5 hapa profetikë për një martesë të lumtur

5 hapa profetikë për një martesë të lumtur

Shpesh përthithemi nga rutina e jetës dhe e konsiderojmë mbarëvajtjen e martesës tonë si diçka të dhënë njëherë e përgjithmonë, që s’ka nevojë për përkujdesje. Fatmirësisht, Allahu na ka mundësuar një portret të përkryer tek I dërguari i Tij për të na ndihmuar që ta thyejmë këtë rutinë. Më poshtë do të lexoni 5 mësime praktike, por të fuqishme nga Profeti a.s, që do t’ju ndihmojnë të rigjallëroni marrëdhënien tuaj

Buzëqeshni shpesh

Profeti a.s buzëqeshte shpesh. Aq shpesh sa shokët e tij do të thoshin se nuk kishin parë njeri tjetër të buzëqeshte më shumë. Është e lehtë të harrosh sa e fuqishme mund të jetë një buzëqeshje. Bashkëshort dhe bashkëshorte; të gjithë kalojmë ditë të gjata dhe rraskapitëse. Në vend që ta bombardoni bashkëshorten ose bashkëshortin tuaj me ankesa sapo ta shikoni, përshëndeteni atë me një fytyrë të buzëqeshur. Profeti a.s. gjithashtu na ka mësuar se buzëqeshja është bamirësi.

Thoni fjalë të ëmbla

Profeti a.s ka thënë: “Kush beson në Allah dhe në Ditën e Gjykimit le të thotë fjalë të mira, ose të heshtë.” Është shumë e lehtë t’i hakërrehesh bashkëshortes, aq me tepër kur gjendesh pranë saj gjatë gjithë ditës. Në vend që të kërkosh për faje dhe pika të dobëta, nxirr në pah cilësitë e mira. Shndërroji në zakon të përditshëm komplimentet dhe lëvdatat për bashkëshortin apo bashkëshorten tënde.

Mos u zemëro

Kur Aliu u martua me Fatimen, Profeti a.s i dha një këshillë të mahnitshme. Një këshillë aq të rëndësishme sa e përsëriti tre herë: “Mos u zemëro!”. Ai nuk i tha të kontrollonte zemërimin dhe inatin, por i tha të mos zemërohej. Ne zemërohemi me bashkëshortet/ët tanë për gjërat më të vogla, që nga mënyra si shtypin tubetin e pastës së dhëmbëve deri tek mënyra si lajnë pjatat.

Dilni bashkë

Profeti a.s kalonte goxha kohë të këndshme dhe cilësore me bashkëshortet e tij. Ai nuk bënte jetë të veçuar nën të njëjtën çati. Ai shëtiste me bashkëshorten e tij, udhëtonte me të dhe kërkonte mendim apo këshilla prej saj. Ai përfshihej në diskutime motivuese. Kur është hera e fundit që keni dalë për një darkë të këndshme me bashkëshorten tuaj, ose për një kafe të ngrohtë?

Thoni “të dua”

Profeti a.s nuk hezitonte të shprehte dashurinë e tij. Feja jonë ngrihet mbi dashurinë, siç edhe Zoti thotë: “Kam garantuar se do t’i dua dy persona që duhen për hirin tim.”

Ai fliste shpesh për dashurinë që ndjente për bashkëshorten e tij, Hatixhen. Transmetohet se ai ka thënë: “Dashuria e saj më është dhuruar si rrizk”.

Shumë nga ne e kanë ndoshta të vështirë kujtojnë herën e fundit që i kanë thënë “të dua” bashkëshortes së tyre. Kjo nuk është sjellje profetike.

Burimi: nfie.com

Leave a Reply