Në ç’moshë u martua Aishja r.a me Profetin a.s?

Në ç’moshë u martua Aishja r.a me Profetin a.s?

– Dr. Resit Haylamaz

 

Një nga çështjet më të debatuara mbi jetën e Profetit a.s është martesa e tij me Aishen r.a dhe mosha e saj në kohën e martesës.

Keqinterpretimi i moshës së saj ka shërbyer si argument kryesor në fushatat e mëdha të organizuara kundër Profetit a.s. Publikimi më i fundit që merret me këtë çështje është “Xhevahiri i Medinës” nga gazetari Sherry Jones, një novelë mbi jetën e Aishes. Kjo novelë ngjalli aq shumë kundërshti sa shtëpia botuese Random House, shprehu dëshirën ta shtynte publikimin për një datë më të vonë me frikën se përmbajtja e novelës mund të shkaktonte trazira.

Raportimet sipas të cilave Aisha bint Ebu Bekr ishte 6 ose 7 vjeç në moshën kur u fejua dhe 10 vjeç kur u martua kanë qenë faktori kryesor në formimin e bindjes për martesën e saj të hershme. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se edhe faktorë të tillë si shpërhapja e gjerë e praktikave të tilla në kohën për të cilën flasim dhe zhvillimi i hershëm fizik i fëmijëve kanë ndikuar në përhapjen e kësaj pikëpamjeje. Për këtë arsye, diskutimet mbi këtë çështje i përkasin kohëve të fundit.

Orientalistë të cilët nuk marrin në konsideratë kushtet e kohës në të cilën martesa ka ndodhur dhe që e ekzaminojnë Islamin nga burime të jashtme e kanë sjellë këtë çështje në rend të ditës. Reagimi i botës islame ndaj këtyre qëndrimeve ka qenë i përzier. Ndërsa disa kanë këmbëngulur se mosha e lartpërmendur është e saktë, të tjerë janë të mendimit se Aisha r.a ishte më e madhe. Në këtë situatë, ku jo gjithmonë është e mundur të mbahet një qëndrim i ekuilibruar, ndaj pretendimeve orientaliste janë ofruar disa kundërpërgjigje, përfshi edhe ata që kanë zgjedhur të mohojnë raportimet mbi moshën e Aishes r.a ose të injorojnë ekzistencën e një tjetër alternative si përgjigje ndaj këtyre pretendimeve.

Pikë së pari, duhet të pranojmë se çdokush konsiderohet fëmijë sipas traditave dhe kontekstit kulturor në të cilin jeton, prandaj këto elementë duhet të mbahen parasysh përpara se të bëjmë vlerësime tw mëtejshme. Çdo shoqëri ka një paketë vlerash të cilat formojnë zakonet e asaj shoqërie, dhe nëse duam të vlerësojmë atë objektivisht atëherë duhet t’i marrin në konsideratë. Përndryshe, nëse orvatemi t’i vlerësojmë ngjarjet historike duke iu referuar kushteve të sotëm jemi të destinuar të gabojmë.

Është më se e njohur se në kohën e Profetit Muhamed a.s, shumë vajza martoheshin në moshë të hershme dhe ndryshimet moshore mes mashkullit dhe femrës nuk përbënin shqetësim. Veçanërisht sa i përket vajzave të reja, nuk duhet të harrojmë se presioni social ishte i madh, sepse ato piqeshin herët falë kushteve klimaterike dhe gjeografike dhe duhet të ‘rriteshin’ në shtëpinë e bashkëshortit. Për më tepër, kjo nuk vlente vetëm për vajzat, djemtë gjithashtu martoheshin në moshën 8, 9, dhe 10 vjeçare duke u shndërruar në kryefamiljarë në një moshë që sot konceptohet si shumë e hershme. Ndoshta është kultura që përbën shtratin e kësaj çështjeje që nuk është shtruar për diskutim më herët. Përndryshe, është e pamundur që me mentalitetin e tyre ndaj Profetit a.s, kundërshtarët e tij që gjetën rast të akuzonin për shkak të martesës së tij me Zejneb bint Jahsh dhe të shpifnin për Aishen r.a pas kthimit të saj nga ekspedita e Murajsit, të mos e kritikonin atë për këtë martesë.

Në ajetet Kur’anore të zbritura në atë kohë, përcaktohet se vajzat duhet të martohen kur të arrijnë moshën e pjekurisë seksuale. Kundërshtimi i urdhrit hyjnor sigurisht që as nuk mund të mendohej. Duke përdorur mentalitetin e Umerit, nëse kjo do të ishte çështje vlerësimesh të lira, Profeti a.s sigurisht që do të ishte paralajmëruar në shpalljen e ardhshme dhe do të merrte masa për të zgjidhur çështjen. Sipas çdo interpretimi të mundshëm, martesa e Profetit a.s me Aishen r.a u krye në përputhje me udhëzimet hyjnore.

