Mëkatet dhe bindja: A ndikojnë mbi Zotin

Mëkatet dhe bindja: A ndikojnë mbi Zotin

Dr.Ali al-Halauani

Në librin e tij të mirënjohur “Fjalë të urta”, shejh Ahmed ibn Ataillah Es-sakandari shkruan: “Bindja juaj nuk i bën dobi atij, dhe as mëkatet tuaja nuk i bëjnë dëm. Ai ju urdhëroi të bëni vetëm ato që ju bëjnë dobi juve, dhe ju ndaloi ato që ju dëmtojnë.”

Është fakt se Allahu i Gjithëfuqishëm nuk përfiton asgjë nga bindja jonë. Ai është më i pasuri dhe më i pushtetshmi. Atë nuk e dëmtojnë mëkatet e askujt, madje as të gjithë njerëzve bashkë, sepse ai është mbi dëmet e çdokujt falë lavdisë së tij të paarritshme. Ai urdhëroi bindje dhe ndaloi kryerjen e mëkateve për arsye se janë të dobishme dhe sjellin përfitime për njeriun. Njeriu duhet të jetë falendërues për këtë bekim dhe ta mbajë përherë në mendje një fakt të tillë.

Legjislacioni i dërguar nga Allahu mbi Robin e tij (Muhamedin a.s) dhe besimtarët ishte dhe vazhdon të jetë rruga e duhur për të siguruar jetë të këndshme, siç përshkruhet në Kur’an (Nahl 16:970). Ky legjislacion normon marrëdhëniet mes individit dhe vetes së tij, mes tij dhe besimtarëve të tjerë dhe mes tij dhe shoqërisë njerëzore në tërësi. Sa i përket legjislatorit, Allahut të gjithëfuqishëm, Ai ishte dhe do të vijojë të mbetet i çliruar nga çdo nevojë mbi krijesat e tij. Dhe në të vërtetë, është përtej çdo përfytyrimi që Krijuesi t’ia ketë nevojën asaj që krijuar, apo asaj që e ka origjinën prej tij; përkundrazi, e kundërta mund të kuptohet dhe të përthithet nga një mendje racionale dhe e logjikshme.

Në Kur’anin e tij fisnik, Allahu thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Dharijat 50:56-58)

Allahu i Gjithëfuqishëm krijoi universin dhe e nënshtroi në shërbim të njeriut, çka tregon për përkujdesjen e Tij ndaj ekzistencës, interesave dhe nevojave të njeriut. Nëse i jap penës time sundim të lirë, do t’i duhej të shkruante vëllime të tëra mbi detajet e krijimit, por as ajo, as unë dhe askush tjetër nuk do të jetë në gjendje të numërojë ose llogarisë mrekullitë e Allahut në universin që duket; pa përmendur universet dhe botët e tjera që janë të fshehta për shqisat tona.

Gjithçka që gjendet në zemrën e tokës dhe që rritet e zhvillohet në të është projektuar të përmbushë nevojat e njeriut dhe kërkesat e tij. Ngjashëm, hapësira dhe qiejt dhe gjithçka gjendet në to është projektuar për të ndihmuar njeriun të organizojë kohën dhe stinët në një mënyrë të volitshme për të; në mungesë të të cilave, në rrethana të caktuara ai mund të humbasë, si për shembull kur ndodhet në det ose në shkretëtirë. Shkurtimisht, Allahu e ka krijuar universin si një shërbëtor të sinqertë të njeriut; që vepron sipas nevojave, kërkesave, por edhe dëshirave të njeriut.

Ngjashëm, Allahu i Gjithëfuqishëm i ka zbritur njeriut një sistem ligjor që rregullon marrëdhënien e tij me të gjithë universin që Ai e krijoi dhe ia nënshtroi njeriut, që t’i lehtësonte jetën në tokë. Përmes këtij legjislacioni, njeriut i tregohet si të kujdeset për veten, për njerëzit e tjerë dhe gjithë universin. Është Allahu që na urdhëron, por edhe këshillon, që të shfrytëzojmë këtë sistem për të mirën dhe përfitimin tonë.

Prandaj duhet të kuptojmë që urdhrat dhe ndalimet e Allahut janë një dhuratë për ne; përmes të cilave mund të arrijmë lumturinë dhe begatinë në këtë botë dhe në tjetrën.

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply