Bashkë me Profetin a.s në Ramazan

Bashkë me Profetin a.s në Ramazan

Allahu i Madhëruar ka dërguar Profetin Muhamed(a.s) si dëshmitar, përgëzues, qortues, thirrës në rrugën e Allahut dhe pishtar ndriçues për mbarë njerëzimin. Duke hedhur një vështrim një jetën e Profetit Muhamed (a.s) do ta gjejmë tek ai shembullin dhe modelin më të mirë. Nëse njerëzit mundohen të imitojnë njerëz të shquar, atëherë përse ne mos të krenohemi me personalitetin më të mirë që ka pasë historia e njerëzimit?!

Profeti Muhamed (a.s) është shembull dhe model i mirë në të gjithë aspektet dhe fushat e jetës, është shembull dhe model i mirë në fjalët dhe veprat e tij, është shembull dhe model i mirë në raportet me Krijuesin dhe me njerëzit, është shembull dhe model i mirë në adhurimin ndaj Allahut të Madhëruar. Nga udhëzimi i tij profetik le të shkëputim disa momente se si ai (a.s) e ka pasë përjetuar muajin e bekuar të Ramazanit.

I Dërguari i Allahut (a.s) gëzohej shumë kur muaji i Ramazanit afrohej.  Këtë gëzim ai e shfaqte në mesin e shokëve të tij duke u thënë: “Kur t’ju vijë muaji i Ramazanit, shejtanët prangosen, dyert e zjarrit mbyllen dhe dyert e Xhenetit hapen. Dikush do të thërrasë: O ti që kërkon të mirën, shfrytëzoje (Ramazanin) duke bërë punë të mira dhe ti që kërkon të kryesh të këqija, mos i kryej ato! Për Allahun, për çdo natë (të Ramazanit) ka njerëz të cilët shpëtojnë nga Zjarri.”[1] Me këto fjalë, ai (a.s) u jepte shpresë shokëve të tij se portat e mëshirës së Allahut të Madhëruar janë ende të hapura. U tregonte shokëve të tij se Ramazani është muaji ku besimtari duhet të krijojë raporte të drejta me Krijuesin duke u afruar tek Ai me sa më shumë punë të mira dhe duke u shmangur nga punët e liga. Ardhja e Ramazanit është një rast i volitshëm për çdokënd prej besimtarëve që të shpëtojë nga Zjarri dhe të hyjë në Xhenet. Ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Kush ka shpëtuar nga Zjarri dhe hyn në Xhenet, me të vërtetë ai ka fituar.”[2]

I Dërguari i Allahut (a.s) e pranonte dëshminë e atij njeriu që dëshmonte se e kishte parë hënën e re. Ai (a.s) e pranoi dëshminë e Ibn Omerit, ashtu sikurse njëherë tjetër pranoi dëshminë e një bedeuini. Nëse ndodhte që dikush nuk e kishte parë hënën e re, apo të dëshmonte, atëherë ai (a.s) i plotësonte 30 – të ditë nga muaji Shaban. Ai (a.s) i porosiste shokët e tij duke ju thënë: “Mos agjëroni derisa ta shikoni atë (hënën e re) dhe po ashtu mos e ndërpritni agjërimin derisa ta shikoni atë (hënën e muajit pas Ramazanit). E nëse ndodh që juve ju zihet shikimi i saj (hënës), atëherë llogariteni muajin të plotë.”[3] Sa fjalë të thjeshta dhe të qarta?! Me këto fjalë I Dërguari i Allahut (a.s) kërkon që t’ia lehtësojë dhe jo t’ua vështirësojë ymetit të tij punën e agjërimit. Përse sa herë që vjen Ramazani, njerëzit kompleksohen dhe ia vështirësojnë vetes, kur udhëzimi profetik është lehtësimi dhe jo vështirësimi?!

Nëse muslimani i fal pesë namazet rregullisht, po ashtu edhe Xhumanë dhe agjëron për çdo vit Ramazanin, atij i falen të gjitha gjynahet e mëkatet e vogla. Ky është mesazhi të cilin Profeti Muhamed (a.s) e përcjell tek agjëruesit. Njeriu në këtë botë është i destinuar që të gabojë e të mëkatojë, por gabimtari më i mirë është ai i cili kthehet tek Allahu duke u penduar dhe duke bërë vepra të mira. E ku ka vepër më të mirë se agjërimi i muajit të Ramazanit?!

