Ali ibn Ebu Talib, gjykatësi i urtë

Ali ibn Ebu Talib, gjykatësi i urtë

-Suzana Nabil Saad

E dini historinë e Ali ibn Ebu Talibit, kushëririt të Profetit Muhamed a.s, shokut të tij më të ri që pranoi islamin dhe kalifit të 4-ët?

Kjo histori s’mund të tregohet pa thënë më parë atë të kushëririt të tij; Profetit Muhamed a.s, këshilltarit të zgjuar që qëndron pas madhështisë së këtij sahabi të ri.

Babai i Profetit a.s vdiq para se ai të lindte, ndërkohë që pas pak vitesh atij i vdiq edhe nëna. Xhaxhai i tij, Ebu Talib, e konsideroi  Profetin a.s si djalë dhe e rriti bashkë me fëmijët e tij.

Më vonë, në shenjë mirënjohjeje, kur Profeti a.s krijoi familjen e tij, vendosi të rriste dhe edukonte më të voglin e fëmijëve të Ebu Talibit; Ali ibn Ebu Talibin.

Ku mund të gjente Aliu shtëpi më të mirë se shtëpia e Sadik Eminit (të ndershmit, të sinqertit), vulës së Profetëve; shtëpisë së Muhamed ibn Abdullahut, të cilin Allahu e lavdëron në librin e tij të shenjtë: “Padyshim ti do të jesh i shpërblyer, sepse ti je me virtyte madhore.” (Kur’ani 68:4)

Profeti i zgjuar dhe pasuesi i tij i ri

Aliu u mbrujt me cilësitë e dalluara të Profetit Muhamed, si dhembshuria, urtësia, ndershmëria, sinqeriteti dhe guximi.

Duke përfituar nga nderi dhe mundësia që të rritej dhe edukohej nga Profeti Muhamed a.s dhe bashkëshortja e tij Hatixhe bin Huajlid (gjithashtu e njohur për trashëgiminë e saj fisnike dhe natyrën modeste), ai mundi të zhvillojë dhe ruajë një karakter të balancuar islam. Shumë shpejt, ai u shndërrua në model dhembshurie, urtësie, ndjeshmërie, sinqeriteti dhe kuraje, për të bashkëkohësit.

Shoku më i ri që pranoi islamin

Kur Aliu ishte 10 vjeç, Muhamedit nisi t’i zbriste shpallja. Duke parë kushëririn e tij dhe Hatixhen që luteshin, djali pyeti i habitur çfarë po bënin.

“Ishim duke ardhuruar Allahun, të vetmin”, ishte përgjigja që mori, dhe Muhamedi i shpjegoi islamin në mënyrë të thjeshtë.

Me një urtësi të rrallë për moshën e tij, Aliu u përgjigj se duhet të mendohej, dhe u largua për të peshuar dhe reflektuar mbi  atë që kishte dëgjuar dhe parë. Të nesërmen në mëngjes u kthye me mendjen të ndarë dhe pranoi islamin.

“Këmbët e mia janë të sëmura dhe holla”, tha ai, “megjithatë do të qëndroj përkrah teje o I Dërguar i Allahut!”.

Djali i ri jo vetëm që u rrit në shtëpinë e Profetit, po gjithashtu vendosi me vullnet të lirë të pranonte islamin. Ai nuk bëri thjesht ashtu siç i thanë, siç mund të bëjnë shumë djem të moshës së tij, por pranoi islamin me mendje dhe me zemër, plotësisht i lirë dhe i pandikuar.

Guximi i Ali ibn Ebu Talibit

Profeti Muhamed rriti një burrë të guximshëm dhe të fuqishëm, me orientim të qartë drejt qëllimit të tij në jetë dhe me zemër të mbushur me dashuri të sinqertë për Allahun dhe jetën e përtejme.

Me përjashtim të betejës së Tebukut, Aliu mori pjesë në të gjithë betejat e zhvilluara në rrugë të Allahut. Ai ishte ndër më të guximshmit në çdo betejë që mori pjesë.

Në prag të betejës së Hajberit, Profeti a.s tha: “Do t’ia jap flamurin një personi që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe që Allahu dhe i Dërguari e Tij gjithashtu e duan.”

Umeri thotë: “Përpara asaj dite, nuk më kishte pëlqyer kurrë të më caktonin si prijës.”


Të nesërmen Profeti a.s thirri Aliun dhe i dha flamurin.
(Buhariu)

Historia më e treguar, nga një brez në tjetrin, shpalos qartë guximin, sinqeritetin dhe dashurinë e tij për Profetin a.s. Aliu e vendosi veten në një situatë të rrezikshme ku e kishte të pamundur të mbrohej, duke rrezikuar jetën e tij. Ai u bë pjesë e një dredhie për të bërë armiqtë e islamit të besonin se ai ishte Profeti Muhamed, duke u shtrirë në shtratin e tij, me qëllim që t’i jepte Profetit Muhamed kohë të mjaftueshme për të emigruar në Medinë.

