Kuptimi i ritualeve të Haxhit

Kuptimi i ritualeve të Haxhit

Sot më shumë se çdo herë tjetër hasim ndikimin e fesë në rrafshe të ndryshme të jetës së njeriut dhe sidomos në emocionet dhe ndjenjat e tij shpirtërore.

Studiues të fushave të ndryshme janë të mendimit se feja ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shëndetin psikik dhe fizik të njeriut si dhe në shumë dimensione tjera të jetës së tij. Studimet shkencore bëjnë të ditur se aq më shumë që njerëzit besojnë në fe, aq më tepër janë të ruajtur nga sëmundjet e ndryshme psikike dhe devijime tjera mendore dhe shpirtërore. Besimtarët në krahasim me njerëzit tjerë të zakonshëm gjithashtu kanë më tepër fuqi shpirtërore për arsye se besimi është i lidhur me shëndetin psikologjik.

Sjelljet dhe besimet si mbështetja në Zotin Një, durimi, lutja dhe vizita e vendeve të shenjta mund të krijojnë një shpresë dhe vështrim optimist për të ardhmen dhe kjo shkakton një qetësi të thellë shpirtërore. Besimi në atë që ekziston Një Zot i cili kontrollon ngjarjet ndihmon në tejkalimin nga gjendja e depresionit. Shumica e besimtarëve zakonisht kur përshkruajnë lidhjet e tyre me Zotin, thonë se kjo lidhje është emocionale si me një shok të fuqishëm ku duke u bazuar dhe u mbështetur në Zotin mund të kontrollohen edhe ngjarjet më të vështira të jetës. Ibadeti është një rrugë e mirë që njeriun e çon drejt qetësisë. Në mesin e këtyre ibadeteve është edhe Haxhi me ritualet e tij të veçanta. Feja islame si një shkollë universale ka paraparë të gjitha dimensionet e kërkesave njerëzore si fizike ashtu edhe shpirtërore. Tani duhet të shohim se si Haxhi dhe ritualet e tij mund të ndikojnë në dimensione të ndryshme të njeriut si në sjellje, emocione dhe mendim? Zbatimi i ritualeve të Haxhit është një përgjigje e duhur të cilën njeriu e kërkon gjatë gjithë jetës së tij. Kjo kërkesë është të fituarit e kuptimit. Njerëzit e kohës sonë janë duke vuajtur nga mungesa e dhënies së një kuptimi të mendimeve dhe sjelljeve të tyre.

Haxhi posedon fuqinë dhe kapacitetin që t’i japë kuptim të gjitha veprave dhe mendimeve të njeriut. Nuk ekziston asnjë lëvizje apo veprim në Haxh, i cili mund të kryhet pa një qëllim të pastër dhe larg dëshirave të kësaj bote. Në ritualet e Haxhit, qëllimi luan rolin kryesor. Serioziteti në qëllim është ndër kushtet kryesore të pranimit të adhurimit dhe ibadeteve. Qëllimi i jep kahje të gjitha veprave. Haxhiu përpiqet që çdo veprim që e kryen ta bëj me dashuri dhe interesim për Zotin, përndryshe ai nuk e ka zbatuar detyrën e tij. Kjo çështje gjithashtu dëshmon edhe udhëzimin e brendshëm të bindjeve fetare në islam.

Haxhiu në Haxh e mëson se duhet të jetoj me fenë e tij dhe duhet të veprojë në bazë të saj madje edhe në veprimet më të vogla. Në këtë mënyrë krijohen kushtet për udhëzimin e veprimeve në rrugën e drejtë. Ritualet e Haxhit gjithashtu ndihmojnë që njeriu të arrijë të përfitojë një sistem të lartë vlerash. Sistem i cili udhëzon çdo veprim dhe lëvizje në jetën e njeriut dhe atë e bën të kuptimtë.

Personi që dëshiron të bëhet Haxhi, ai më nuk është mendjemadh. Ai largohet nga egoizmi dhe superioriteti ndaj të tjerëve. Haxhiu duhet të largojë lakmitë epshore dhe ndjenjën e rehatisë dhe duhet të arrijë një personalitet të shëndosh dhe të ekuilibruar. Pra, Haxhi do të thotë personalitet superior, i zhvilluar, besnik, durimtar dhe i devotshëm”.

