A është Muhamedi a.s superior në krahasim me profetët e tjerë?

A është Muhamedi a.s superior në krahasim me profetët e tjerë?

Kjo është një pyetje që ia vlen të shqyrtohet në mënyrë që të qartësojmë dhe saktësojmë muslimanët që besojnë këtë gjë dhe orientalistët që kritikojnë pa asnjë bazë muslimanët si tejet fanatik kundrejt profetit të tyre.

Nëse analizojmë vargjet kuranore, mund të na lindë mendimi sikur janë kontradiktorë në  këtë drejtim. Do të analizojmë disa vargje dhe do të përpiqemi t’iu japim përgjigje, kryesisht duke u mbështetur tek vetë Kur’ani dhe tradita profetike.

Vargu që përdoret kryesisht nga ata që kundërshtojnë faktin që Zoti e ka bërë të qartë pozitën e barabartë të profetëve është si më poshtë vijon:

Ju (besimtarë) thuani: “Ne i besuam All-llahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgamberëve, ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm atij i jemi bindur” (2:136)

Më pas kemi një tjetër varg, që është në dukje kontradiktor me vargun e mësipërm:

Këta (për të cilët të rrëfyem) janë të dërguarit, disa prej tyre i dalluam nga të tjerët, prej tyre pati që All-llahu u foli, disa i ngriti në shkallë më të lartë, Isait, birit të Merjemes i dhamë argumente dhe e përforcuam me shpirtin e shenjtë (Xhibrilin). E sikur të donte All-llahu, nuk do të mbyteshin ndërmjet vete ata (populli) që ishin pas tyre, pasi që atyre u patën zbritur argumentet, por ata megjithatë u përçanë. E pati prej tyre që besuan dhe pati të tillë që nuk besuan,e sikur të dëshironte All-llahu ata nuk do të mbyteshin, por All-llahu punon çka dëshiron. (2:253)

Muslimanët janë të bindur në besimin e tyre se nuk ka kontrdikta në Shpalljen e Zotit. Për këtë arsye duhet të kuptojmë se vargu i parë kuranor i referohet universalitetit të mesazhit kryesor të Zotit sipas të cilit njerëzit ftohen të adhurojnë vetëm një Zot, ndërkohë që vargu i dytë specifikon disa dhunti me të cilat Zoti bekoi disa profetë ndër të tjerët.

Provat mbi superioritetin e Profetit Muhamed a.s

Nuk ka pasur asnjë profet tjetër mbi të cilin Zoti është betuar: Pasha jetën tënde (Muhammed) (15:72)

E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam(Muhamedi) prej muslimanëve?” (41:33) Kush ishte më i zoti për elokuencën e tij se sa profeti Muhamed a.s?

E s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ai që ka sjelljen më të mirë. (49:13)

Muhamedi është më fisniku dhe më i ndershmi ndër njerëzit para Zotit dhe vargu kuranor i referohet atij.

Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit! (68:4) Realiteti i këtij komplimenti (Në shkallë të lartë të moralit) mund të deklarohet vetëm nga veë Krijuesi. Ne kemi dalluar disa pejgamberë nga të tjerët. (17:55).

Është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm. (17:79) Bëhet fjalë për një pozitë që do ta ketë vetëm profeti Muhamed dhe askush tjetër, pra për pozitën e ndërmjetësuesit që do të kërkojë falje për umetin e tij në Ditën e Gjykimit.

Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam. (33:56)

Që ju (njerëz) t’i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë ta përkrahni e ta respektoni, e (All-llahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje. (48:9).

Imam Neveviu, një dijetar i njohur islam, ka thënë se komentuesit e Kur’anit kanë dhënë dy kuptime për këtë varg kuranor. Njëri grup thotë se pjesa e parë (ta përkrahni dhe ta respektoni) i referohet profetit a.s, kurse pjesa e dytë (ta madhëroni cdo mëngjes dhe mbrëmje) i referohet Allahut. Ndërsa grupi tjetër argumenton se edhe pjesa e dytë i referohet po Muhamedit a.s (ta lartësoni) duke deklaruar që nuk ka asnjë cilësi negative dhe të luteni për të, të çoni salavate mëngjes e mbrëmje.

