Fragmente guximi nga jeta e Profetit Muhamed a.s

Fragmente guximi nga jeta e Profetit Muhamed a.s

-Dr.Ali Al-halauani

Thuhet se në kohë të sunduara nga frika dhe trishtimi, njeriu shpërfaq karakterin e tij të vërtetë, anën e tij të brendshme që e fsheh në kraharor; dhe kjo është një e vërtetë e dëshmuar nga shumë incidente të ndodhura me njerëz të ndryshëm përgjatë historisë. Kjo mund të na ndodhë të gjithëve ne. Askush s’mund ta mohojë këtë.

Megjithatë, në rastin e Profetit Muhamed a.s, historia dëshmon se ai kurrë nuk sillej në mënyrë të pahijshme, siç mund të bëjë shumica prej nesh nën ndikimin e frikës, irritimit apo trishtimit.

Imagjinoni që, kur politeistët e Mekës vendosën ta vrisnin, natën që do të emigronte për në Medinë, ai eci me guxim dhe kurajë mes radhëve të atyre që po prisnin jashtë derës së shtëpisë së tij për ta ekzekutuar, ndërsa recitonte dy ajetet vijues të sures Jasin që të përkthyera janë si vijon: “Allahu ka vendosur një perde përpara tyre dhe pas tyre, duke i mbuluar që të mos shikojnë dot.” (Jasin 36:9)

Edhe gjatë betejave dhe luftimeve, Profeti a.s shfaqte kurajë dhe vendosmëri të pashoqe.

Ali ibn Ebu Talib, kushëriri i tij, citohet të ketë thënë:

“Ndërsa beteja e Bedrit zhvillohej me gjithë furinë e saj, ne u strehuam në shpatullat e Të Dërguarit të Allahut. Ai ishte më i guximshmi ndër ne dhe pozicionohej gjithmonë në radhët më të afërta me armikun.” (Musnedi i Ahmedit Vëll.1, Fq.86)

Imagjinoni që këtë e thotë vetë një nga muslimanët dhe shokët më të guximshëm dhe kurajozë të Profetit a.s. Si mund ta imagjinojmë sot, guximin dhe kurajën e Profetit a.s, kur një nga luftëtarët më të paepur në rrugën e Allahut, thotë se strehohej dhe mbrohej pas shpinës së Profetit a.s, pikërisht kur luftimi egërsohej dhe ashpërsohej.

Në një tjetër transmetim, nga një tjetër hero mes shokëve të Profetit a.s, i quajtur Bara ibn Azib, lexojmë:

“Pasha Allahun, sa herë që beteja ashpërsohej në kërkonim mbrojtje dhe strehim tek Profeti a.s. Askush nuk ishte aq i guximshëm sa Ai, sa të qëndronte në të njëjtën vijë me të.” (Musnedi i Ahmedit, Xhihad, 79)

Është e rëndësishme të vërejmë që Profeti a.s nuk synonte të dëshmonte apo vërtetonte se ishte i guximshëm dhe kurajoz; përkundrazi, qëllimi i tij ishte të lartësonte fjalën e Allahut dhe ta bënte fenë e tij të pranueshme, prandaj ai ishte gjithmonë në vijën e parë të betejës, pavarësisht sa e ashpër dhe e dhunshme ishte ajo.

Gjatë betejës së Hunejnit, pavarësisht konfuzionit fillestar dhe çorganizimit të ushtrisë muslimane, vendosmëria e tij nuk u luhat, ndërsa nxitonte drejt radhëve të armikut.

Duke vepruar kështu, ai ngriti moralin dhe inkurajoi shokët e tij, derisa në fund fitorja u arrit me ndihmën dhe mbështetjen e Allahut. Nga Ebu Hurejre transmetohet se Profeti a.s ka thënë:

Kjo është garancia e Allahut për këdo që niset për xhihad në rrugën e Tij: 

‘Nëse niset me motiv të vetëm besimin tek Unë dhe I Dërguari im, Unë do ta kthej pas me shpërblim dhe fitore, ose do ta pranoj në parajsën Time.’ (në rast se vdes)

Sikur lufta të mos ishte diçka e vështirë për ndjekësit e mi, atëherë nuk do t’i bashkëngjitesha çdo ekspedite ushtarake që lufton në rrugë të Allahut.