Shumë dijetar janë të mendimit se udhëtimi për në Haxh është një nga metodat më të mira që sjell përparim shpirtëror të njeriut. Sipas tyre problemet si depresioni, ndjenja për mëkatet dhe shumë ndjenja negative tjera, pengojnë udhëtimin shpirtëror të njeriut dhe një gjë e tillë mund të largohet gjatë ceremonisë së Haxhit. Kushti i pranimit të Haxhit është ai që haxhiu të luftojë me veset e tij negative siç janë: urrejtja, xhelozia, hipokrizia dhe gënjeshtra. Statistikat tregojnë se prezenca në vendet e shenjta dhe kryerja e ritualeve bashkërisht ndihmojnë në qetësimin e brendshëm dhe trupor të njeriut. Kjo sepse ceremonitë fetare që kryhen në mënyrë kolektive kanë një influencë të jashtëzakonshme në shëndetin psikik të njeriut dhe gjithashtu sjellin edhe solidarizimin e njerëzve në mes vete. Në Haxh krijohet një moment që njeriu largohet nga çdo ngjyrë e tij dhe duke u humbur në grumbullin e madh të njerëzve largohet nga të gjitha veçoritë dhe dallimet që e karakterizojnë. Në Haxh gjithashtu kemi edhe një solidarizim në mes myslimanëve të botës. Në kohën kur jemi duke jetuar në një botë plot me luftëra dhe konflikte, Haxhi duhet të shihet si një rast i volitshëm për vendosjen e paqes dhe qetësisë nëpër vende të ndryshme të botës. Në Haxh largimi dhe përçarja shndërrohet në unitet dhe bashkim dhe haxhiu e shijon tolerancën dhe mirëkuptimin. Ndjenja e solidaritetit është tepër me ndikim në shpirtin dhe psikikën e haxhiut.

“Kush tregon respekt për shenjat dhe simbolet e Allahut, (ta dijë se) pa asnjë dyshim, kjo gjë është si rjedhojë e përkushtimit të zemrave” (Haxh, 32) 

Arafati është një pozitë faljeje e përgjërimi. Arafati na kujton ngritjen nga varret Ditën e Gjykimit dhe mbledhjen grumbuj-grumbuj në sheshin e grumbullimit. Ai është një shesh mahsheri i mbushur me shqetësimin e llogaridhënies, ku mëshira e Zotit zbazet plot bujari në shpirtrat tanë. Të gjithë robtë presin para Allahut të dobët, të pafuqishëm, nevojtarë e me shpresë. Zemrat dhe sytë njomen me lotët e pendimit, lutje përgjërimi të panumërta që i drejtohen Zotit. Në librin e jetës hapen faqe të pastërta dhe Zotit i jepet besa se pjesa e mbetur e jetës do të jetohet me bindje ndaj Tij. Këta mysafirë të Zotit vihen në pritje me dëshirën për një mundësi e fillim të ri, për një epokë të re.

Nga ana tjetër, Arafati na çon edhe në kujtime të vjetra kur Ademi (a.s.) dhe nëna jonë Havaja u zbritën në tokë larg njëri-tjetrit. Dhe Zoti, pasi pranoi lutjen e tyre i bashkoi në Arafat.

Muzdelife është një mjedis i bekuar i mbushur plot me shfaqje mëshire, që mbart namin e të qenit më afër Allahut në nivelin që sexhdja është kundrejt rukusë. Ibn Abasi thotë se Profeti ynë i dashur arriti në Muzdelife për umetin e vet, të merrte një rrecetë ndihme e çlirimi që nuk e mori dot në Arafat. Muzdelifenë, sidomos pasi nata thellohet, çdo anë e mbulojnë mistere edhe më të fshehta. Ndërsa disa çlodhen për detyrat e vështira që i presin ditën e nesërme, ka njerëz që gjer në mëngjes mbeten të ulur me duar të hapura duke iu lutur Zotit. Këta shpirtra të gjerë, e tërheqin zërin e tyre në zemër dhe kushedi se ç’mendojnë e ç’u shkon ndër mend. Lutje pa pushim drejtuar Zotit jashtë namazit, dashuri e përkushtim shprehur brenda namazit…

Mina ka vlerën e një mjedisi nënshtrimi dhe dorëzimi, ku profeti Ibrahim (a.s.) dhe djali i tij Ismaili (a.s.) e gjuajtën shejtanin me gurë dhe dolën fitues ndaj tij. Ajo është vërtetë si një koshere nënshtrimi e si një çerdhe përkushtimi të pakushtëzuar. Ky vend është aq i mistershëm, saqë çdo shpirt që nuk është krejtësisht i mbyllur ndaj botës së amshuar, ç’nuk ndien në atë vendpushim mes atyre maleve e luginave! Mina, me të gjitha anët e saj, na duket aq e njësuar në shpirtin tonë, saqë na bëhet sikur e ndiejmë se si ajo rreh në zemrën tonë, rrjedh në venat tona, gjallon në nervat tona.