Tani, nëse dëshironi të lëmë mënjanë qëndrimet ekstremiste dhe të përdorim kritere të moderuara dhe objektive, le t’i shqyrtojmë sërish burimet që flasin mbi moshën e martesës së Aishes r.a.

  1. Në listat e Muslimanëve gjatë ditëve të para të Islamit, emri i Aishes, së bashku me atë të motrës së saj më të madhe Esmës, renditen menjëherë pas emrave të Sabikun al-Aulan (muslimanëve të parë) si Uthman ibn Affan, Zubejr ib Auam, Abdurrahman ibn Auf, Sa’d ibn Uekas, Talha ibn Ubaydulla, Abu Ubayda ibn Xherrah, Arqam ibn Abi al-Arkam dhe Uthman ibn Maz’un. Duke qenë personi i 18-të që ka pranuar Islamin, emri i Aishes gjendet përpara emrave të Umejr ibn Abi Uekas, Abdullah ibn Mesud, Salit ibn Amr, Xhafar ibn Abi Talib, Abdullah ibn Jahsh, Abu Hudhejfe, Suhejb ibn Sinan, Ammar bin Jasir, Umar ibn Khattab, Hamza inb Abdilmutalib, Habab ibn Arat, Said inb Zaid dhe Fatima bint Khatab. Kjo do të thotë që në këtë kohë ajo ishte në moshë të pjekur dhe mund të merrte vendime të tilla me vullnetin e saj të lirë. Për më tepër, informacioni në transmetimet e ndryshme sipas të cilëve “ajo ishte vajzë e re” tregon që emri i saj është përdorur në mënyrë të ndërgjegjshme dhe nuk është përfshirë gabimisht në listë.

Bëhet fjalë për ditët e para të Islamit. Gjithashtu dihet se motra e Aishes, Esma, që kishte lindur në vitin 595, ishte 15 vjeçe kur pranoi Islamin. Kjo tregon se në vitin 610, kur Profetit a.s filloi t’i zbriste shpallja, Aisha ishte të paktën 5, 6 ose 7 vjeçe dhe se kur u martua me Profetin a.s në Medinë duhet të ketë qenë 17 ose 18 vjeçe.

  1. Në lidhje me ditët e kaluara në Mekë, Aishja thotë: “Vazhdoja akoma të luaja me lodra kur Profetit a.s i zbriti ajeti, ‘Vërtet, ora e fundit është afati i tyre. Ora e fundit do të jetë e trishtw dhe e hidhur.’ (Kamer 54:46) Ky informacion hap dyert e diskutimeve në lidhje me moshën e saj.

Ajeti në fjalë i përket sures Kamer, kaptinës së 54-t të Kur’anit që flet mbi mrekullinë e çarjes së hënës (një nga mrekullitë e Profetit a.s). Surja u shpall në tërësi në kohën kur Profeti a.s ishte në shtëpinë e Ibn Arkamit në vitin e katërt (614), të tetë (618) ose të nëntë (619) të misionit të tij, sipas transmetimeve të ndryshme. Për arsye praktike disa dijetarë janë fokusuar në datën 614. Nëse i referohemi kësaj date atëherë i bie që Aishja ose nuk ka lindur akoma ose sapo ka lindur. Nëse nuk i referohemi kësaj datë atëherë rezulton se ajo duhet të ketë lindur të paktën 8 ose 9 vite më parë. Nuk ka ndonjë ndryshim rrënjësor pavarësisht nëse i referohemi datës 618 ose 619. Në rastin e dytë ajo duhet të ketë qenë 4 ose 5 vjeç, një moshë në të cilën ajo nuk mund të ishte në gjendje ta kuptonte zbritjen e ajeteve Kur’anorë dhe t’i rikujtonte pas disa vitesh. Sipas alternativës së dytë, ajo me shumë mundësi duhet të kishte lindur kur Muhamedi a.s filloi profetësinë e tij.

Një tjetër çështje që vlen të përmendet është se kur përshkruan atë ditë Aishja r.a thotë: “Vazhdoja akoma të luaja me lodra.” Fjala që ajo përdor për të përshkruar veten është “jarija”, një fjalë që shërben për të etiketuar kalimin në pubertet. Ibn Jara, një poet arab, e përshkruan pasazhin në këtë mënyrë: “Kur një vajzë bëhet 8 vjeç ajo nuk është më jarija”. Në këtë moshë vajza konsiderohej si kandidate për martesë. Ndërsa disa dijetarë të tjerë thonë se termi përdoret për vajzat që janë mbi 11 vjeç.

