Aishja: Dijetarja dhe bashkëshortja e Profetit të Islamit

Aishja: Dijetarja dhe bashkëshortja e Profetit të Islamit

-Yasmina Blackburn

Ajo është quajtur “vajza më e sinqertë e më të sinqertit”.
Ajo ishte më e devotshmja. Më e bukura. Dhe ajo u martua me Profetin Muhamed a.s, pasi atij i zbriti shpallja.

Historia e Aishe bint Ebu Bekr r.a, është një histori lartësimi, qëndrese, dijeje dhe dashurie. Ajo i përcolli njerëzimit mbi 2.000 hadithe (thënie të Profetit a.s) dhe është një nga figurat më të jashtëzakonshme të historisë islame.

Bashkëshortja e parë e Profetit, Hatixhja, e mbështeti atë gjatë fillimit të profetësisë së tij në Mekë, në ditët më të vështira të jetës së tij, deri në çastin që ajo ndërroi jetë. Aishja e mbështeti Profetin a.s pas emigrimit në Medinë, përgjatë betejave dhe shpalljes së revelatës hyjnore, deri në vdekjen e tij.

Kontekstualizimi i teksturës sociale të kohës së Profetit është një çështje tejet kritike kur diskutohet mbi Aishen. Historia e saj është keqpërdorur për të diskretituar Profetin a.s, duke këmbëngulur rrejshëm në faktin se ajo ishte një bashkëshorte minorene.

Cila është historia e vërtetë e Aishes?
Disa fakte të jashtëzakonshëm mbi Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të:

Ekzistenca e saj ishte hyjnore

“Martohu me të, sepse ajo është bashkëshortja jote”, i shpalli engjëlli Xhebrail, Profetit a.s, ndërsa në Medinë ndërtohej xhamia dhe civilizimi islam kishte nisur të lulëzonte.

Martesa e Profetit a.s me Aishen ishte një vendim hyjnor. Ishte me plot fjalën fjalën një “bashkim i kurorëzuar në parajsë”.

Muhamedi a.s e pa Aishen në ëndërr. Babai i saj, shoku i Profetit a.s, Ebu Bekri, ishte entuziast për martesën. E konsideruar si “nënë e besimtarëve”, ai e trajtoi atë me nderime të mëdha. Muhamedi kishte edhe bashkëshorte të tjera (të divorcuara ose vejusha), diçka kjo e zakonshme për periudhën, pasi gratë në epokën paraislame nuk zotëronin asnjë të drejtë. Gratë trajtoheshin si pronë dhe martesa ishte çështje mbijetese. Aishja ishte bashkëshortja e vetme e tij që nuk kishte qenë e martuar dhe që as u martua pas vdekjes së tij.

Ajo ndihmoi në konsolidimin e të drejtës së grave për të zgjedhur bashkëshortët e tyre

Periudha paraislame njihet si epoka e xhahilijetit, apo e injorancës. Gjatë kësaj kohe, ishte praktikë e zakonshme që gratë të mos pyeteshin mbi personin me të cilin duhet të martoheshin, duke u detyruar të pranonin zgjedhjen e bërë nga baballarët e tyre, apo personat që i kishin nën përgjegjësi. Gratë drejtoheshin tek Aishja për problemet e tyre jetësore, gjithashtu edhe për këshilla në lidhje me martesën. Kur një vajzë erdhi tek Aishja, dhe shprehu pakënaqësinë e saj që babai po e detyronte ta martonte pa e konsultuar, Aisha ia përcolli çështjen Profetit a.s i cili për herë të parë vendosi se vendimi mbi zgjedhjen e bashkëshortit dhe martesën i takonte gruas. Edhe pse sot e kësaj dite vijojnë të kryhen martesa të paracaktuara, që rezultojnë të frytshme ose jo, duhet të kemi parasysh që martesat e imponuara janë të ndaluara në islam.

Përvojat e saj jetësore rezultuan në dekrete kur’anore që favorizojnë gratë

Aishja e luftoi shpifjen gjatë gjithë jetës, deri në vdekjen e saj. Gjatë udhëtimit të një karvani ushtarak që kthehej në Medinë, nga një fushatë e quajtur Benu Mustalik, Aisha u shkëput padashje dhe mbeti mbrapa, ndërsa po kërkonte varësen e humbur të motrës së saj. E gjetur dhe e shpëtuar nga një ushtar, shpejt u përhapën fjalë se ajo kishte shkelur shenjtërinë e kurorës martesore. Tregohet se Aishes i ranë të fikët kur kuptoi peshën e shpifjes që ishte përhapur kundër saj. Profetit a.s i zbriti shpallja hyjnore – sot e njohur si surja Nur – që jo thjesht konfirmoi pastërtinë dhe ndershmërinë e Aishes, por gjithashtu paralajmëroi ata që ushqyen përhapjen e një shpifjeje të tillë. Në islam, akuzat e padrejta apo shpifja ndaj nderit të personave është një vepër tejet e rëndë.

