Ebu Bekri, i sinqerti

Ebu Bekri, i sinqerti

-Aisha Stacey

“Nëse do të më duhet të zgjidhja dikë si shokun tim më të afërt dhe më të ngushtë, ai do të ishte Ebu Bekri, edhe pse ai është vëllai dhe miku im.” Këto janë fjalët e Profetit Muhamed a.s, dhe Ebu Bekri ishte shoku i tij më i ngushtë në këtë botë. Ebu Bekri njihej si Es-sidik, I sinqerti. Fjala arabe Es-sidik nënkupton më shumë se thjesht një person që nuk mashtron, ajo identifikon një person që thotë dhe vepron vazhdimisht në përputhje me të vërtetën. Një person që e njeh të vërtetën, e pranon atë dhe qëndron i palëkundur në mbështetje të saj. Fjala Es-sidik nënkupton vërtetësi dhe sinqeritet në raport me veten, me njerëzit që të rrethojnë dhe mbi të gjitha me Allahun. Ebu Bekri ishte vërtet një burrë i tillë.

Profeti Muhamed shprehu dashurinë dhe respektin e tij të madh për Ebu Bekrin duke e shoqëruar këtë me konceptin e “shokut apo mikut më të afërt”. Fjala e përdorur në arabisht është khalil dhe nënkupton më shumë se thjesht miqësi, por një afërsi të ndjerë dhe të përzemërt që ngrihet mbi një lidhje të pathyeshme. Profeti Ibrahim a.s njihej si khalil (mik) i Allahut, ndërsa edhe vetë Profeti Muhamed a.s e rezervoi këtë fjalë për marrëdhënien e tij me Zotin. Megjithatë, lidhja e tij me Ebu Bekrin ishte e veçantë.

E Shkuara

Thëniet e Profetit a.s dhe historia e islamit na tregojnë se Ebu Bekri lindi më pak se dy vjet pas Profetit a.s. Të dy lindën në fisin e Kurejshëve, edhe pse i përkisnin klaneve të ndryshëm. Ebu Bekri lindi në një familje relativisht të pasur dhe u shqua që në rini si tregtar dhe shitës i suksesshëm. Ai ishte njeri i dashur dhe i ngrohtë që kishte rreth të gjerë shoqëror.

Ebu Bekrit i pëlqente të fliste dhe komunikonte me njerëzit që kishte përreth dhe ishte ekspert në gjenealogjinë arabe. Ai dinte emrat dhe vendndodhjet e të gjitha fiseve arabe si dhe njihte mirë cilësitë e tyre, të mira dhe të keqija. Ishin pikërisht këto njohuri që i lejonin të shoqërohej lehtësisht me njerëz të ndryshëm dhe të ushtronte ndikim të gjerë në shoqërinë mekase.

Kur Profeti Muhamed a.s u martua me bashkëshorten e tij të parë, Hatixhen, Ai dhe Ebu Bekri u bënë fqinj dhe zbuluan se ndanin shumë karakteristika të përbashkëta. Të dy ishin tregtarë dhe e kryenin veprimtarinë e tyre me ndershmëri dhe integritet.

Si Profeti Muhamed edhe Ebu Bekri i shmangeshin veseve dhe ndotësisë që sundonte në Arabinë paraislame, si dhe të dy refuzonin idhujtarinë. Ata u bënë si dy shpirtra binjakë që krijuan një miqësi të qëndrueshme dhe afatgjatë.

I Pari

Ebu Bekri ishte personi i parë që e pranoi mesazhin e Profetit a.s duke u bërë musliman. Kur dëgjoi se Profeti Muhamed kishte thënë se vetëm Allahu meritonte të adhurohej dhe se Ai ishte i dërguari i tij, Ebu Bekri e pranoi islamin pa më të voglin hezitim.  Për këdo që pranon islamin ose rigjen besimin e humbur, ka gjithmonë një pengesë, një çast hezitimi, por jo për Ebu Bekrin. Ëmbëlsia e besimit depërtoi në zemrën e tij dhe ai që njihej si I Sinqerti, njohu të vërtetën.

Në ditët e para të shpalljes së mesazhit islam, Profeti Muhamed a.s i ftonte njerëzit përreth tij në mënyrë të fshehtë. Profeti a.s e dinte që mesazhi i tij do të trondiste dhe egërsonte mekasit që ishin thellësisht të zhytur në injorancë. Ai donte të ndërtonte një grup ndjekësish që do ta përçonin gradualisht mesazhin, duke e shpërndarë atë në rrathë gjithmonë e më të mëdhenj. Kur 38 persona kishin pranuar islamin, Ebu Bekri shkoi tek Profeti a.s duke i thënë se donte ta shpallte publikisht mesazhin e islamit.

Profeti a.s refuzoi, duke menduar se numri i paktë i ndjekësve do t’i ekspozonte ata ndaj rrezikut. Megjithatë, Ebu Bekri këmbënguli dhe vijoi t’i kërkonte Profetit a.s, shokut të tij të ngushtë, që të bënte diçka të tillë. Kur Profeti a.s u urdhërua nga Allahu që ta bënte publik mesazhin e tij, Ai dhe Ebu Bekri shkuan në Qabe. Ebu Bukri u ngrit dhe deklaroi me zë të lartë, “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i tij.” Ebu Bekri ishte thirrësi i parë publik në Islam.

Kur Profeti Muhamed a.s ndërroi jetën, muslimanët u ndjenë të pashpresë, madje disa refuzuan ta pranonin këtë të vërtetë. Zemrat e tyre ishin të brengosura. Edhe pse i përfshirë nga hidhërimi, Ebu Bekri iu drejtua njerëzve. Duke lëvduar dhe lartësuar Allahun ai tha: “Ai që adhuroi Muhamedin le ta dijë se Muhamedi vdiq, ndërsa ai që adhuroi Allahun le të dijë se Allahu është i gjallë dhe nuk vdes kurrë.”

Pastaj ai recitoi këto ajete kur’anore:

“Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.” (Kur’ani 39:30)

“Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa, nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Kur’ani 3:144)

Gjatë kësaj krize të madhe, muslimanët e tronditur zgjodhën Ebu Bekrin si prijës të tyre. Ai ishte kalifi (prijësi) i parë i muslimanëve.

Nipi i Profetit a.s, Ali ibn Abu Talib, e lavdëroi Ebu Bekrin si njeriu i parë që pranoi islamin, dhe si të parin në kryerjen e çdo pune të mirë. Në islam, konkurrenca me njëri-tjetrin për të bërë mirë jo vetëm që pranohet, por edhe inkurajohet. Profeti Muhamed i këshilloi shokët e tij të mos jepen shumë pas çështjeve të kësaj bote, por të garojnë me njëri-tjetrin për të fituar parajsën e përjetshme. Historiani musliman, Taberaniu, citon Ibn Abasin të ketë thënë: “Ebu Bekri shkëlqente mbi shokët e tjerë të Profetit a.s në devotshmëri dhe drejtësi, në anashkalimin e të mirave tokësore dhe mbështetjen tek Zoti.” Nga thëniet e Profetit Muhamed mësojmë se Ebu Bekri do të jetë njeriu i parë që do të hyjë në parajsë pas profetëve të Zotit. Ebu Bekri ishte i pari në këtë botë dhe do të jetë i pari në botën tjetër.

Burimi: islamreligion.com

Leave a Reply