Kur uria gjatë Ramazanit nuk ka vlerë

Kur uria gjatë Ramazanit nuk ka vlerë

-Hamza Yusuf

Uria mund të shpalosë më të keqen tonë. Në një nga skenat e mrekullueshme të veprës “Si të duash!” të Shekspirit, Orlando, i uritur dhe i dëshpëruar ndeshet në pyll me Dukën Senior dhe oborrtarët e tij në mërgim, të cilët po bëhen gati të hanë darkën. Duke supozuar se në Arden mbizotëron ligji i xhunglës, Orlando vringëllon shpatën dhe kërkon ushqim për shkak se është duke vdekur. Duka Senior i kundërvihet për shkak të mungesës së qytetarisë, dhe me zgjuarsi i thotë: “Fisnikëria jote do ta imponojë bujarinë tonë më shumë se shpata jote.” Orlando i përgjigjet: “Thuajse jam duke vdekur për të ngrënë, prandaj më lejoni të ha. I vetëpërmbajtur, duka i thotë: “Ulu dhe ushqehu! Mirë se erdhe në tavolinën tonë!” Orlando ndihet i turpëruar nga trimëria dhe bujaria e Dukës dhe shpjegon se uria e ka shndërruar në njëri të dhunshëm.

Të gjithë e kemi të qartë natyrën e urisë; kemi përjetuar irritimin që shkakton mosngrënia e mëngjesit ose mospirja e filxhanit me kafe apo çaj. Hiperbolikisht themi “se po vdesim” kur afrohet koha për të ngrënë vaktin e radhës. Vendtakimet tona me ushqimin janë të shpeshta gjatë çdo dite dhe psikologët i quajnë “kontakte të vazhdueshme me ushqimin” ndërsa fermerët kullotje. Me një të përplasur të qëpallave ne zhytemi në qumësht dhe biskota. Shumica e njerëzve nuk hanë tre vakte në ditë, por “kullosin” gjatë gjithë ditës, me shitoret e Starbucks të kudogjendura për të garantuar që askush të mos vuajë nga uria apo vuajtjet që shkakton mungesa e kafeinës. Në tokën e bollëkut, në perëndim, priremi të harrojmë që begatia nuk ka qenë gjithëmonë  e tillë dhe lehtësia e sigurimit të ushqimit nuk ka qenë kaq e madhe. Dhe në fakt, edhe sot e kësaj dite sigurimi i ushqimit në shumë vende mbetet tejet i vështirë.

Pak nga ne që kanë luksin e leximit të gazetës së ditës me një filxhan kafe dhe një fetë bukë të thekur me gjalp dhe marmalatë pranë vetes, kanë përjetuar ndonjëherë qëllimisht urinë, përveçse nëse i jemi nënshtruar ndonjë diete qesharake për të rënë nga pesha. Megjithatë, në perëndim ishte një kohë kur Kreshma, e cila përkujton agjërimin 40-ditor të Krishtit në shkretëtirë, nënkuptonte agjërimin gjatë gjithë ditës dhe ngrënien e vetëm një vakti gjatë natës. Me kalimin e kohës, kjo traditë u shndërruar në një gjysmë-agjërim ndërsa sot nënkupton thjesht të hequrit dorë nga ndonjë ushqim që të pëlqen vërtet, si për shembull çokollatën.

Edhe racionet tona të ushqimit dhe të pijes janë shumë më të mëdha se ato të gjyshërve tanë. Në mes të kësaj harlisjeje konsumi, miliona muslimanë heqin dorë nga ushqimi, pijet dhe seksi gjatë ditëve të muajit të Ramazanit. Ata shikojnë kolegët e tyre që hanë dhe pinë gjatë ditës, dhe herë pas herë u duhet të kërkojnë falje që nuk u bashkohen për shkak se zbatojnë ritualet e besimit të tyre. Agjërimi i bën ata të ndërgjegjshëm mbi urinë, si një ndjesi e prekshme fizike, jo një fenomen i largët për të cilin kanë lexuar në gazetë. Kur OKB-ja na thotë se pothuajse një miliard njerëz vuajnë nga uria dhe kequshqyerja, ndërsa 25.000 njerëz në ditë vdesin nga uria, këto mbeten thjesht statistika të largëta që duket sikur i përkasin një bote tjetër, pa lidhje me tonën.

Por agjërimi nuk është thjesht abstenimi nga ushqimi dhe pijet. Është përpjekje për të nxjerrë në pah anët më të mira të natyrës tonë. Profeti Muhamed a.s ka thënë: “Nëse dikush nuk heq dorë nga sjellja e keqe gjatë muajit të Ramazanit, Allahu nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga pija dhe ushqimi.” Gjatë kësaj kohe muslimanët inkurajohen të jenë njerëz më të mirë, t’i trajtojnë të tjerët me përkushtim. Nëse kërkojnë ta përfshijnë në zënka apo polemika, agjëruesi duhet të përgjigjet: “Unë jam agjërues”.

Ka shumë mënyrë për të qenë i uritur. Dikush mund të jetë i uritur për dashuri, për famë ose edhe për drejtësi sociale, por uria për ushqim duket sikur i tejkalon të gjitha dëshirat. Duke qenë të ndërgjegjshëm për urinë e të tjerëve ne kontribuojmë për një botë më empatike. Ndoshta, nëse i përgjigjemi Orlandove të dëshpëruar që enden pyjeve për ushqim, siç u përgjigj Duka Senior, me mirësi dhe mikpritje, mund t’i ndihmojmë ata të qytetërohen. Sigurisht që uria mund të nxjerrë në pah anën tonë më të keqe, ashtu siç mund të nxjerrë edhe më të mirën.

Burimi: theguardian.com

Leave a Reply