Ndërkaq goditja e shejtanit me gurë është mallkimi i tij dhe orientimi i zemrës drejt Allahut, i zemrës së çliruar prej çdo lloj indiferentizmi, paqartësie, përgjumësie, lëkundjeje e dyshimi. Prandaj Profeti ynë thotë: “Synimi i goditjes me këta gurë s’është gjë tjetër veçse përmendja dhe pohimi i emrit të Zotit.” (Tirmidhi)

Safa dhe Merve janë dy kodrat mes të cilave ndodhet burimi i Zemzemit. E shqetësuar për fëmijën e saj dhe veten nga etja e madhe dhe mungesa e ujit, Haxherja pati vrapuar nga një kodër në tjetrën disa herë gjersa pati zbuluar burimin e Zemzemit. Tani ky vrapim, si pjesë e Haxhit, e që emërtohet Sa’j (përpjekje), na kujton dobësinë njerëzore dhe nevojën e mbështetjes te Zoti. Rëndësinë e këtyre dy kodrave Zoti e shpreh kështu: “Pa dyshim Safa dhe Merva janë nga shenjat e Allahut.” (Bekare, 158)

Qabeja, e cila cilësohet si Bejtullah-Shtëpia e Allahut, është një faltore e shenjtë, e tillë qysh në kohën e profetit Adem (a.s.). Zoti e cilëson në Kur’an në këtë mënyrë: “Pa dyshim, Qabeja në Mekë është faltorja e parë në tokë e ngritur për njerëzit”. (Al-Imran, 96) Qabeja, me atë domethënie e shenjtëri të thellë, është një vatër e pashoqe monoteizmi, e tillë që, prej veçantive që mbart, nuk mund të gjendet një ndërtesë e dytë e barabartë me të, të mund t’i thuhet shtëpi e Allahut.

Në tavaf (rrotullimin rreth Qabes) gjithsecili e ndjen veten si një fëmijë i dobët që, i kapur fort për dore, vrapon në siguri plot ngazëllim. Njeriu rend sikur të jetë duke ecur vërtet drejt Allahut dhe nuk vetëkontrollohet më. Me trupat gjysmë të zhveshur, me rrobën në supe, përjetojmë emocionin e të rendurit përpara në një rrugë sa të lodhshme e të trazuar, po aq edhe shpresëdhënëse e të sigurt.

Udhëtari i haxhit, që nga çasti që largohet nga shtëpia, gjatë rrugës, çlirohet hap pas hapi prej egos dhe unit, në drejtim të jetës së zemrës e të shpirtit. Njeriu në këtë udhëtim bëhet pjesë e të vërtetave të vjetra, por që nuk vjetrohen dhe mbeten kurdoherë të freskëta. Allahu në Kur’an thotë: “Kush tregon respekt për shenjat dhe simbolet e Allahut, (ta dijë se) pa asnjë dyshim, kjo gjë është si rjedhojë e përkushtimit të zemrave” (Haxh, 32)           

E ndërsa ditët shkasin drejt Bajramit, vendi i tavafit, zemzemi dhe vajtja e ardhja mes Safasë dhe Merves shkojnë me ndjenjën e një kurbeti e përmallimi. Qabeja nis të na i mbyllë dalëngadalë perdet e dritareve që na kishte çelë… dhe njeriu që në çdo ngjarje sheh që është i përkohshëm, siç kupton se po afron koha për t’u larguar nga këtu, mendon se një ditë do të ndahet edhe nga kjo botë kalimtare.

Tashmë haxhiu, i brengosur, por i përmbajtur, i shqetësuar, por plot shpresë, për kënaqësi të Zotit tendoset me zellin për të jetuar për të tjerët, për të qeshur e qarë për të tjerët, madje edhe për t’i shërbyer të tjerëve.

/Dorian Demetja-Revista ‘Drita Islame’, Tetor 2013/

Leave a Reply