Njeriu është një qënie që i kushton shumë rëndësi higjenës dhe pastërtisë trupore. Ai çdo ditë kujdeset për të larë dhëmbët. Edhe nëse nuk lahet çdo ditë, ai të paktën parfumoset dhe lyhet me erë të mirë me qëllim që njerëzit të mos largohen prej tij. Mirëpo ai  i cili agjëron gjatë gjithë ditës duke mos ngrënë dhe mos pirë, veçanërisht gjatë stinës së verës, nga goja i del një erë e keqe, prej të cilës njerëzit edhe mund të largohen. Ndoshta kjo erë e keqe e cila prodhohet gjatë agjërimit mund të jetë një shtysë që njeriu ta ndërpresë agjërimin.  Në lidhje me këtë erë të keqe, Profeti Muhamed (a.s) thotë: “Për Atë, në Duart e të Cilit është shpirti im, era e agjëruesit është më e mirë dhe më e dashur tek Allahu sesa era e miskut.”[4] Me këto fjalë, Profeti Muhamed (a.s) na tregon qartë se kjo erë e prodhuar për shkak të agjërimit ka shumë vlerë të madhe tek Allahu i Madhëruar. Me këto fjalë, Profeti Muhamed (a.s) dëshiron të na tregojë se më e rëndësishme për agjëruesin është adhurimi dhe bindja ndaj Krijuesit e se njeriu nuk duhet t’i kushtojë shumë rëndësi asaj gjëje që në pamje të parë duket e keqe, sepse realisht ajo në Ditën e Kijametit ka një erë më të mirë se era e miskut.

Lutja është një ndër armët më të forta që njeriu posedon. Ajo është një prej adhurimeve më madhështore, sepse tregon thjeshtësinë, modestinë dhe përulësinë e njeriut përpara Krijuesit. Allahu i Madhëruar thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë. Mos bëni çrregullime në tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.”[5]  Nuk ka dyshim se lutja pranohet tek Allahu i Madhëruar në çdo kohë dhe në çdo vend, por në disa kohë apo vende të veçanta, ajo është më e pranuar. I Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s) na tregon dhe thotë se: “Tre lutje nuk kthehen mbrapsht: Lutja e agjëruesit derisa ta çelë, lutja e atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e udhëtarit.” [6] Më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e kësaj lutje e di vetë Profeti (a.s) i cili në ditën e 17-të të Ramazanit, në betejën e Bedrit do t’i ngrinte duart lart dhe do t’i lutej Allahut të Madhëruar me përgjërim: “O Zoti im, plotësoje premtimin Tënd që ma ke dhënë. Të lutem, o Zoti im, na ndihmo, ne fuqimisht besojmë në fjalën Tënde. O Zoti im, nëse ky grup njerëzish (besimtarësh) e pëson sot, atëherë të tjerët nuk do të besojnë. O Zoti im, nëse Ti do, mund të bësh që prej sot kurrë më askush mos të të besojë.”[7] E Allahu i Madhëruar e mbajti premtimin e iu përgjigj lutjes së të Dërguarit të Tij duke bërë që muslimanët të triumfonin në këtë betejë vendimtare. Gjatë çlirimit të Mekës që ka ndodhur në vitin 8 të hixhretit në muajin e begatë të Ramazanit, Profeti (a.s) do të lutej: “O Zoti im, mos lejo që kurejshët të dëgjojnë dhe të shohin gjë, gjersa t’i befasojmë në vendin e tyre.”[8] Distanca midis Medinës dhe Mekës është shumë e madhe dhe të imagjinosh se lëvizja e Profetit (a.s) ka qenë e drejtpërdrejtë dhe me një ushtri prej dhjetë mijë vetësh, është e pamundur që ajo mos të merret vesh, por Profeti (a.s) e di mjaft mirë rëndësinë e muajit në të cilin ndodhej.

