4 kuptimet e ihsanit (përsosmërisë)

4 kuptimet e ihsanit (përsosmërisë)

Kur’ani është udhëzim për besimtarët dhe për gjithë njerëzimin. Stili i tij është përplot variacione, me udhëzime dhe ndalesa që shfaqen gjatë shpalosjes së historive, parabolave dhe elementëve të tjerë. Stili unik i vargjeve të tij jo vetëm që e bëri tërheqës për ata që e dëgjonin rishtazi, por garantoi që ai të lexohej dhe të memorizohej nga miliona njerëz, ndërkohë që njëkohësisht përbënte një sfidë për këdo që dyshonte në origjinën e tij hyjnore.

Sipas shumë studiuesve, cilësia përkufizuese e Kur’anit janë mesazhet e bukura dhe domethëniet apo kuptimet e shumta të përcjella në pak fjalë. Në këtë artikull, Sohaib Saeed, themelues i Quranica dhe diplomant i Universitetit të Al-Az’har, eskploron disa thënie të shkurtra të Kur’anit që mund të konsiderohen edhe si parime udhëzuese për jetën tonë.

Edhe pse ato kanë kuptime që i përshtaten kontekstit dhe vendit të posaçëm në syret (kapitujt) përkatëse, ato gjithashtu mbartin urtësi të shumta që i tejkalojnë këto kontekste dhe ftojnë për reflektim.

Qëllimi është të lehtësojmë reflektimin mbi Kur’anin dhe të inkurajojmë dëgjuesit të memorizojnë këto fraza të shkurtra si dhe kuptimet e tyre, në mënyrë që t’i bëjnë pjesë të përditshmërisë së tyre.

“A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” (Kur’ani 55:60)

Fjala e përkthyer si “e mirë” (ihsan) mund të përkthehet gjithashtu si përsosmëri (ekselencë)  dhe kërkim i perfeksionit. Së bashku me Islamin dhe Imanin, Ihsani është një nga tre dimensionet themelore të besimit, siç tregohet në hadithin e famshëm të Xhibrilit a.s.

Kur ëngjëlli Xhibril erdhi të takonte Profetin Muhamed a.s dhe i bëri një seri pyetjesh në mënyrë që t’ju mësonte njerëzve pranë tij esencën e besimit, ai e pyeti Profetin a.s: “Çfarë është Islami?”. Profeti a.s iu përgjigj duke i përmendur ato që i njohim si shtyllat e Islamit. Ai pastaj e pyeti: “Çfarë është Imani?” . Dhe përgjigja erdhi përmes mes kredove thelbësore të besimit: Të besosh Allahun, Ëngjëjt e Tij, Librat e Tij, Të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit, si dhe paracaktimin e Zotit, me të mirat dhe të këqijat e tij.

Pyetja e tretë ishte: “Çfarë është ihsani?”(përsosmëria)

Përgjigja e Profetit a.s erdhi në një mënyrë të mrekullueshme, por edhe enigmatike. Ai tha se ihsani është: “Të adhurosh Allahun sikur e shikon atë, sepse edhe pse ti nuk e shikon, Ai të shikon ty.”

Ky është kuptimi i parë i ihsanit për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm: të perfeksionojmë (përsosim) besimin tonë, të besojmë tek Allahu dhe të adhurojmë vetëm Atë, t’i kryejmë adhurimet ekskluzivisht për të siç përshkruhet në suren Ikhlas 112.

Kuptimi i dytë është të bëjmë mirë dhe të përmirësojmë veten. Shumë njerëz këtë e kuptojnë si një virtyt që lidhet me trajnimin dhe zhvillimin e trupit, por edhe trajnimin dhe zhvillimin e mendjes duke mësuar gjëra të reja; por nuk duhet harruar se Islami e konsideron si pjesë esenciale të natyrës njerëzore edhe zhvillimin dhe trajnimin (stërvitjen) e shpirtit dhe pastrimin e zemrës.

Kuptimi i tretë është të përpiqemi për të arritur përsosmërinë (perfeksionin) në çdo gjë që bëjmë. Profeti a.s thotë: “Vërtet Allahu ka urdhëruar përsosmërinë në çdo gjë që bëni.” Kjo do të thotë se çdo gjë që bëjmë, duhet të përpiqemi ta bëjmë në mënyrëm më të mirë dhe më korrekte, në mënyrën më të sinqertë dhe të këndshme.

Kjo na shpie tek kuptimi i katërt i ihsanit. Ihsani është diçka që shtrihet tek të tjerët. Ai përfshin të bërit mirë dhe të realizimit të përfitimeve dhe dobive për njerëzit. Sot, në termat tonë të zakonshëm, njerëzit i referohen me termin muhsineen atyre që bëjnë bamirësi, që janë bujarë dhe mbështesin kauza në dobi të nevojtarëve; ata janë njerëz që shpërndajnë mirësi dhe dobi duke përmirësuar (përsorur) shoqërinë rreth tyre.

Bazuar në këtë, mund të përmendim një kuptim dhe domethënie tjetër të fjalës ihsan, duke marrë në shqyrtim një ajet nga surja (kapitulli) Jusuf (12:36)

Njerëzit që hynë në burg me të e pyetën rreth disa ëndërrave, në mënyrë që t’i interpretonte ato, dhe pasi i drejtuan kërkesën i thanë: “vërtet në të konsiderojmë ty si muhsineen”.

Tani do t’i bëjmë vetes një pyetje serioze, por edhe të dhimbshme: Kur njerëzit shikojnë shoqëritë e sotme muslimane, a do të na thoshin “vërtet ne ju konsiderojmë juve muhsineen”? Kur shikojnë komunitetet muslimane që përbëjnë minoritete në shoqëritë e tyre, a e konsiderojnë këtë minoritet si kontributor në shoqërinë e tyre, aq sa ta etiketonin atë si muhsineen?

E gjithë kjo rrjedh nga të parit e Zotit në gjithçka që bëjmë dhe të qenit i vetëdijshëm që Ai na shikon. Për ihsanin (të mirën, përsosmërinë), nuk ka shpërblim tjetër përveç ihsanit. Të bërit mirë në këtë botë do të na mundësojë të mira në këtë jetë dhe në amëshim.

“A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” (Kur’ani 55:60)

-Sohaib Saeed

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply