3 histori të treguara nga Profeti a.s

3 histori të treguara nga Profeti a.s

Profeti a.s ndonjëherë u tregonte shokëve të tij histori të njerëzve të mëparshëm. Sigurisht që, të gjitha këto histori janë të vërteta, jo sajesa, dhe Profeti nuk i tregonte thjesht për argëtim, por për të nxjerrë mësime që mund të aplikohen në jetët tona. Këto janë 3 histori të treguara nga Profeti a.s dhe që kanë mbërritur tek ne përmes haditheve të konsideruar si autentikë.

Historia e parë

Një burrë bleu një copë tokë dhe gjeti në të një qyp të mbushur me flori. Ai i tha shitësit: “Merre arin tënd sepse unë bleva vetëm tokën dhe jo arin.” Pronari i mëparshëm i tokës i tha: “Unë ta shita tokën me gjithçka gjendej në të.” Për këtë arsye ata ia parashtruan çështjen e tyre një burri të mençur. Ai i pyeti: “A keni fëmijë?”. Njëri prej tyre u përgjigj se kishte vajzë, ndërsa tjetri djalë. Burri i mençur u tha: “Martoni vajzën me djalin dhe shpenzojeni pasurinë e zbuluar për ta. Pjesën që mbetet jepeni për bamirësi.” (Buhariu dhe Muslimi)

Shikojeni mirësinë e këtyre dy burrave. Zakonisht ndodh e kundërta, njerëz që grinden për të shtënë në dorën pasurinë.

Historia e dytë

Ishin dy gra dhe secila prej tyre kishte fëmijën e saj me vete. Një ujk erdhi dhe mori fëmijën e njërës prej tyre. Njëra nga gratë i tha tjetrës: “Ujku mori djalin tënd.”, ndërsa tjetra tha: “Ka marrë djalin tënd!”.

Të dyja u paraqitën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes përpara profetit Daut që vendosi se djali duhej t’i jepej gruas më të vjetër në moshë. Pastaj shkuan para profetit Sulejman dhe i parashtruan çështjen e tyre. Profeti Sulejman tha: “Më jepni një thikë që ta ndaj fëmijën në dy pjesë dhe t’ju jap secilës gjysmën.” Gruaja e re tha: “Mos e bëj këtë! Zoti të bekoftë! Ai është djali i saj.” Profeti Sulejman vendosi t’ia jepte fëmijën pikërisht kësaj gruaje, pra më të resë. (Buhariu dhe Muslimi)

Allahu e kishte bekuar Sulejmanin me urtësi të madhe. Ai gjeti një mënyrë për të zbuluar kush ishte nëna e vërtetë. Nëna e vërtetë ishte ajo që u frikësua dhe u trondit më shumë nga ideja e prerjes së fëmijës.

Historia e tretë

Një burrë tha: “Kam vendosur të jap për bamirësi. Prandaj, pa përcaktuar kush do të ishte përfituesi, gjatë natës ai ia dha atë një hajduti. Në mëngjes, njerëzit po flisnin (për incidentin) se dikush i kishte dhënë lëmoshë një hajduti.” Burri tha: “O Allah! Lavdia të takon vetëm ty! Ia kam dhënë lëmoshën një hajduti, prandaj do të jap sërish.” Ai doli sërish natën dhe pa e ditur kë po ndihmonte, ia dha lëmoshën një prostitute. Në mëngjes, njerëzit po flisnin sërish: “Mbrëmë dikush i ka dhënë lëmoshë një prostitute.” Pasi dëgjoi këtë, burri tha: “Lavdia të takon ty Allah!  I dhashë lëmoshë një prostitute, megjithatë nuk do të heq dorë.” Ai mori lëmoshën dhe doli sërish natën duke ia dhënë atë një të pasuri. Në mëngjes, njerëzit po thoshin: “Mbrëmë i kanë dhënë lëmoshë një të pasuri!” Burri tha: O Allah, i lartësuar je ti! Unë i dhashë lëmoshë një hajduti, një prostitute dhe një të pasuri!”.

Pastaj ai pa një ëndërr në të cilën iu shfaq se bamirësia ndaj hajdutit mund të ndikonte mbi të që të hiqte dorë nga vjedhjet, bamirësia ndaj prostitutës mund ta ndihmonte atë t’i largohej imoralitetit, dhe bamirësia ndaj të pasurit mund ta ndërgjegjësonte atë të shpenzonte më shumë për bamirësi nga ajo që Allahu i kishte dhënë. (Buhariu)

Ndonjëherë, rezultatet e veprave tona të mira nuk përfundojnë ashtu siç prisnim. Në të tilla raste nuk duhet të mendojmë se punët tona kanë shkuar dëm, sepse nuk jemi në gjendje të kuptojmë plotësisht urtësinë e planeve të Allahut.

Burimi: aboutislam.net

Leave a Reply