Aishja u akuzua padrejtësisht njësoj si Maria dhe Jozefi. Përvoja e saj e hidhur rezultoi në mbrojtjen kur’anore të të gjitha grave ndaj akuzave dhe shpifjeve të padrejta.

Ajo ishte në frontin e luftës

Në përputhje me titullin “nënë e besimtarëve”, Aishja ishte kurajoze dhe rreshtohej me vendosmëri në frontin e luftimeve përkrah bashkëshortit të saj, pa u menduar dy herë. Ajo mori pjesë ne betejat e Uhudit, Al-Kandakut, Beni Kurejzës, Beni Mustalikut, Hudajbijes dhe në çlirimin e Mekës.

Ajo kujdesej për të plagosurit dhe furnizonte ushtrinë me ujë. Aishes i atribuohet shpallja e sures En-Nisa që përfshin tejemumin ose përdorimin e rërës dhe dheut për të marrë abdes (larja rituale e muslimanëve përpara lutjes) në rastet kur mungon uji.

Ajo sfidonte dijetarët e kohës së saj

Aishja nuk dorëzohej lehtë. Ajo ishte e vendosur, vinte gjithçka në pikëpyetje dhe nuk besonte asgjë derisa ajo të provohej përtej çdo hije dyshimi. Intuita e saj e thellë i mundësonte të kuptonte me zgjuarsi motivet që qëndronin pas atyre që njerëzit thoshin dhe bënin. Aishja falej me Të Dërguarin e Allahut, duke e mësuar islamin nga çastet e tij më intime dhe personale. Ajo ishte e pranishme në hytben e famshme të lamtumirës. E pajisur me kujtesë të jashtëzakonshme, ajo ishte një thesar dijeje që rrezatonte urtësi dhe drejtësi të paanshme dhe parimore. Ajo gjithashtu jepte fetva (vendime mbi çështje të paqarta)

Poetike dhe tejet elokuente, dijetarët nxitonin të merrnin pjesë në leksionet e Aishes. Ajo ishte një mësuese si asnjë tjetër, me një dhunti hyjnore për të folur qartë dhe bukur.

Një histori e vërtetë dashurie

Aishja nuk hezitoi asnjë çast të ishte bashkëshortja e Profetit a.s. Ajo e donte shumë atë. Aishja kalonte çaste të këndshme dhe të mbushura me dashuri me bashkëshortin e saj. Ajo ushqente edhe pak xhelozi të padëmshme dhe krejt njerëzore ndaj bashkëshortes së parë të profetit, Hatixhes. Hatixhja kishte një vend të veçantë në zemrën e Profetit a.s sepse ishte njeriu i vetëm që e mbështeti në ditët e tij më të errëta. Megjithatë, dashuria e tij për Aishen ishte aq e thellë sa i dhuronte atij gëzim të vërtetë. Profeti a.s vdiq në gjirin e Aishes. Pas vdekjes së tij, Aishja vajtoi dhe e përjetoi thellë humbjen, duke mos u martuar kurrë më.

Ajo dëshmoi mijëra mrekulli dhe pa engjëllin Xhebrail

Aishja ishte e vetmja bashkëshorte e Profetit që dëshmoi zbritjen e shpalljes tek Profeti a.s. Ajo e pa dy herë engjëllin Xhebrail në formë njerëzore dhe u përshëndet me selam (paqe) prej tij.

Ajo nuk ishte minorene

Edhe pse ka kundërshti mbi moshën e Aishes në çastin e fejesës, martesës dhe konsumimit të saj, gjurmimi i ndodhive historike në kohën e saj, po ashtu edhe koha e vdekjes, tregojnë se ajo ishte rreth 14-15 vjeçe në moshën e fejesës dhe 17-18 kur konsumoi martesën. Për kohën që flasim, pra përpara 1400 vitesh, kjo ishte mosha normale e martesës.

Aishja, kampione e islamit

Aishja e kaloi jetën e saj si kampione e islamit. Jetë e saj ishte thellësisht shpirtërore, duke e ditur se do të shërbente si shembull për njerëzimin, dhe udhëhiqej nga dëshira e zjarrtë për t’u bashkuar në amëshim me bashkëshortin e saj. Ditët e saj ishin të mbushura me bamirësi dhe agjërim. Ajo jetonte me modesti dhe shpërndante dritën e dijes islame në çdo hap të sajin. Njerëz të të gjitha kategorive i drejtoheshin asaj për këshillim sa kohë që ishte gjallë. Aishja mbetet një yll ndriçues në historinë islame, një dhuratë për njerëzimin.

Burimi: huffingtonpost.com

Leave a Reply