Vërtet, do të uroja të martirizohesha në rrugën e Allahut dhe pastaj të ngjallesha, të martirizohesha sërish dhe të ngjallesha sërish për të luftuar në rrugën e Tij.”
(Buhariu, Vëll.1, Hadithi 35)

Kjo ishte dëshira e Profetit a.s. T’i qëndronte përkrah forcave luftues të muslimanëve dhe të martirizohej, të ngjallej sërish dhe të martirizohej sërish, pafundësisht, në rrugën e Allahut.

E gjithë kjo për të ngritur lart flamurin e Islamit, ashtu siç Allahu dëshiron, dhe për të dobësuar grushtin e tiranëve që u ndalojnë njerëzve të tyre edhe dëgjimin e fjalës së Allahut, që iu përcoll njerëzimit përmes Profetit a.s, çka do t’i mundësonte këtyre njerëzve të drejtën për të zgjedhur për veten e tyre duke mos mbetur ndjekës të verbër të mbretërve apo sunduesve të tyre despotë.

Kjo është esenca e luftës dhe xhihadit në Islam, që urren terrorin, luftën dhe shkatërrimin, por lejon përdorimin e forcës në masën e nevojshme për t’u garantuar njerëzve të shtypur lirinë dhe vullnetin e lirë për të zgjedhur të ndjekin të vërtetën.

Një tjetër element që vlen të cilësohet është se kuraja e Profetit Muhamed nuk ishte ngutje apo mendjelehtësi; përkundrazi, ajo ishte e arsyeshme, e matur dhe e urtë.

T’i hedhim një sy rrethimit të fortesës së Taifit që zgjati për më shumë se dyzet ditë gjatë të cilave Ai a.s, e dinte mirë se furnizimet dhe mallrat brenda fortesës do t’i mjaftonin banorëve që gjendeshin në të për të paktën një vit.

Në këtë situatë, Ai a.s, prijësi i guximshëm, analizoi avantazhet dhe disavantazhet e rrethimit dhe rezultoi se vijimësia e rrethimit do të dëmtonte shtetin islam, pasi ushtria e muslimanëve nuk është thjesht ushtri, por përfaqëson umetin islam në tërësi dhe mbron interesat e tij.

Vetëm pak burra kishin mbetur pas në Medinë për të mbrojtur dhe ruajtur gratë, fëmijët dhe pasurinë dhe kjo i ekspozonte ata ndaj një sulmi të papritur nga politeistët dhe hebrenjtë. Për këtë arsye, ai vendosi të hiqte rrethimin, të ndalte operacionin dhe të kthehej në Medinë.

Trimëria e Tij ishte e gërshetuar me mëshirën dhe dhembshurinë. Ai e përdori kurajën e tij vetëm në beteja për të lartësuar fjalën e Allahut.

Historia nuk ka regjistruar qoftë edhe një incident në të cilin Profeti a.s të jetë hakmarrë për ndonjë arsye. Ai kurrë nuk përdori forcë, përveçse për të lartësuar dhe përcjellë fjalën e Allahut kur armiqtë e fesë islame donin ta ndalonin me dhunë këtë.

Aishja tregon: “I Dërguari i Allahut nuk goditi kurrë ndokënd me dorën e tij, qoftë grua apo shërbëtor. Ai përdori forcë vetëm gjatë luftimeve në rrugën e Allahut. Nuk u hakmorr kurrë për ndonjë arsye personale, përveçse kur dhunoheshin gjërat e shpallura të shenjta dhe të mbrojtura nga Allahu; edhe në këto raste ai u hakmorr në emër të Allahut, Të Lartit, Të Lavdishmit.” (Muslimi, 5756)

Guximi i Profetit a.s bazohej në siguri, në vendosmëri, në parime dhe etikë. Kështu ai u shndërrua në shembull për t’u ndjekur nga të gjithë ne, deri në Ditën e Gjykimit. Ç’kurajë e pashembullt!

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply