë për Allahun dhe përkujdesja ndaj njëri-tjetrit përbën thelbin e Islamit.

Asnjë informacion, udhëzues apo rregullore nuk do të na printe në rrugën e duhur pa shembullin udhëçelës të Profetit a.s. Në të vërtetë, një peshkop nga Lindja e Mesme njëherë tha se do ta pranonte me kënaqësi që ligji islam të implementohej në vendin e tij, me kushtin e vetëm që zbatimi të bëhej në përputhje me praktikën e Profetit a.s.

E gjithë dija që përvetësojmë duhet të shoqërohet përpjestimisht me njohjen e mënyrave sesi Profeti a.s e vinte në jetë atë.

Në zemër të Islamit është mënyra si flasim për Zotin e gjithëfuqishëm, Allahun. Në të gjithë Kur’anin ne shikojmë se Ai është i mëshirshëm dhe i dhembshur. Këtë nuk e themi ne, por Allahu e thotë për veten e tij. Ai e përshkruan veten si të Mëshirshëm dhe të Dhembshur. Prandaj, pa më të voglin dyshim, si ndjekës të të Mëshirshmit dhe të Dhembshurit, ne duhet të përpiqemi të tregohemi të mëshirshëm dhe të dhembshur në çdo gjë që bëjmë.

Gjatë jetës së tij, Profeti Muhamed a.s i afroi të tjerët tek vetja dhe në Islam përmes sjelljes së dashur dhe plot respekt.

“Edhe buzëqeshja ndaj vëllait tënd është bamirësi. Edhe largimi i gurit nga rruga ku kalon vëllai yt është bamirësi.”, transmetohet që të ketë thënë ai. (Tirmidhiu)

Bamirësia e përshkuar nga dashuria është zemra e Islamit.

Profeti a.s na ofron shembullin e një gruaje që do të hyjë në xhenet sepse i dha për të pirë ujë një qeni. Një qeni! Por sa të tjerë do të futen në parajsë, nëse tregohen të butë dhe bujarë me nevojtarët përreth tyre?

Duke ngritur lart dhe bashkuar dy gishtat e tij, Ai (a.s) tha se personi që kujdeset për jetimin do të futet në xhenet përkrah tij, duke qëndruar aq afër sa ato dy gishta.

Të njëjtat motive dashurie dhe dhembshurie përsëriten pareshtur në jetën e tij. Dashuria dhe respekti ndaj prindërve do të na dërgojë në parajsë. Dashuria për nënën do të na dërgojë në parajsë. Trajtimi me dashuri dhë butësi i gruas do ta dërgojë bashkëshortin në parajsë.

Dashuria dhe butësia janë në qendër të asaj që muslimanët besojnë. Ata, mund të mos kenë imazhe artistike të Profetit të tyre të rrethuar nga re të fryra dhe fëmijë të vegjël në këmbët e tij, apo skulptura të tij ndërsa vuan mbi kryq për mëkatet e të tjerëve, por besimi i tyre në të jetuarit për t’i shërbyer njerëzve, njësoj si Profeti a.s, është i palëkundshëm. Bindja e tyre në dashurinë e tij të thellë ndaj Allahut është e paluhatshme.

Si muslimanë ne jemi të detyruar të studiojmë në thellësi fenë tonë, duke mbledhur sa më shumë informacion që të mundemi. Pjesë e këtij studimi duhet të jetë edhe jeta e Profetit Muhamed.

Nëse studenti jonë, Ahmedi, do t’i kishte mësuar këto gjëra, do të dinte se Allahu kujdeset pafundësisht për ne dhe se Islami na mundëson mënyrën më të mirë të të jetuarit.

Në të vërtetë, Islami të mundëson një jetë të plotë, në të gjitha dimensionet e saj.

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply