Islami: Feja e urave të komunikimit

Islami: Feja e urave të komunikimit

Një herë më kërkuan të mbaja një leksion mbi ndërtimin e urave midis islamit dhe një feje tjetër. Përgjigja ime ishte se nuk ishte i nevojshëm ndërtimi i këtyre urave, pasi ato ekzistonin tashmë, ato janë përbërës natyral të besimit islam.

E thash këtë pasi mesazhi hyjnor që iu kërkua profetit Muhamed a.s të shpërndante, ishte një mesazh për të gjitha qeniet njerëzore. Nuk ishte një mesazh për këtë, ose atë grup njerëzish në një pozitë të caktuar gjeografike dhe në një moment të caktuar historik.

Profeti a.s përshkruhet qartazi në Kuran si i dërguari i fundit i Zotit për të gjithë njerëzit dhe si mëshirë për të gjithë botën. Fakti që feja islame është fe universale nuk është thjesht një pretendim, por janë karakteristikat e këtij besimi që e bëjnë të tillë.

Ky është besimi i fitras, natyrës së pastër njerëzore, që do të thotë se çdo gjë në lidhje me fenë e ka lidhjen me natyrën e pastër burimore. Kjo do të thotë se nuk e fton individin në asgjë që është e huaj për qenien njerëzore dhe në asgjë që është e panjohur për të.

Duke qenë se racionaliteti si shqisë bazë, është pjesë e kësaj natyre të pastër, islami iu drejtohet njerëzve si qenie racionale. Kurani e thekson se islami është një mesazh për njerëz që kuptojnë, që reflektojnë, që mendojnë, që peshojnë, që janë të mençur, që janë të ndershëm, që e duan të vërtetën e kështu me radhë.

Duke qenë se iu drejtohet njerëzve të tillë, përdor argumente dhe parashtron prova të bazuara në parimet ku mbështeten të gjithë kur zgjedhin të veprojnë me arsye për të pranuar ose refuzuar çdo çështje të jetës së përditshme. Kurani nuk iu kërkon njerëzve të bëjnë asgjë më shumë se sa të jenë të qendrueshëm dhe të përdorin të njëjtat standarde për të gjykuar pretendimet fetare.

Kur njerëzit zgjedhin të veprojnë me racionalitet, ata pranojnë ligjësitë të menduarit dhe kërkojnë që pretendimet të jenë konsekuente, të pranojnë dëshminë e fakteve empirike, të vlerësojnë sjelljen sipas vlerave morale, të preferojnë të bukurën përpara të shëmtuarës dhe të zgjedhin gjërat e matura kundrejt atyre të nxituara.

Kurani përdor këto standarde për të argumentuar pretendimet e tij dhe për të kritikuar pretendimet false.

Në këtë kuptim, racionaliteti është ura kryesore që islami ka me të gjithë njerëzit. Gjithashtu islami ka edhe disa ura të veçanta për njerëzit që pranojnë disa prej të vërtetave të tij. Këto të vërteta përdoren si argument për arritur të vërteta të tjera përmes argumenteve racional.

Më lejoni t’iu jap disa shembuj të këtyre urave, të përgjithshme dhe të veçanta. Këto janë shembuj nga shtyllat bazë të fesë islame.

Thelbi i mesazhit islam, njësoj si thelbi i të gjithë mesazheve me të cilët u prezantuan profetët e vërtet të Zotit, është se Zoti është Krijuesi i vetëm që duhet të adhurohet dhe se Ai duhet të adhurohet sipas mënyrës që ka përshkruar përmes profetëve të Tij.

Për atë pjesë të vogël të njerëzve që nuk besojnë fare në ekzistencën e Krijuesit, Kurani ka argumente shumë të thjeshtë. Një prej tyre mund të perifrazohet si vijon:

Si është e mundur të kenë ardhur në ekzistencë qenie të përkohshme si njerëzit, nëse nuk i ka krijuar Krijuesi i Përjetshëm e i Gjithëpushtetshëm? Mos vallë erdhën nga hiçi? Apo ishin krijues të vetes?

Çdo njeri i arsyeshëm, me pak meditim mund të kuptojë se asgjë nuk vjen nga hiçi dhe është kotradiktë e madhe të mendosh se diçka mund të krijojë vetveten.

Për shumicën dërmuese të njerëzve që besojnë në ekzistencën e Krijuesit dhe e adhurojnë atë, por bashkë me të adhurojnë diçka tjetër, ka një argument racional që mund të perifrazohet si vijon:

Duke qenë se adhurimi në thelb është shenjë mirënjohjeje dhe duke qenë se Krijuesi është i vetmi që i furnizon njerëzit me të gjitha të mirat që ata shijojnë dhe duke qenë se është i vetmi që ka pushtet mbi ta, është i vetmi që duhet të falënderohet në mënyrë absolute.

Për këtë arsye muslimanëve iu këshillohet t’ia kujtojnë vetes këtë fakt në fillim të 17 namazeve të detyrueshëm ku i përulen Zotit çdo ditë dhe deklarojnë:

Lavdia i takon Allahut, Zotit të gjithë botërave.

Argumenti se Allahu është i vetmi Krijues i vërtet që duhet të adhurohet përsëritet në shumë mënyra në Kuran. Këto janë  dy ajete të Kruanit që përkthehen si më poshtë:

 O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).  Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani All-llahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë). Bekare: 21-22.

Për ata që besojnë në Zot dhe në profetë si Noeja, Solomoni, Davidi, Moisiu dhe Jezusi, Kurani i këshillon të mos iu atribuojnë këtyre profetëe të bekuar thënie ose ndodhi false që nuk kanë ndodhur në të vërtet. Për këtë arsye atyre iu argumentohet se Zoti është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë dhe nuk do të zgjidhte për të shpërndarë mesazhin e Tij njerëz që do të bënin vepra të turpshme ose do të tradhtonin vet mesazhin hyjnor në vend që t’i bindeshin atij.

Gjithashtu iu thotë se është e palogjikshme të besojnë gjithë këta profetë dhe të mohojnë të tjerët, sidomos kur bëhet fjalë për profetin Muhamed a.s. Një teolog musliman ka thënë se nëse një person gjen së paku një arsye të fortë për të besuar tek profetësia e Moisiut dhe Jezusit, atëherë mund të gjejë me qindra arsye të logjikshme për të besuar në profetësinë e Muhamedit a.s.

Kurani na jep shumë prova që nuk ka si të mos jetë fjala e Zotit. Një prej tyre qëndron në faktin se nuk ka argumente kontradiktorë brenda tij. Nëse nuk do të ishte fjalë e Zotit, do të kishin gjetur shumë mospërputhje në të. Prova tjetër është se nuk ka asnjë kontradiktë me faktorët e jashtëm. Prova e tretë është se na jep përshkrimin e Zotit si një qenie e përsosur dhe se profetët e tij janë qenie njerëzore shembullore.

Për ata  që nuk janë të bindur dhe këmbëngulin në atë që islami e konsideron si sjellje të devijuar, në Kuran thuhet: “Nuk ka dhunë në fe”.

Mund të jetoni paqësisht me muslimanët për aq kohë sa nuk shfaqni akte agresioni.

Pikërisht këto janë urat mes islamit dhe pjesës më të mirë që mban një qenie njerëzore, por nuk janë mënyra për të bërë kompromis me të vërtetën për ta bërë të përputhshme me paragjykimet e përkohshme kulturore të kohëve dhe vendeve të caktuara. Një musliman mund të jetë francez, britanik ose amerikan, por nuk ka islam francez, islam britanik ose islam amerikan.

Nga Sheikh Xhafar Idris

Leave a Reply