Dhjetëditëshi i parë i muajit Muharrem dhe dita e Ashurase

Dhjetëditëshi i parë i muajit Muharrem dhe dita e Ashurase

Në një hadith që transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a) thotë se Muhamedi (bekimi dhe paqja qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi më me vlerë pas Ramazanit është muaji i Allahut Muharrem.” Shënon Muslimi.

Brenda këtij muaji gjendet dita e ashures dhe ajo është dita e dhjetë e muajit Transmeton Abdullah Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) e agjëroi ditën e ashures dhe i urdhëroi të tjerët në këtë. Disa i thanë: “O i Dërguar i Allahut, kjo ditë është e madhëruar te çifutët dhe të krishterët.” Ai tha: “Kur të vijë viti i ardhshëm, inshallah, do ta agjëroj edhe ditën e nëntë (së bashku me të dhjetën)”. Transmetuesi tregon se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) vdiq dhe nuk e arriti vitin e ardhshëm. Shënon Muslimi.

Është e preferuar të agjërohet dita e dhjetë e këtij muaji

Ibën Muniri thekson se e sakta është se dita e ashures është dita e dhjetë e Muharremit, pasi edhe vetë fjala “Ashure” është nxjerrë nga fjala “ashere”- “dhjetë”. (“Fet`hul bari” IV\770; “Tenviru Havalik” I\269; “Nejlu eutar” II\313.)

Nga Abdullah Ibën Ebi Jezid transmetohet se ka dëgjuar Ibën Abasin, i cili është pyetur për agjërimin e ashurës dhe është përgjigjur: “Nuk di që pejgamberi ka agjëruar ndonjë ditë duke kërkuar vlerën e saj, se sa dita e ashurës dhe nuk ka agjëruar ndonjë muaj tjetër përveç këtij muaji (ka për qëllim muajin e Ramazanit).” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Agjërimi i kësaj ditë të bekuar ka vlera të shumta

Hadithi i Ebi Katade el Ensari, i cili transmeton se pejgamberi ka thënë: “E llogaris që dita e ashurës t’i falë mëkatet e vitit të kaluar.” Transmeton Muslimi dhe Ahmedi.

Agjërimi i kësaj dite është sunet dhe nuk është obligim Abdullah Ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Dita e ashurës është një ditë nga ditët e Allahut, ai që dëshiron ta agjërojë, le ta bëj atë, dhe ai që dëshiron të mos e agjërojë, le ta lë atë.” Muslimi. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Ashurja ishte një ditë që e agjëronin kurejshët në xhahilijet, edhe Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) e agjëronte. Gjithashtu, kur erdhi në Medine e agjëronte dhe i urdhëronte të tjerët ta agjërojnë. Kur zbriti obligueshmëria e agjërimit të muajit të Ramazanit, atëherë kush dëshironte e agjëronte dhe kush nuk donte nuk e agjëronte.” Buhariu.

Preferohet që t`i nxisim të vegjlit në agjërimin e kësaj dite Ashtu siç tregohet në hadithin e e Rebi bint Meudh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku thuhet: “Profeti (salallahu alejhi ue selem) në mëngjesin e hershëm të ditës së Ashurës e dërgoi në fshatrat e ensarëve një njeri që thërriste: “Kush është gdhirë sot duke mos qenë agjërueshëm. le ta vazhdoj ditën me agjërim, kurse kush është gdhirë agjërueshëm le ta vazhdojë atë”. Transmetuesja thekson: “Pas kësaj e agjëronim gjithmonë këtë ditë. Edhe fëmijët tanë agjëronin dhe u bënim atyre lodra nga pambuku, nëse ndonjëri nga ata qante ua jepnim ato (të luanin) deri sa të vinte koha e iftarit.” Buhariu dhe Muslimi.

Preferohet të agjërojmë një ditë para kësaj dhe një ditë pas

Transmeton Ibën Abasi se Muhamedi salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kundërshtoni çifutët duke agjëruar një ditë para dhe një ditë mbrapa.” Ahmedi dhe Ibën Uzejme.

Ibën Haxheri thotë: “Profeti (salallahu alejhi ue selem) kishte dëshirë të pajtohej me Ithtarët e librit (çifutët dhe krishterët) në ato gjëra që nuk urdhërohej, posaçërisht nëse ishte pyetja me ndonjë vepër që kundërshtoheshin idhujtarët. Por kur u çlirua Meka dhe u përhap Islami kishte dëshirë që t`i kundërshtojë edhe ithtarët e Librit. Gjithashtu, siç transmetohet në hadithe të sakta, agjërimi i ashures është nga kjo, ai njëherë u pajtua me ta duke thënë: “Ne kemi më shumë të drejtë për Musain, sesa ju.” Pasi çifutët e agjëronin ashuren duke thënë se në këtë ditë është shpëtuar Musai. Pastaj dëshiroi t`i kundërshtojë dhe urdhëroi që t`i bashkëngjitet një ditë para dhe një pas. (Fet`hu Bari IV\770)

Të agjëruarit e një dite para dhe një pas është e preferuar dhe jo obligim. Ibën Kajimi thotë: “Agjërimi i ditës së ashureve është tri forma: Më e plota është të agjëroj një ditë para dhe një pas, pastaj ta agjërojë ditën e nëntë dhe të dhjetë, ku shumica e haditheve tregojnë këtë formë dhe forma e fundit është ta agjërojë vetëm ditën e dhjetë (ashures)”. (Zadu mead II\75)

Leave a Reply