Ai gjithashtu qëndroi në Mekë njëfarë kohe pas kësaj ndodhie, në zbatim të amanetit (besës) për t’i kthyer sendet dhe pasuritë e lëna me mirëbesim tek Profeti a.s për ruajtje, tek pronarët e tyre të ligjshëm.

Martesa me Fatimen

Pak kohë pas martesës me Fatimen, vajzën e Profetit a.s, Allahu i begatoi me fëmijën e parë. Sapo dëgjoi lajmin, Profeti a.s shkoi në shtëpinë e tyre dhe i këndoi fëmijës ezanin si dhe ikametin.

Në ditën e shtatë, Profeti e pyeti Aliun si e kishte quajtur djalin? Aliu iu përgjigj Harb, që në arabisht do të thotë luftë. Jo, tha profeti. Ai është El-hasen, që në arabisht do të thotë I Mirë dhe I bukur. (Albani)

Profeti a.s, këshilluesi i zgjuar dhe i urtë, i ofroi Aliut një zgjedhje më të mirë, duke zbutur entuziasmin dhe prirjen e tij kah lufta.

Fjalët e urta të Ali ibn Ebu Talibit

Profeti a.s ka thënë: “Më i dhembshuri në bashkësinë time, ndaj bashkësisë time, është Ebu Bekri; më i vendosuri në fenë e Allahut është Omeri; më i sinqerti në modestinë e tij është Othmani; dhe më i sakti në gjykim është Aliu.” (Tirmidhiu)

Mes urtësive të Ali ibn Ebu Talibit të përcjella nga Ebu Nuajm me zinxhirin e tij janë:

“Mirësia nuk qëndron tek pasuria e shumtë dhe fëmijët, por tek të bërit shumë vepra të mira, fuqizimit të karakterit bujar dhe stolisjes së vetes përpara njerëzve me adhurimin e Allahut. Nëse bëni mirë, lëvdoni Allahun, nëse gaboni, kërkoni faljen e Tij.

Në botë nuk ka të mirë përveç asaj të bërë nga dy lloje njerëzish: dikush që mëkaton dhe e pason këtë me pendim, dhe dikush që garon për të bërë të mira. Ajo që bëhet me maturi për hir të Zotit nuk është kurrë e paktë apo e vogël. Si mund të jetë e vogël diçka që pranohet nga Allahu?”

Nga Ebu al-Zagl mësojmë se ai ka thënë: “Le të mos shpresojë asnjë shërbëtor veçse tek Zoti i tij; të mos i frikësohet asgjëje veç mëkateve të tij; le të mos turpërohet asnjë i paditur që pyet për diçka që nuk e di; le të mos turpërohet asnjë i ditur të thotë se Allahu e di më së miri; dhe durimi në raport me besimin është si koka me trupin, nuk ka besim ai person që nuk ka durim.”

Nga Muhaxhir ibn Umejri: “Ajo që më frikëson më shumë është ndjekja e dëshirave të kota dhe shpresa boshe. Të parat pengojnë rrugën tek e vërteta, ndërsa e dyta shkakton anashkalim dhe shkujdesje ndaj jetës së përtejme. Në të vërtetë, kjo botë na tërheq drejt vetes, ndërsa jeta e përtejme udhëton drejt nesh, dhe secila ka bijtë e saj. Bëhuni bij të botës së përtejme dhe jo të kësaj bote. Sot ka vepra pa llogari, ndërsa nesër do të ketë llogari pa vepra.”

Kalifati i Ali ibn Ebu Talibit

Kur Profeti a.s e dërgoi Aliun në Jemen, Aliu i tha: “O I Dërguari i Allahut, po më dërgon mes njerëzve që janë më të moshuar se unë që të gjykoj mes tyre? Profeti a.s u përgjigj: “Shko, sepse Allahu do të fuqizojë gjuhën dhe udhëzojë zemrën tende!”. Aliu tregon: “Pas kësaj, nuk pata më asnjë dyshim për mënyrën si duhet të gjykoja mes dy palëve.” (Ibn Maxheh)

Profeti Muhamedi e edukoi Aliu me cilësitë e nevojshme për misionin e tij themelor. Ai ishte i devotshëm, i zgjuar, i ndershëm dhe i guximshëm.

Aliu u bë kalifi i katërt dhe i fundit. Megjithatë, kalifati i tij erdhi në një periudhë tejet të ndjeshme dhe të luhatshme, pas vrasjes së Othman ibn Afanit dhe të tjera trazirave që kishin përfshirë bashkësinë e muslimanëve.

Qëndrimet e Aliut mbi këto çështje u shoqëruan me opinione të ndryshme dhe shpesh mospajtime. Kalifati i tij zgjati pak (nga viti 656-661), duke përfunduar me vrasjen e një tjetër prijësi të shquar të muslimanëve.

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply