Mëshira e Profetit a.s ndaj kafshëve

Mëshira e Profetit a.s ndaj kafshëve

Mëshira e Profetit a.s shtrihet përtej njerëzimit, duke përfshirë kafshët, bimët, madje edhe sendet e pashpirt.

Njëherë, Profeti a.s u tha shokëve të tij:

“Ndërsa një burrë ishte duke ecur, e mori etja, prandaj zbriti në një pus dhe piu ujë në të. Kur doli jashtë, pa një qen që po gulçonte duke ngrënë dheun për shkak të etjes së madhe. Burri tha me vete, ‘Kjo krijesë është duke vuajtur njësoj si unë deri para pak çastesh’, prandaj ai zbriti në pus, mbushi këpucën me ujë dhe e shtrëngoi mes dhëmbëve ndërsa me duar u kacavirr për të dalë nga pusi, për t’i dhënë qenit ujë. Allahu e vlerësoi këtë veprim dhe ia fali mëkatet e tij.”
Sahabët e pyetën Profetin a.s: “O I Dërguar i Allahut, a ka shpërblim edhe për dhembshurinë e treguar ndaj kafshëve?”

Profeti a.s u përgjigj:

“Shpërblim ka në shërbimin ndaj çdo krijese.” (Buhariu dhe Muslimi)

Bazuar në këtë parim, sipas të cilit shërbimi ndaj çdo krijese shpërblehet, Profeti a.s mund të konsiderohet si pararendësi i çdo organizate dhe shoqate që ka si objektiv mbrojtjen e kafshëve dhe trajtimin e tyre me dhembshuri.

Ai u parapriu të tilla shoqatave me disa qindra vite kur tha:
“Një grua u ndëshkua për shkak të një maceje. Ajo e mbylli atë dhe për këtë hyri në ferr. Nuk i la as ushqim dhe as i lejoi që të kërkonte vetë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Me këtë histori Profeti a.s donte t’i mësonte shokët e tij të tregoheshin të dhembshur ndaj kafshëve dhe t’i trajtonin mirë ato. Ai u mësoi atyre se vrasja e një kafshe pa një arsye të ligjshme, ose shkaktimi i vdekjes duke i pamundësuar të ushqyerit, mund të të çonte drejt ferrit. Kjo është një histori e pashembullt dhe unike ndër ligjet njerëzore dhe sistemet që qeverisin botën.

Ai gjithashtu paralajmëroi ndaj vrasjes së kafshëve pa arsye duke thënë:

“Çdo person që vret pa arsye një zog, apo ndonjë tjetër gjallesë më të madhe, do të japë llogari përpara Allahut në Ditën e Gjykimit.”
Dikush e pyeti: “O I Dërguari i Allahut, kur është e arsyeshme një vrasje e tillë?”
Ai u përgjigj: “Kur vritet për t’u ushqyer me të, jo thjesht për t’i prerë kokën dhe për ta hedhur.” (Nesaiu)

Profeti a.s urdhëroi për butësi dhe mëshirë edhe gjatë therjes së kafshëve. Ai thotë:

“Në të vërtetë, Allahu ka urdhëruar për mirësi dhe saktësi në çdo gjë. Prandaj kur vrisni një kafshë, vriteni mirë, dhe kur ta therni, thereni mirë. Mprihni thikën dhe kursejani vuajtjet kafshës që do të therni. “

Një dijetar tregon se disa perëndimorë kishin pranuar Islamin pasi kishin mësuar mbi metodën islame të therjes së kafshëve, çka vërteton perfeksionin e këtij religjioni në çdo aspekt jetësor.

Profeti gjithashtu ka thënë:

“Mos përdorni si shënjestër asgjë që ka shpirt.” (Buhariu dhe Muslimi)

Profeti a.s na porositi të mos shenjëstrojmë qenie të gjalla, pasi kjo është në kundërshtim me sjelljen e mëshirshme që duhet të jetë pjesë e karakterit të besimtarit.

Profeti a.s e ndalonte padrejtësinë dhe abuzimin ndaj kafshëve dhe i kushtonte shumë rëndësi kësaj çështjeje. Njëherë, ai hyri në një kopsht që i përkiste një burri nga Ensarët. Aty gjeti një deve, e cila kur e pa vajtoi dhe nga sytë i dolën lot. Profeti a.s iu afrua, i preku kokën dhe kafsha u qetësua. Pastaj ai tha: “Kush është pronari i kësaj deveje?” Ensari iu përgjigj: “Unë o I Dërguari i Allahut!” Profeti i tha atij: “Nuk i frikësohesh Allahut për këtë kafshë që Ai ta ka dhënë në pronësi? Më është ankuar se ti e lë pa ushqim dhe e rraskapit.” (Ebu Daudi)

Edhe pemët përfitojnë nga mëshira e Muhamedit a.s. Buhariu transmeton që kur u ndërtua mimberi i Profetit (podiumi ku hoxha mban predikimin e të premtes), një pemë palme pranë të cilës ai zakonisht mbante predikimet e tij, qau si të ishte fëmijë. Profeti a.s zbriti nga mimberi dhe e përqafoi, dhe ajo rënkoi si një fëmijë që bëhet gati të pushojë së qari. Profeti a.s tha: “Qau sepse tashmë s’do të dëgjojë më përkujtimin e Allahut.”

Kur Al-Hasani dëgjoi këtë histori, tha: “O muslimanë, një copë dru u përgjërua të qëndronte pranë Të Dërguarit të Allahut, ndërsa ju keni shumë më tepër arsye për një përgjërim të tillë.”

Allahu na mundësoftë të reflektojmë një mëshirë të tillë për njerëzimin, kafshët dhe bimët, njësoj si shembulli i Profetit a.s.

Përshtatur nga libri “40 Ndodhi me Profetin e Dashur – Jeta, Sjellja dhe Karakteristikat e Tij” nga Dr. Adel ibn Ali al-Shidi.

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply