5 mënyra si agjërimi ndikon mbi trupin tonë

5 mënyra si agjërimi ndikon mbi trupin tonë

Muaji i Ramazanit është muaji i agjërimit dhe lutjeve për 1.6 miliard muslimanët e botës. Për 30 ditë, agjëruesit heqin dorë nga uji dhe ushqimi, nga agimi deri në mbrëmje, duke e thyer agjërimin vetëm pasi dielli ka perënduar.

Rituali i agjërimit nuk është unik për Islamin. Për hindutë dhe xhainistët (besim i lashtë indian), agjërimet njëditore janë një mundësi për të pasur mbarësi. Gjatë 40 ditëve të kreshmës, të krishterët agjërojnë në mënyrë të pjesshme. Çdo vit, në natën përpara Jom Kipurit, hebrenjtë fillojnë një periudhë 25 orëshe gjatë të cilës agjërojnë dhe luten. Mormonët janë të inkurajuar të agjërojnë një ditë të çdo muaji.

Por, ndërsa rëndësia shpirtërore e agjërimit është gjerësisht e njohur, efektet e tij fizike mbi trupin janë më pak të eksploruara. Si fillon të ndryshojë organizmi njerëzor kur është i kufizuar sistematikisht nga ushqimi dhe uji, veçanërisht gjatë ditëve të gjata dhe të nxehta të këtij Ramazani që kryehet gjatë verës? A ka ndonjë përfitim biologjik që shoqëron ato shpirtërore? Më poshtë mund të lexoni disa përgjigje për këtë pyetje.

Shëndeti i zemrës dhe parandalimi i diabetit

Një studim i vitit 2008 i realizuar në Utah zbuloi se njerëzit që agjërojnë rregullisht, ulin rrezikun e prekjes nga sëmundjet koronare të zemrës. Në vitin 2014, një studim pasues zbuloi se agjërimi nxit ndryshimet metabolike dhe ul nivelet e padëshiruara të kolesterolit, çka si rezultat mund të reduktojë me 58% prekjen nga sëmundjet e zemrës. Studimi gjithashtu tregoi rënie të nivelit të sheqerit në gjak tek personat që agjërojnë.

Rënia në peshë

Sipas dietologut Adam Braun, “Agjërimi nuk duhet kryer kurrë me qëllimin për të rënë në peshë. Megjithatë, raportohet se shumica e njerëzve që agjërojnë bien në peshë.” Pasi trupi ka konsumuar rezervat e tij të glukozës, ai fillon të djegë yndyrnat (dhjamin) për të prodhuar energji, dhe kjo mund të rezultojë në rënie të peshës. Sidoqoftë, dietologët sugjerojnë se agjërimi i tepërt mund të shkaktojë kequshyerje prandaj duhet të shmanget.

Detoksifikimi dhe pastrimi

Ndjekësit e lëvizjeve që promovojnë të ushqyerit dhe mjekimet alternative, shpesh kryejnë agjërim të pjesshëm gjatë të cilit konsumojnë vetëm lëngje perimesh. Ata besojnë se kështu ata i mundësojnë trupit të tyre që të pastrohet nga toksinat e përthithura nga ushqimet e shpejta (junk food) dhe ato të përpunuara.

Shëndeti mendor

Agjërimi mund të jetë një detyrim fetar, por traditat shoqërore që e aplikojnë atë kanë përfitime dhe dobi të shumta. Gjatë Ramazanit, familjet ulen dhe e thyejnë agjërimin bashkërisht pothuajse çdo natë. Ata vizitojnë të afërmit dhe miqtë e tyre për të kryer ritualin e përnatshëm të njohur si iftar. Aspekti komunitar i agjërimit impakton në mënyrë pozitive shëndetin mendor të agjëruesve. Psikologia Suzan Xhons thotë se “Agjërimi bashkon dhe afron familjet, por edhe grupet e ndryshme shoqërore. Kjo shpesh i ndihmon njerëzit që vuajnë nga vetmia dhe depresioni duke i siguruar se nuk janë të vetëm.”

 Ndërprerja e varësive

Agjërimi i jep trupit kohë të mjaftueshme që të pushojë dhe të rigjenerohet. Ky pushim – ndërprerja e rutinave të përditshme dietike – ndihmon në ndërprerjen e zakoneve të dëmshme të të ushqyerit si varësia ndaj sheqerit apo kafeina. Razia Ahmed, një studente e Universitetit të Nju Jorkut, e vetëdiagnostikuar si “e varur ndaj ëmbëlsirave”, thotë se Ramazani e ndihmon të shkëputet nga zakoni i parezistueshëm i konsumimit të çokollatave. “Pasi çdo Ramazani, e kam shumë të lehtë të kontrolloj veten dhe të qëndroj larg M&M-ve (lloj çokollate)”.

Burimi: nbc.com

Leave a Reply