4 mënyra si Profeti e shpjegonte Kur’anin

4 mënyra si Profeti e shpjegonte Kur’anin

Roli i Profetit a.s nuk përfundoi me shpalljen e vargjeve të Kur’anit. Ai u mësoi shokëve të tij, dhe përmes tyre na mësoi neve, rëndësinë e këtyre ajeteve, përdorimin dhe aplikimin e tyre në praktikë. Allahu thotë: “Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” (Kur’ani 62:2)

Të mësuarit ka kuptim më të gjerë sesa thjesht përcjellja apo transmetimi. Ai përfshin dhënien e tekstit studentit, shpjegimin e kuptimit të tij dhe ilustrimin me shembuj, dhe në fund ndihmesën për t’i vënë mësimet në jetë.

Këto janë 4 mënyrat përmes të cilave Profeti a.s shpjegonte Kur’anin.

  1. Shpjegimi i drejtëpërdrejtë i vargjeve të Kur’anit

Ndonjëherë, Profeti a.s recitonte një ajet dhe shpjegonte kuptimin e tij. Herë të tjera ai thoshte diçka të thellë dhe të urtë, duke e mbështetur apo argumentuar me vargje Kur’anore.

Shembuj:

Profeti a.s tha:  “Një sure sapo m’u shpall.” Pastaj ai recitoi suren Keuther dhe pyeti: “E dini bollëkun e Keutherit?” Të pranishmit u përgjigjën: “Allahu dhe I Dërguari i tij e dinë më mirë.” Ai tha: “Është një lumë që Allahu, I larti dhe I Gjithëfuqishmi, ka premtuar se do të na e japë në parajsë.

Profeti a.s tha: “Askush nuk humbet pasi është udhëzuar, me përjashtim të atyre që përfshihen në polemika dhe mosmarrëveshje.” Pastaj Ai a.s recitoi ajetin: “…sepse janë popull grindavec.” (Kur’ani 43:58)

  1. Përmes përgjigjes së pyetjeve

Ndonjëherë, kur sahabët ishin të pështjelluar mbi thënie të caktuara të Kur’anit, ata pyesnin Profetin që t’ua shpjegonte.

Shembull:

Kur zbriti ky ajet kur’anor “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (Kur’ani 6:82), sahabët ishin të shqetësuar, prandaj pyetën Profeti a.s: “O I Dërguari i Allahut. Cili nga ne nuk i ka bërë padrejtësi vetes?”

Ai u përgjigj: “Bëhet fjalë vetëm për shirkun (idhujtarinë). Nuk e keni dëgjuar çfarë i tha Llukmani djalit të tij: ‘O biri im, mos i bëj shok Allahut! Vërtet, shirku është pardrejtësi e tmerrshme.” (31:13) (Tirmidhiu)

Ndonjëherë Profeti a.s pyetej nga jobesimtarët, shpesh për ta vënë në lojë, duke i bërë pyetje për të cilat nuk kishte ardhur akoma shpallja. Allahu u dha përgjigje, duke filluar me fjalët: “Dhe ata të pyesin ty…” (Kini parasysh që jo të gjitha këto pyetje vinin nga mosbesimtarët)

Shembull:

“Ndërsa po udhëtoja me Të Dërguarin e Allahut në një tokë të punuar dhe ai po ecte duke u mbështetur mbi një shkop, një grup hebrenjsh na dolën përpara. Disa prej tyre thanë: ‘Ta pyesim për shpirtin.’. Ata i thanë njërit mes tyre. ‘Çfarë dyshimi ke? Ekziston mundësia ta pyesësh për gjithçka, edhe për gjëra përgjigja e të cilave nuk të pëlqen.’ Kështu, njëri prej tyre e pyeti rreth shpirtit. I Dërguari i Allahut qëndroi i heshtur dhe nuk i dha përgjigje, prandaj kuptova se po i vinte revelata. Qëndrova në vendin tim ndërsa mbi të shpallej ky ajet. “Ata të pyesin ty për shpirtin? Thuaj: Shpirti është çështje e Zotit tim, për të cilin na është dhënë shumë pak njohuri.” (17:85) (Muslimi)

  1. Shpjegimi i tërthortë i ajeteve gjatë ligjërimeve të tij

Ndonjëherë, ligjërimet e Profetit a.s reflektonin përmbajtjen e Kur’anit pa ndonjë referencë të drejtëpëdrejtë. Kjo ishte diçka e natyrshme për Profetin a.s, përderisa e gjithë jeta e tij ishte shëmbëlltyrë e Kur’anit.

Shembull:

Në suren Merjem, Allahu thotë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” (19:96)

Kjo u shpjegua më në detaj nga Profeti a.s, edhe pse ai nuk iu referua konkretisht këtij ajeti.

“Kur Allahu e do një nga robërit e tij, ai thërret Xhibrilin dhe i thotë: ‘Unë e dua filanin, prandaj duajeni edhe ju.’ Pastaj Xhibrili e do atë. Pas kësaj, Xhibrili njofton banorët e qiejve se Allahu e do filanin, prandaj duajeni atë; dhe banorët e qiellit (ëngjëjt) e duan atë, dhe njerëzit në tokë gjithashtu e duan atë.” (Buhariu dhe Muslimi)

  1. Zbatimi i një ajeti

Profeti a.s e ndiqte Kur’anin në çdo sferë të jetës. Një shembull i zbatimit të drejtëpërdrejtë të Kur’anit është kur u shpall surja Nasr.

Aishja përcjell se: “Profeti a.s shpesh gjatë rukusë dhe sexhdes thoshte: ‘I lartësuar je Ti, O Allah, Zoti jonë, dhe Ti i meriton lavdet. O Allah, më fal mua!’ Në këtë mënyrë ai po vepronte sipas asaj që i ishte parashtruar në Kur’anin fisnik.” (Sahihu i Buhariut)

Ajeti të cilit po i referohemi është pikërisht ky:

“Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.” (Kur’ani 110:3)

Burimi: understandquran.com

Leave a Reply