Jezusi përmes syve të Islamit

Jezusi përmes syve të Islamit

-Seyyed Hossein Nasr

Disa shekuj konfrontimi me perëndimin e krishter, të ndjekur nga një periudhë aktivitetesh misionare të mëdha, që vazhdojnë akoma në rajone të caktuara të botës islamike në forma më të reja, kanë krijuar mes disa myslimanëve bashkëkohorë një mospëlqim jo vetëm për kristianizmin por në rastin e klasave të modernizuara edhe për konceptimin islamik të Krishtit dhe Maries. Në përgjigje të sulmit agresiv kundër Islamit nga kaq shumë burime kristiane gjatë të shkuarës, disa myslimanë të modernizuar janë përpjekur të harrojnë apo të lënë në harresë mësimet e qarta të Islamit lidhur me kristianizmin. Nga myslimanët e nënkontinentit të Indisë ka pasur reagime edhe më ekstreme. Si rezultat ata kanë krijuar një Kristiologji që është krejtësisht larg nga mësimet tradicionale islame për këtë temë.

Në këtë shpjegim ne nuk do të trajtojmë këto reagime por mësimet tradicionale islame lidhur me Jezusin. Për disa kristianë mund të duket jobindës fakti që Islami e thekson mjaft rolin e Jezusit, por për ta kuptuar perspektivën e plotë të Islamit ky theksim ka një rëndësi të madhe. Për më tepër në botën e sotme të laicizuar mund të jetë një komfort shpirtëror për kristianët, të rrethuar nga një atmosferë dëmtuese, që kërkon të fshijë forcën dhe bazën e fesë, që të kuptojnë që miliarda myslimanë në tokë dëshmojnë për origjinën hyjnore të kristanizmit dhe e nderojnë themeluesin e tij , megjithëse natyrisht në një perspektivë tjetër.

Islami nuk e pranon idenë e mishërimit apo lidhjes birnore. Në perspektivën e tij, Jezusi djali i Maries, ‘Isai djali i Merjemes’, ishte një profet madh dhe shtylla shpirtërore e gjithë traditës së Abrahamit, por jo një zot-njeri apo Biri i Zotit. Sidoqoftë në Kuran përmendet qartë lindja e tij nga një nënë e virgjër, të cilës i referohet në Kuran si gruaja e zgjedhur mbi gratë e tjera të botës. Gjithashtu përmendet dhe fakti se ai ishte ‘shpirti i Zotit’ (ruhullah). Funksioni i tij i veçantë si sjellësi i një rruge shpirtërore më shumë se një ligj fetar, është gjithashtu pjesë themelore në mësimet e Islamit. Sidoqoftë Kurani nuk e pranon se ai u kryqëzua por deklaron se u ngrit në qiell. Ky është një fakt i pakalueshëm që ndan kristianizmin me islamin, një fakt që është vendosur për të mos përzier dy fetë. Të gjitha doktrinat e tjera si çështja e natyrës së Krishtit apo triniteti, mund të kuptohen metafizikisht në një mënyrë të tillë për të harmonizuar dy perspektivat. اështja e vdekjes së Jezusit është sidoqoftë fakti që u reziston interpretimeve që do të ishin të zakonshme për këndvështrimet kristiane dhe islamike lidhur me ngjarjen. Mund të thuhet se kjo ngjarje ishte më e madhe se çdo përshkrim i saj. Sidoqoftë kryqëzimi dhe ideja e çlirimit nga mëkatet dhe e keqja që përfaqëson, janë ndoshta aspektet më të vështira të kristianizmit që të kuptohen nga një mysliman i zakonshëm.