Nëse pranojmë se surja Kamer është shpallur në vitin 614, Aishja duhet të ketë lindur të paktën tetë vjet përpara fillimit të misionit profetik, ose në vitin 606. Nëse pranojmë vitin 618, atëherë viti i lindjes duhet të ketë qenë 610. Kjo e bën të pamundur faktin që ajo të ketë qenë 9 vjeç në moshën kur u martua.

Nëse ky informacion kombinohet me praninë e emrit të saj në listën e muslimanëve të parë, arrijmë në rezultatin se datëlindja e saj duhet të ketë qenë rreth vitit 606. Si rrjedhim, ajo duhet të ketë qenë të paktën 17 vjeçe në kohën e martesës.

  1. Sigurisht që kujtimet e Aishes për periudhën e Mekës nuk kufizohen vetëm në këtë hadith. Kujtimet e saj gjithashtu konfirmojnë:

a)      Se ajo kishte parë dy persona që kishin mbetur në Mekë nga viti i elefantit duke lypur. Kjo ngjarja ka ndodhur 40 vjet përpara fillimit të profetësisë dhe shërbente si moment i rëndësishëm historik të cilin arabët e përdornin pwr referencë.

b)      Ajo përshkruan se gjatë kohëve të vështira në Mekë, Profeti i Zotit shkonte në shtëpinë e saj paradite dhe pasdite dhe se i ati, Ebu Bekri, ishte përpjekur të shkonte në Abisini.

c)      Deklarimit të saj sipas të cilit fillimisht ishin të detyrueshme dy falje ditore dhe më pas për banorët u bënë katër, ndërkohë që gjatë fushatave ushtarake numri i faljeve të detyrueshme mbeti i njëjtë.

d)      Në raportimet mbi kohët e hershme thuhej se “Isafi dhe Naila kishin kryer një krim në Qabe dhe për katë arsye Zoti i kishte shndërruar në gurë si burrë dhe grua nga fisi Xhurhum.”

  1. Ndjesia e të qenit e fejuar përpara fejesës: Një tjetër faktor që mbështet këndvështrimin e mësipërm është se në kohën kur martesa e Profetit a.s ishte çështje në diskutim e sipër, Aisha ishte në negociata për fejesë me djalin e Mut’im ibn Adij. Sugjerimi që të martohej me Aishen, Profetit a.s i erdhi nga Haula bint Hakim, gruaja e Uthman ibn Mauzinit, që nuk ishte pjesë e familjes së tij. Të dyja këto situata tregojnë se ajo kishte arritur moshën e fejesës dhe se komunitetit e konsideronte si kandidate për martesë.

Siç dihet, fejesa nuk u realizua sepse familja e Ibn Adijit refuzoi për shkak të frikës së pranimit të Islamit nga djali i tyre. Fejesa e Aishes r.a me Profeti a.s u krye pas kësaj ndodhie. Si rrjedhim, marrëveshja për t’u martuar u arrit përpara fillimit të misionit profetik ose pasi thirrja në islam ishte bërë publike (tre vite pasi Profetit i filloi zbritja e shpalljes). Nëse marrëveshja është arritur përpara fillimit të misionit, së bashku me idenë që Aishja ishte 9 vjeçe në moshën kur u martua, tashmë të tronditur nga themelet, rezulton se Aishja ka lindur më herët nga ç’mendohet. Për këtë arsye disa thonë se ajo ishte 13 ose 14 vjeç në atë kohë.

Nuk duhet të lëmë mënjanë faktin se ky vendim u morr gjatë kohës që Islami kishte filluar të predikohej publikisht. Kjo përkon me vitet 613-614. Nëse supozohet se Aishja ka lindur katër vjet pas fillimit të misionit profetik, atëherë rezulton se në këtë kohë ajo akoma nuk kishte lindur prandaj është e pamundur të flasim për një marrëveshje martesore në të tilla rrethana. Në këtë rast duhet të pranojmë se ajo ishte të paktën 7 ose 8 vjeç kur u prish fejesa me djalin e Ibn Adijit, prandaj duhet të ketë qenë viti 605.

Duhet të përmendim edhe një mundësi të fundit, atë të ekzistencës së një marrëveshjeje martesore të hershme të pranuar nga prindërit e fëmijës menjëherë pas lindjes. Megjithatë, nuk ekzistojnë të dhëna që e mbështesin këtë variant.

 

Dr. Resit Haylamaz është editor i shtëpisë botuese Kaynak Publishing Group.

 

 

 

 

Leave a Reply