Muslimani, në këtë botë, përpiqet që me fjalët dhe veprat e tij të fitojë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Ai çdo adhurim e kryen vetëm për hatër të Zotit sepse e di shumë mirë që shpërblim e merr vetëm tek Ai dhe askush tjetër. Ndonjëherë mund të ndodhë që muslimani ta përziejë nijetin gjatë një adhurimi qoftë ky adhurim edhe agjërimi i muajit të Ramazanit. Mirëpo Profeti (a.s) na rifreskon memorien duke thënë në hadithin kudsij: “Të gjitha punët e mira të birit të Ademit shumëfishohen nga 10 deri në 700 fish. Allahu thotë: Përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të.”[9] Duke lexuar me vëmendje jetën e Profetit (a.s) do të gjejmë se të gjitha llojet e adhurimit që ai i ka pasë kryer i ka pasë kryer vetëm për hatër të Zotit duke kërkuar shpërblimin vetëm prej tij. Prandaj në fund të ditës së agjërimit ai (a.s) thoshte: “Vetëm për Ty o Zot kam agjëruar..” duke treguar qartë se agjërimi i asaj dite ka qenë vetëm për Allahun e Madhëruar dhe askënd tjetër.

Ashtu sikurse lutja, adhurimi, dhe bamirësia e Profetit (a.s) është shembulli më i mirë për çdo besimtar që e beson Allahun, Ditën e Fundit dhe e kujton shumë Allahun me dhikër, po ashtu edhe ngrënia e syfyrit dhe çelja e iftarit nga ana e tij është shembull për të gjithë ne. Profeti (a.s) ka thënë: “Ngrënia e syfyrit është bereqet, prandaj mos e lini edhe sikur të pini një gllënjkë ujë, sepse Allahu i bekon ata që hanë syfur kurse ëngjëjt luten për ta.”[10] Koha e syfyrit është koha më me bereqet sepse është koha ku Allahu i Madhëruar zbret në qiellin e dynjasë dhe i përgjigjet lutjes të atij që i lutet, e pranon pendesën e atij që pendohet, e fal atë që i kërkon falje dhe e ndihmon atë që i kërkon ndihmë. Ngrënia e syfyrit është e bereqetshme sepse ai i cilia ha syfyr e ka më të lehtë për ta përballuar urinë dhe etjen si dhe ka më energji për të kryer adhurimet e ndryshme gjatë ditës. Në kohën e iftarit, Profeti (a.s) na udhëzon që të ngrejmë duart në qiell sepse duaja e agjëruesit në këtë kohë është e pranuar. Profeti (a.s) na tregon se në kohën e iftarit agjëruesi ka dy gëzime; një gëzim që e çel iftarin, dhe gëzimi tjetër kur të takohet me Allahun e Madhëruar në Ditën e Kijametit. Çelja e iftarit me hurma apo ujë është pjesë e udhëzimit profetik që na orienton drejt ngrënies së një iftari sa më të lehtë; sa më të lehtë për stomakun dhe sa më të lehtë për të falur namazin e teravive.

Kur hynte muaji i begatë i Ramazanit, I Dërguari i Allahut (a.s)i shtonte më shumë punët dhe veprat e mira. Këtë muaj, – ndryshe nga muajt e tjerë – ai (a.s) e specifikonte vetëm për adhurim, saqë kishte raste që ai e adhuronte Allahun e Madhëruar ditën dhe natën pandërprerë. Leximi i Kuranit me Xhibrilin gjatë këtij muaji, bujaria e tij e madhe, adhurimi i pandërprerë, falja e namazit të teravive dhe natës, përjetimi i dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit me adhurim, itikafi i tij gjatë këtë dhjetëditëshi sinjalizojnë për shpirtin e garës dhe konkurencës midis muslimanëve për të kryer sa më shumë vepra të mira  dhe për ta shfrytëzuar të mirën e këtij muaji deri në maksimum. Allahu i Madhëruar thotë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqënie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. Për ata, që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut?! Dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë vepra të bukura.”[11]

Këto ishin disa copëza të shkëputura nga udhëzimi profetik në lidhje me agjërimin e muajit të Ramazanit. Le t’i përjetojmë këto ditë të këtij muaji, ashtu sikurse i ka përjetuar vetë i Dërguari i Allahut (a.s) për të përfituar sa më shumë nga mirësitë dhe begatitë që ky muaj sjell.

Elton Harxhi

Burimi: ardhmeriaonline.com

Leave a Reply