6 shenja që tregojnë se e doni Profetin Muhamed a.s

6 shenja që tregojnë se e doni Profetin Muhamed a.s

Si muslimanë, ne jemi urdhëruar që ta duam Të Dërguarin a.s dhe ta ndjekim në rrugën e tij pa devijime apo shpikje në fe, në mënyrë që të adhurojmë Allahun ashtu siç na urdhëron.

Sidoqoftë, ndonjëherë, për fat të keq, pretendimet tona se e duam Atë nuk janë fort të bazuara, prandaj ka disa shenja përmes të cilave mund të reflektojmë dhe analizojmë sa shumë e duam në të vërtetë qenien më të madhe njerëzore që ka ecur mbi këtë tokë, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Të.

Në vijim do të lexoni 6 shenjë që tregojnë sa e doni Profeti a.s.

  1. Ndiqni mesazhin që ai përcolli (Kur’anin)

Kjo përfshin recitimin, studimin dhe zbatimin e rregullave që Krijuesi ka shpallur përmes Të Dërguarit të tij. Besimi në librat e shenjtë është njëra pjesë e besimit, ndërsa zbatimi dhe ndjekja e tyre në jetën e përditshme është pjesa tjetër, që e plotëson atë.

Këshillë*: Studiojeni çdo ditë Kur’anin. Recitojeni, kuptojeni, zbatojeni dhe memorizoni aq sa të mundeni.

  1. Ju pëlqen ta ndiqni sunetin (traditën e Profetit a.s)

Dashuria për sunetin, si rrjedhim edhe për Të Dërguarin e Allahut, varion ndër njerëz të ndryshëm. Sa më shumë ta doni sunetin, aq më të shumta do të jenë përpjekjet tuaja për ta materializuar atë në jetën tuaj. Nuk do të dëgjoni kurrë shprehjen “është thjesht sunet” të dalë nga goja juaj, sepse do të jeni të angazhuar të bëni gjithçka mundemi që të ndiqni rrugën e Tij. Përkundrazi, sa herë që dëgjoni për një sunet, do të nxitoni ta zbatoni. Kur mësoni se diçka bie në kundërshtim me sunetin, do të përpiqeni t’i qëndroni sa më larg, përndryshe mund të përfundoni duke shtuar apo shpikur diçka në fe (bidat). Gjithashtu, duhet të siguroheni se ajo që bëni rregullisht është e pranuar dhe e bazuar në Kur’an dhe në sunet.

  1. Studioni sirën (jetëshkrimin e Profetit a.s) dhe nxisni që edhe të tjerët ta bëjnë këtë

Çdo musliman duhet të studiojë jetën e Profetit a.s; dhembshurinë, dashurinë, përkushtimin, sinqeritetin, bukurinë dhe karakterin e tij të lartë, shqetësimet e tij për umetin islam, dhe vuajtjet e tij për të përcjellë mesazhin islam tek pjesa tjetër e botës. Shokët e Profetit a.s ia mësonin që në moshë të vogël fëmijëve të tyre jetëshkrimin e Profetit a.s. Kjo është një nga shenjat kryesore që tregon se e doni Profetin a.s, sepse doni të dini gjithmonë e më shumë mbi Të dhe jetën e Tij. Shpesh do të gjeni se ata që e duan Atë, e studiojnë vazhdimisht jetëshkrimin e tij.

Këshillë*: Studiojeni jetëshkrimin e Profetit a.s nga një burim autentik dhe me reputacion. Sot ekzistojnë burime të shumta, prandaj s’ka asnjë justifikim për mosleximin e një versioni të përmbledhur të jetës së tij, ose mosdëgjimin e një serie ligjëratash me këtë temë.

  1. Dërgoni lutje dhe urime mbi Profetin a.s

Të thuash “paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të” sa herë përmendet Ai, është një nga format e përshëndetjes dhe përkujtesës për Profetin tonë të dashur. Sa herë e bëni këtë, Allahu xh.sh do t’ju dërgojë 10-fish bekime dhe begati në jetën tuaj. Për më tepër, sa herë që dërgoni përshëndetje dhe urime për të, një engjëll që qëndron pranë Profetit a.s ia dërgon atij lutjet tuaja. Së fundmi, sa më shumë lutje t’i drejtoni Atij, aq më pranë Tij do të qëndroni në Ditën e Gjykimit, dhe aq më shumë do të përfitoni nga ndërmjetësimi i tij në atë ditë të vështirë për këdo.

Këshillë*:Përpiquni të bëni zakon dërgimin e 10 lutjeve mbi Të në mëngjes dhe në darkë dhe mos harroni të luteni dhe ta uroni sa herë që ta kujtoni ose të përmendet emri i tij.

  1. Doni njerëzit dhe gjërat që Ai donte

Kjo përfshin adhurime (agjërimin të hënave dhe të enjteve) dhe sunete të tjera (si përdorimi i misvakut) si dhe shprehjen e dashurisë ndaj njerëzve që Ai i donte dhe ata e donin, të tillë si Ebu Bekri, Omeri, Uthmani, Aliu, familja  e tij, dhe sahabët në përgjithësi. Ky është një test lakmuesi për shumë njerëz që deklarojnë se e duan Profetin a.s, por besojnë shpifjet që i mvishen padrejtësisht shokëve të tij fisnikë.

  1. Përkujtoni shpesh jetën e Tij dhe dëshironi të jeni pranë Tij

Kur e doni dikë, ju ndodh të mendoni shpesh për të. Sa më shumë ta doni Profetin a.s, aq më shumë do t’i referoheni jetës së tij, dhe aq më shumë do t’i luteni Allahut që t’ju bashkojë me të në amëshim, në gradat më të larta të parajsës.

O Allah, na dhuro dashuri të sinqertë dhe të plotë për Të Dërguarin tënd dhe sunetin e Tij, dhe na mundëso të ndjekim rrugën e Tij në këtë botë dhe të qëndrojmë përkrah tij në botën e përtejme. Amin!

Nga Sulejman Salem

Burimi: ilmfeed.com

Leave a Reply