Profeti i Islamit theksoi funksionin e Krishtit brenda Islamit duke iu referuar ardhjes së dytë të Krishtit në fund të botës. Eskatologjia islamike, megjithëse jo identike me atë kristiane është e lidhur me figurën e njëjtë kryesore të Jezusit. Me anë të rolit eskatologjik që i është dhënë Jezusit në Islam si dhe shumë përmendje të tij dhe të virgjëreshës Marie në Kuran, Jezusi ka një rol të njëjtë në vetëdijen e myslimanëve ashtu si Abrahami dhe vijuesit, sigurisht ky rol është roli i profetit. Për më tepër në ezoterizmin islam ai ka një funksion të rëndësishëm për të cilin dëshmojnë Sufistët si Ibn Arabi, Rumi dhe Hafiz.
Nëse analizohet nga afër përshkrimi kuranor i Jezusit, do të rezultojë se Jezusi posedon tre aspekte të lidhura me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe që i korrespondojnë respektivisht funksionit të tij të ruajtjes së Teuratit, kremtimit dhe përjetësimit të kungimit dhe deklarimit për ardhjen e profetit të Islamit. Myslimanët e interpretojnë parakletos si i Lavdëruari që korrespondon me njërin nga emrat e profetit të Islamit, Ahmed (nga rrënja h-m-d që do të thotë “lavdërim”). Në Kuran shpallet:
Dhe kur Isai biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jami dërguari i Allahut te ju, jam vërtetues i Teuratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed (I Lavdëruari)!”. E kur u erdhi atyre me argumente të qarta ata thanë: “Kjo është magji e hapët”. (61:6)
Për myslimanët është e pabesueshme që një manifestim i tillë fetar si Islami të anashkalohet nga Krishti dhe në deklarimin e tij për mbretërimin e Paraklitit (shpirti i shenjtë) ata shohin një referim për ardhjen e Islamit. Funksioni i tij në të ardhmen është në fakt, ashtu siç u deklarua në ajetin e mësipërm kuranor, për të shpallur ardhjen e profetit të Islamit dhe sigurisht për t’i dhënë fund ciklit njerëzor ekzistues.

Në vetëdijën tradicionale fetare islame, Jezusi bashkohet me Musain dhe Abrahamin për të përfaqësuar aspektin tresh të traditës monoteiste, përmbledhja e të cilit gjendet tek profeti i Islamit. Në këtë perspektivë, Abrahami përfaqëson besimin, Musai ligjin dhe Krishti rrugën shpirtërore. Profeti i Islamit si profeti i fundit ‘vula e profecisë’ është sinteza e gjithë këtyre aspekteve. Ashtu si Profeti Muhamed është ‘vula e profecisë’ Krishti konsiderohet nga shumë sufistë si ‘vula e shenjtërisë’ në traditën abrahamike. Në fakt brenda Islamit gjendet një lloj i veçantë i “urtësisë krishtërore” (hikmah ‘isaëiyyah), që përbëhet nga elementët e ekzistencës/anës së brendshme (Batin), dhe një lloj eliksiri hyjnor ose nektari që mund të shihet në forma të caktuara të sufizmit. Për më tepër urtësia si edhe personaliteti shpirtëror i Jezusit lidhen ngushtë me Virgjëreshën dhe Kurani u referohet të dyve si një realitet i vetëm. Për shembull në Kuran shpallet:
Dhe Ne e bëmë birin e Merjemes dhe nënën e tij një shenjë (mrekulli).

Pavarësisht nga ndryshimet që ekzistojnë dhe që në fakt duhet të ekzistojnë nëse çdo fe duhet të ruajë vërtetësinë dhe gjenialitetin shpirtëror, konceptimi islamik për Jezusin siguron një bazë të qëndrueshme për një kuptim të kristianizmit nga myslimanët nëse shmangen nga reagimi ndaj kërcënimeve të shkaktuara nga sulmet e kohës kundër Islamit dhe t’i kthehen një studimi të burimeve të tyre tradicionale. Por ky konceptim mund t’i ndihmojë kristianët për të kuptuar më mirë se çfarë do të thotë Islam. Mbase konceptimi islamik i Krishtit mund të shërbejë si bazë për një kuptim më të mirë të Islamit në emër të kristianizmit. Kjo mund t’u mundësojë kristianëve të kuptojnë se dielli i botës së tyre shpirtërore që ata e duan kaq shumë, është gjithashtu një yll ndriçues në qiellin e një botë tjetër dhe luan një rol të rëndësishëm në ekonominë fetare dhe shpirtërore të një kolektiviteti tjetër njerëzor.

Leave a Reply