Historia e Profetit Muhamed dhe personit të alkoolizuar

Historia e Profetit Muhamed dhe personit të alkoolizuar

Ishte një burrë i quajtur Abdullah, që e donte aq shumë Allahun dhe Të Dërguarin e tij, saqë Profeti a.s deklaroi në lidhje me të: “Vërtet, ai e do Allahun dhe Të Dërguarin e tij.” (Buhariu)

Ky person i quajtur Abdullah, e donte aq shumë Profetin a.s, saqë i dërgonte atij si dhurata mallrat më të mirë që vinin në Medinë. Kur  mbërrinte ndonjë karvan me gjalpë ose mjaltë të mirë, ai e blinte dhe ia dërgonte Profetit si dhuratë.

Më pas, kur shitësi kërkonte çmimin, Abdullahu e dërgonte shitësin tek Profeti a.s dhe i thoshte: “Jepja pagesën këtij burri.” Profeti a.s i thoshte: “A nuk ma solle si dhuratë?”. Abdullahu thoshte: “Po, o i Dërguari i Allahut, por unë s’mund ta përballoj çmimin.” Atëherë të dy qeshnin dhe Profeti a.s paguante tregtarin.

Kjo ishte marrëdhënia miqësore dhe gazmore që Profeti a.s dhe Abdullahu kishin me njëri-tjetrin.

Duhet thënë gjithashtu që Abdullahu ishte i alkoolizuar.

Ai dehej aq rëndë sa duhej sjellë tek Profeti a.s duke e mbajtur për krahësh nëpër rrugët e qytetit, në mënyrë që të vendosej për ndëshkimin e tij për shkak të veprës së konsumit publik të alkoolit dhe prishjes së qetësisë publike. Kjo ishte një ngjarje që përsëritej shpesh.

Pasi Abdullahu kishte marrë një nga këto ndëshkime të shpeshta, një nga shokët e Profetit a.s tha: “Allahu e mallkoftë! Nuk heq dorë nga kjo punë!”. Profeti a.s iu kundërvu shokut të tij duke i thënë: “Mos e mallko! Betohem në Allah që nuk do të thoshe kështu nëse do ta dije sa shumë ai e do Allahun dhe Të Dërguarin e tij.” (Buhariu)

Pastaj Profeti a.s shtoi: “Mos e ndihmoni shejtanin duke i dalë kundër vëllait tuaj.”

Mund të mësojmë shumë gjëra nga sjellja e Profetit a.s.

Duhet të reflektojmë mbi marrëdhënien e afërt dhe të ngrohtë të këtij personi me Profetin a.s, pavarësisht përsëritjes së të njëjtit mëkat.

Pavarësisht statusit të Profetit a.s, kjo nuk e pengonte atë të sillej me Abdullahun në mënyrë familjare, të ishte miqësor me të, dhe madje të bënte dhe shaka.

Shoqëria përfshirëse (integruese) e Profetit a.s

Kjo histori tregon se në shoqërinë e projektuar nga Profeti a.s njerëzit nuk ishin të veçuar apo kategorizuar në të devotshëm dhe mëkatarë, në marrëdhënie sociale të ndara mes dy grupeve.

Përkundrazi, ajo ishte një shoqëri e unifikuar dhe e integruar, që kishte vend për të gjithë. Një shoqëri ku çdo person kishin nivelin e tij të devotshmërisë. Disa ishin në pararojë të drejtësisë, disa ishin mesatarisht apo modestisht të devotshëm, ndërsa të tjerë ishin më të prirë për të mëkatuar. Megjithatë, askush nuk jetonte i veçuar nga shoqëria dhe askush nuk linçohej. Çdokush ishte pjesë e shoqërisë.

Gjithpërfshirja nënkuptonte që kur disa pjesëtarë të shoqërisë binin në gabime, efektet e gabimeve të tyre ishin të kufizuara dhe jetëshkurtra. Askush nuk margjinalizohej, prandaj ishte e pamundur që sjelljet mëkatare të zhvilloheshin dhe rriteshin në periferitë e harruara. Kur dikush bënte një mëkat, ndihma vëllazërore nga pjesëtarët e tjerë të shoqërisë nuk ndërpritej, përkundrazi njerëzit ishin më të vendosur për të ofruar ndihmën e tyre që personi të kthehej në rrugën e duhur.

Një tjetër mësim i vyer nga sjellja e Profetit është ruajtja dhe kultivimi i këndvështrimit pozitiv. Pavarësisht faktit se Abdullahu dërgohej vazhdimisht para Profetit a.s për shkak të sjelljes së tij, Profeti i tërhiqte të gjithëve vëmendjen tek cilësitë pozitive të Abdullahut, tek fakti që ai e donte Allahun dhe Të Dërguarin e tij.

Megjithatë, kur mendojmë për këtë cilësi në veçanti, kuptojmë se nuk ishte diçka unike për Abdullahun, por një cilësi që të gjithë besimtarët e kanë të përbashkët. Megjithatë, Profeti a.s, vendosi ta lëvdojë Abdullahun për këtë arsye. Duke bërë këtë, Profeti a.s donte të kultivonte, inkurajonte dhe forconte këtë cilësi tek çdo njeri. Ai gjithashtu përkujtoi njerëzit, se nëse dikush rrëshqet në mëkat, besimi i këtij njeriu dhe dashuria ndaj Allahut mbetet e pacenuar.

Mundemi vetëm ta imagjinojmë si duhet të jetë ndjerë Abdullahu kur ka mësuar se Profeti a.s kishte thënë diçka të tillë për të. Kjo i shërbeu atij për të tejkaluar vesin e tij të keq, dhe e mbushi me shpresë përmes konfirmimit se qenia e tij nuk ishte korruptuar përgjithmonë nga gabimi që kryente.

Metoda e Profetit a.s ishte evidentimi i cilësive të mira tek personat që kryenin mëkate apo bënin gabime. Ne, ndonjëherë harrojmë dhe i trajtojmë mëkatet e të shkuarës si barriera të pakapërcyeshme drejt të mirës së të ardhmes. Një person që kryen një vepër të turpshme nuk ndihmohet të heqë dorë prej saj, përkundrazi, i përkujtohet vazhdimisht ajo që ka bërë. Duhet të kuptojmë se kjo ndihmon shejtanin të mbizotërojë mbi gabimtarin dhe e shtyn atë sërish drejt mëkatit.

Në kontrast me këtë, qasja e Profetit a.s frymëzon virtytet. Kur në prani të tij u përmend se Abdullahu dehej vazhdimisht, ai iu kundërvu atij që e tha këtë duke i kujtuar se Abdullahu zotëronte një virtyt të lartë, dashurinë e pakufijshme ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij.

Sjellja e Profetit a.s me Abdullahun është një shembull i jashtëzakonshëm për ne, përplot me mësime të rëndësishme, jo vetëm mbi mënyrën si duhet të trajtojmë njëri-tjetrin, por sesi shoqëria mund të konsolidojë lidhje sociale të fuqishme, të plota dhe mbështetëse. Lidhje që mund të shërbejnë për të ndihmuar njerëzit që t’i largohen mëkateve.

Burimi: islamtoday.com

Leave a Reply