Për më tepër Ibn Uthejmije, një dijetar i respektuar musliman ka thënë: “Padyshim se profeti a.s është më i dashuri i Zotit, ai e do Allahun dhe Allahu e do atë. Për këtë ka një përshkrim më të mirë që cilësohet nga fjalët halil-Allah, që përkthehet Mik i afërt i Zotit. Profeti a.s ishte mik i afërt i Zotit dhe kjo vërtetohet nga fjalët e tij: Allahu më bëri mikun e Tij të afërt, ashtu siç bëri Ibrahimin a.s.

Profeti Muhamed është njohur me emra të tillë si: Khayru-l-Khalq , Krijesa më e mirë. Të tjetër emra të ngjashëm me kuptim të njëjtë janë: Khayru-l-Bariyya, Khayru Khalqillah, Khayru-l-`Alamina, Khayru-n-Nas, Khayru Hadhihi-l-Umma dhe Khiratullah. Këto emra tregojnë statusin e tij të lartë që nuk i është dhënë asnjë krijese para tij.

E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat. (21:107)

Kjo mëshirë nuk mund të transmetohet për të gjitha krijesat, përveç se përmes mesazhit të pacënuar dhe përcjellësit të shquar të këtij mesazhi.

Të tjerë vargje konfirmojnë pozitën e tij të lartë si vargjet: Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush. (2:143).

Ai është bekuar me gradën më të lartë të lavdisë në xhenet. Zoti thotë: Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtu që ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë). (14:4) 

Një varg tjetër kuranor thotë: Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dine. (34:28).

Profeti a.s ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt: Jam i përkrahur me futjen e frikës (kundra armiqve) në një distancë prej një muaji. Toka më është bërë vendfalje dhe e pastër. Çdo person nga umeti im kudo që e kap koha e namazit, falet. Më është lejuar plaçka e luftës, ndërkohë që atyre që kanë qenë para meje nuk iu është lejuar. Më është dhënë e drejta për të ndërmjetsuar. Çdo profet është dërguar vetëm për popullin e tij, ndërsa unë jam dërguar për të gjithë njerëzit.” (Buhariu)

Nëse mund të bëhet paralelizëm mes meje dhe profetëve të tjerë para meje, është si shembulli i dikujt që ka ndërtuar një shtëpi të këndshme dhe të bukur, përveç një guri që mungon në një qoshe të saj. Të gjithë njerëzit e tjerë e admirojnë bukurinë e shtëpisë, por thonë: “Kur të vendoset në vend ai gur që mungon, bukuria do të plotësohet.” Ai gur jam unë. Unë jam profeti i fundit ndër profetët. (Buhariu)

Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e All-llahu është i dijshëm për çdo send. (33:40)

Ne e dimë që nga krijimi i Ademit a.s, Zoti dërgoi shumë profetë. Në fakt muslimanët besojnë se numri i tyre ka qenë rreth 125.000. Secili prej tyre erdhi me mesazhin e monoteizmit dhe me mesazhe specifike për popullin e tij. Disa prej tyre erdhën me udhëzime të shkruara dhe një libër të shenjtë, kurse të tjerë thjesht duke përcjellë mesazhin. Me kalimin e kohës mesazhet dhe librat humbën, u deformuan dhe bashkë me to edhe urdhëresat e tyre. I vetmi libër hyjnor i ruajtur në këto ditë është Kur’ani, i cili ka mbetur i pandryshuar pasi Zoti e premtoi se ai libër do të ruhej përgjithmonë.

A nuk duhet të mendojmë se Ai që ka garantuar ruajtjen e këtij mesazhi, do të zgjidhte Krijesën e Tij më të mirë për ta mbartur këtë mesazh që ishte vula e profetëve që kishin ardhur para tij dhe mesazheve që ata kishin përcjellë?

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply