Fatimja, vajza e dashur e Profetit a.s

Fatimja, vajza e dashur e Profetit a.s

-Maria Zain

Katër gratë e përkryera të vlerësuara nga islami janë të mirënjohura nga muslimanët. Ato janë, Merjemi, nëna e Profetit Isa (Jezus), Asija, bashkëshortja e Faraonit, Hatixhja, bashkëshortja e parë e Profetit a.s, dhe Fatimja, vajza e vogël e Profetit a.s.

Fatimja ishte vajzë e vogël në kohën u prezantua islami. Prandaj, që në vegjëli, si vajzë, pastaj si bashkëshorte dhe nënë, perfeksioni i gruas muslimane siç përkufizohet nga Islami, shpërfaqet përmes karakterit të Fatimes r.a.

Fatimja konsiderohet si një nga gratë më madhështore në Islam. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në misionin e babait të saj, prandaj pranohet si model i përkryer për gratë muslimane. Ajeti i mëposhtëm përshkruan shenjtërinë (paprekshmërinë) e familjes së Profetit, përfshi edhe Fatimen.

“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes! Falni namazin, jepni zeqatin dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij! O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Kur’ani 33:33)

Sipas shumë trasnmetimeve, ajo ishte pothuajse 5 vjeç kur Profetit Muhamed a.s i zbritën ajetet e para në shpellën Hira. Gjatë fëmijërisë ajo dëshmoi mizoritë e ushtruara ndaj prindërve të saj, madje shpeshherë vetë ajo ra viktimë e talljeve të kureshjëve.

Fatimja u përball me vuajtje fizike, mendore dhe shpirtërore, ndërsa shikonte babanë e saj të poshtërohej nga arabët paganë të cilët e etiketonin si të “sëmurë mendor”.

Një histori përshkruan një skenë në Qabe ku një nga kundërshtarët e Profetit a.s hodhi plehra mbi kokën e Profetit a.s ndërsa ai po i përkulej Zotit. Me sytë me lot dhe zemrën të thyer, Fatimja e vogël pastroi babanë e saj, ndërsa ai qetësoi vajzën e tij të dashur duke i thënë se ishte normale që të përballej me sulme personale, sa kohë që njerëzit nuk kishin pranuar islamin.

Ndoshta ishte pikërisht rezistenca dhe durimi që Fatimja tregoi në vegjëli që e bëri Profeti a.s ta vlerësonte dhe ta konsideronte Fatimen si pikën e tij të dobët gjatë gjithë jetës.

Kur u rrit dhe pasi u martua, ajo kuronte plagët e babait të saj, të shkaktuara gjatë luftimeve. Tregohet se në rastet e skamjes, kur ushqimi ishte i pakët, ai shkonte vizitonte vajzën e tij, që të sigurohej se kishte mjaftueshëm për t’u ushqyer, para se të mendonte për nevojat e tij.

Ngjashëm, Fatimja vizitonte shpesh babanë e saj për të parë nëse i nevojitej ndonjë gjë, pa u lodhur nga sakrificat që bënte për të. Kur Fatimja futej në dhomën ku qëndronte Profeti a.s, ai ngrihej menjëherë ta takonte, i puthte ballin dhe i lironte vendin e tij. Të njëjtën gjë bënte edhe ajo kur ai shkonte për ta vizituar.

Martesa e saj me Aliun ishte e lumtur. Martesa e saj shpesh përshkruhet si një nga më bujaret të organizuara ndonjëherë në Medinë. Ajo u mundësua nga babai i saj, Profeti a.s, pasi Aliu ishte njeri i varfër.

Faktikisht, Fatimja ishte vajza e vetme e Profetit a.s që nuk u martua me ndonjë tregtar të pasur. Profeti Muhamed a.s inkurajoi lidhjen e tyre, duke e ditur shumë mirë që Aliu ishte musliman i devotshëm, që do të kujdesej me dashuri për vajzën e tij të vogël edhe pasi ai të vdiste.

Fatimja e përballoi me kurajë martesën dhe punoi që të ndihmonte bashkëshortin e saj në furnizimin e familjes. Pavarësisht kushteve të rënda ekonomike, ajo lindi dy djem, Hasanin, të madhin, dhe Husejnin që ishte i vogli.

Ajo ishte vajzë e dashur, bashkëshorte besnike dhe nënë e përkushtuar. Ajo u përball me vështirësitë e jetës pa u ankuar asnjëherë. Sa gra  mund ta bëjnë diçka të tillë sot?

Shembulli i Fatimes, si një grua muslimane, në rolet si vajzë, bashkëshorte apo nënë, vlen të ndiqet sot më shumë se kurrë.

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply